Kërko

Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Kongregatës së Klerikëve të Zojës së Papërlyer Pjesëmarrësit në Kapitullin e Përgjithshëm të Kongregatës së Klerikëve të Zojës së Papërlyer  

Françesku: besnikë të zanafillës, për t'iu përgjigjur sfidave të sotme

Të mbledhim dëshmitë e atyre, që na paraprinë, për të përballuar me frymë krijuese sfidat e epokës sonë. Papa Françesku ua drejton këtë ftesë pjesëmarrësve në Kapitullin e Përgjithshëm të Kongregatës së Klerikëve Marianë të Zojës së Papërlyer të cilët i priti sot, në Vatikan. I porositi meshtarët të jenë të afërt me nevojtarin, të mëshirëshëm me mëkatarin, të butë me të gjithë, sipas stilit të Zotit, e sidomos, të luten për të varfrit dhe për ushtarët e rënë në luftë.

R. SH. Vatikan

Dashuria për Virgjërën Mari, lutja për të vdekurit, vëmendja për të varfrit. Tre gurët e themelit të përshpirtërisë së Shën Stanislaut të Jezusit e të Marisë, të cilët 350 vjet më parë, jo pa vështirësi, themeluan Klerikët Marianë të Zojës së Papërlyer, në Krakovi. Këto shtylla vlejnë akoma sot për anëtarët e Kongregatës, 40 prej të cilëve Papa i priti në Sallën e Koncistorit, me rastin e Kapitullit të tyre të Përgjithshëm.

Si Maria, Gruaja e Ungjillit

Ipeshkvi i Romës nënvizoi se "ta nderosh Zojën e Papërlyer", do të thotë "të imitosh jetën e saj ungjillore": devocioni ndaj Virgjërës "ushqehet dhe rritet duke e dëgjuar dhe duke e medituar Fjalën e Zotit", sepse "Maria është Gruaja e Ungjillit”. Françesku kujtoi, në vijim, tre titujt marianë, me të cilët Shën Gjon Pali II na fton ta nderojmë Zojën:

“Maria, ‘Selia e Urtisë’, në mënyrë që dëshmia juaj ungjillore të jetë e vendosur dhe e qëndrueshme; Maria, ‘Ngushëllimi i të pikëlluarve”, që njerëzit e kohës sonë të gjejnë ndër ju dashuri e mirëkuptim dhe të tërhiqen nga Zoti përmes dashurisë dhe shërbimit tuaj vetëmohues; Maria, "Nëna e Mëshirës", që të jeni të pasur me dhembshuri amtare për shpirtrat e ringjallur nga gjaku i Krishtit, që ju janë besuar. Dhe për këtë, ju lutemi, mos e harroni stilin e Zotit: afërsinë, mëshirën dhe butësinë. Zoti është i tillë: i afërt, i mëshirshëm, i butë. Ky është Zoti ynë! Rregulltari, prifti duhet të jenë të afërt, të mëshirshëm, të falin gjithçka e të jenë të butë, jo agresivë, bamirës, ​durimtarë ditë për ditë!

Lutja për shpirtrat e të vdekurve

Në lutjen për shpëtimin e shpirtrave, Shën Stanislau - nënvizoi Papa – kujton dy grupe të mëdha të varfërish të kohës së tij: të vdekurit nga murtaja dhe ushtarët e rënë në beteja. Kjo lutje, kujtoi duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, është tejet aktuale:

“Sot duhet për ushtarët, që po bien kudo! Të mendojmë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë rreth 60% e popullsisë evropiane u shfaros nga epidemitë dhe luftërat!  Ishte e nevojshme, prandaj, lutja për shpirtrat e të shuarve dhe për ngushëllimin e familjeve e të bashkësive, në dhimbje e në zi për humbjen e të dashurve të tyre”.

Të varfërit

Papa vuri më pas theksin mbi vëmendjen ndaj të varfërve për të cilët, sipas Shën Stanislaut, klerikët marianë mund të jepnin ndihmën e tyre  "duke iu përgjigjur disa problemeve serioze të kohës: "zbehjes së besimit, veçanërisht në klasat më të varfra, mungesës së thirrjeve meshtarake e rregulltare, mjerimit të një pjese të madhe të popullsisë”.

Veprim dhe përshpirtëri, si dje – dhe sot

Sot - nxiti Papa - klerikët marianë thirren për të "mbledhur dëshmitë" e këtyre vijave të veprimit dhe të përshpirtërisë,  trashëguar nga viti 1670, duke iu përgjigjur "në mënyrë krijuese sfidave që paraqet epoka jonë". Sipas Papës, kjo vazhdimësi ndërmjet së shkuarës dhe së tashmes, që  ndjehet fort në Kongregatë, duket në bashkëpunimin me laikët, në mbrojtjen e jetës nga lindja deri në vdekje, në vëmendjen për të fundmit dhe në mbështetjen e familjeve, që jetojnë në kushte të vështira: “Sot familja është gjithmonë në rrezik”. E tregon këtë shembulli i qendrave për naproteknologjinë dhe ndihmën e familjes pranë Shenjtërores së Lichen, në Poloni, si dhe në zonat e reja të misionit në Azi dhe Afrikë:

“Mos u shkurajoni, nëse hasni kundërshtime a vështirësi. Mendoni për provat e mëdha, që përballoi familja juaj rregulltare gjatë shekujve, për shembull kur mbeti me një anëtar në vetëm në fillim të shekullit të njëzetë! Me ndihmën e Zotit u rikthyet në jetë, aq sa sot jeni rreth pesëqind regulltarë, të pranishëm në nëntëmbëdhjetë vende të botës”.

Mendimi i Papës - në përfundim - shkoi te i Lumi Giorgio Matulaitis, i cili ndërmjet shekujve të 19-të dhe të 20-të ishte një nga protagonistët e rilindjes së Kongregatës, pa frikë, duke vepruar në fshehtësi dhe duke u rrezikuar "pa hequr dorë kurrë nga nxitja për dashuri të krishterë dhe unitet ndërmjet rregulltarëve dhe besimtarëve".

Në përfundim Ipeshkvi i Romës i inkurajoi rregulltarët ta mbajnë të gjallë besnikërinë ndaj zanafillës, në kohët profetike të sotme”.

17 shkurt 2023, 14:21