Kërko

Pasojat e tëmetit në Turqi Pasojat e tëmetit në Turqi 

Papa: bamirësi konkrete për ata që vuajnë nga luftërat dhe tërmetet. Pranë Zelandës së Re

Në përfundim të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku përsëriti thirrjen për popullsinë e Sirisë dhe të Turqisë, të shkatërruara nga tërmeti i 6 shkurtit, që deri tani ka shkaktuar më shumë se 46.000 viktima. Por edhe për Ukrainën dhe popujt e tjerë të dëmtuar nga lufta, apo të dërmuar nga varfëria dhe “mungesa e lirisë”. Papa kujtoi se është edhe pranë Zelandës së Re, të dëmtuar rëndë nga tornadoja Gabrielle, që shkaktoi vdekje, rrënoja, njerëz të zhdukur, dëme të mëdha në prodhimin bujqësor

R. SH. - Vatikan

Fjalët e Papës Françesku në përfundim të Engjëllit, ishin përqafim global për të gjithë popujt, që vuajnë nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore, nga mungesa e mjeteve, e ushqimit dhe nga mohimi i të drejtave. Nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa hodhi vështrimin mbi Sirinë dhe Turqinë,  vende të shkatërruara nga tërmeti i 6 shkurtit, mbi Ukrainën e sulmuar prej një viti, pa i harruar të gjithë njerëzit e vuajtur në botë.

“Dashuria e Jezusit na kërkon të prekemi nga gjendja e atyre, që pësojnë fatkeqësi. Mendoj veçanërisht për Sirinë dhe Turqinë, për viktimat e shumta të tërmetit, por edhe për dramat e përditshme të popullit të dashur ukrainas e të shumë popujve, që vuajnë nga lufta, nga varfëria, nga mungesa e lirisë, nga shkatërrimi i mjedisit. Shumë popuj…”.

Mbi 46,000 të vdekur nga tërmeti

Fjalë, këto të Papës, që vijnë ndërsa në Sirinë veriore dhe në Turqinë juglindore numërohen më shumë se 46 mijë të vdekur dhe po regjistrohen pasgoditje të reja. Njëra me magnitudë 5.1 u regjistrua mbrëmë në lagjen Goksun të Kahramanmara. Popullsisë së dy territoreve të plagosur, Papa deshi t’u tregojë afërsinë e tij konkrete duke dërguar ndihma materiale përmes Lëmoshtarit papnor, kardinalit Konrad Krajewsli. Nga ana tjetër, prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore, Imzot Claudio Gugerotti, është me  mision nga e premtja 17 e deri të martën 21 shkurt, i dërguar për të shprehur solidaritetin me të plagosurit dhe të shpërngulurit, por edhe për të takuar ipeshkvijtë, punonjësit e Karitasit dhe agjencitë e tjera  që po organizojnë ndihmat.

Ende raketa në Ukrainë

Në Ukrainë, nga ana tjetër, në atmosferën e thellimit të tensioneve ndërkombëtare, vijojnë sulmet e qyteteve me raketa. Një nga më të fundit është sulmi mbi qytetin e Druzhkivka, në Donetsk, i cili shkatërroi të paktën dy rrokaqiej. Tani për tani nuk ka lajme për viktima.

Një mendim për Zelandën e Re

Papa nuk e harroi as Zelandën e Re, të gjunjëzuar nga cikloni shkatërrues Gabrielle, i cili shkaktoi 11 vdekje, mbi 5000 të plagosur dhe një numër të madh të zhdukurish:

 “Jam pranë popullatës së Zelandës së Re, dëmtuar ditët e fundit nga një ciklon shkatërrues. Vëllezër dhe motra, të mos harrojmë ata që vuajnë, në mënyrë që bamirësia jonë të jetë e kujdesshme, bamirësi konkrete”.

Dëme të mëdha

Përveç humbjeve njerëzore, cikloni shkatërroi pemishte, vreshta dhe kultura bujqësore në disa nga rajonet më prodhimtare të Zelandës së Re. Rrugët u dëmtuan, dhe mijëra banorë mbetën pa energji elektrike e pa ujë. Qeveria ka frikë se dëmet, ende për t'u llogaritur saktësisht, do të arrijnë në miliarda. Në një intervistë për mediat lokale, Ministri i Financave, Grant Robertson, kujtoi se ai pret shifra të krahasueshme me ato të tërmetit të Christchurch, të vitit 2011, i cili i kushtoi Zelandës së Re rreth 13 miliardë dollarë, shumë e barabartë me rreth 7.6 miliardë euro. “Është e qartë se shkatërrimi i infrastrukturave, i shtëpive dhe i bizneseve flet vetë”, pranoi ministri.

19 shkurt 2023, 13:32