Papa: teknologjia është për njeriun, virtualja nuk e zëvendëson realen
R.SH. - Vatikan
Papa e nisi bisedën duke kujtuar ndryshimin e kushteve të jetesës së njeriut në botën teknologjike. Kujtoi ndikimin e teknologjive të reja në vetë përkufizimin e "njeriut" dhe "të marrëdhënies" si dhe konceptin e “dijes” dhe pasojat e saj. Tri sfida dhe një "detyrë e madhe": të përgjigjesh duke supozuar perspektivat e kompleksitetit, të dialogut ndërdisiplinor dhe të bashkëpunimit ndërmjet subjekteve të ndryshme. Këtë theksoi Papa në takimin e sotëm me anëtarët e Akademisë Papnore për Jetën, pritur në Sallën Koncistorit, me rastin e Asamblesë Plenare, që mbahet sot dhe nesër në Vatikan, me temë:“Konvergimi mbi Njeriun. Teknologjitë në zhvillim, për të mirën e përbashkët”.
Shpejtësia dhe ndërvarësia
Zhvillimi i shpejtë i mjeteve teknike e bën ndërvarësinë ndërmjet njeriut dhe "shtëpisë së përbashkët" më të shpejtë e më të qartë - vërejti Françesku - duke nxitur për "vëzhgimin dhe shpejtësinë e shndërrimeve dhe ndërveprimin ndërmjet ndryshimeve":
“Forca dhe shpejtimi i ndërhyrjeve është i tillë, sa të prodhojë ndryshime të rëndësishme, si në ambientet, ashtu edhe në kushtet e jetesës së njeriut, me efekte dhe zhvillime jo gjithnjë të qarta dhe të parashikueshme. Këtë po e dëshmojnë kriza të ndryshme, nga pandemia - te kriza energjetike, nga kriza klimatike - tek ajo e migracionit, pasojat e të cilave ndikojnë mbi njëra-tjetrën, duke e thelluar njëra-tjetrën. Zhvillimi i shëndetshëm teknologjik nuk mund të mos i ketë parasysh këto ndërthurje të ndërlikuara”.
Njeriu, ndërgjegjja, trupi dhe kultura
Teknologjitë e reja kanë ndikim të rëndësishëm edhe mbi përkufizimin e njeriut e të marrëdhënieve të tij. Ipeshkvi i Romës vë në dukje se "forma teknologjike e përvojës njerëzore po bëhet gjithnjë e më e përhapur çdo ditë: në dallimet ndërmjet 'natyrores' dhe 'artificiales', 'biologjikes' dhe 'teknologjikes', kriteret me të cilat mund të dallohet njerëzorja nga teknikja po bëhen gjithnjë e më të vështira”. Prandaj është i ngutshëm "reflektimi serioz mbi vetë vlerën e njeriut":
“E nevojshme veçanërisht, të ripohohet vendosmërisht rëndësia e konceptit të ndërgjegjes vetjake, si përvojë relacionale, që nuk mund të përjashtojë as trupin as kulturën e njeriut. Me fjalë të tjera, në rrjetin e marrëdhënieve, si subjektive ashtu edhe komunitare, teknologjia nuk mund të zëvendësojë kontaktin njerëzor, virtualja realen as media sociale nuk mund të zëvendësojë sferën shoqërore”.
Bashkësia dhe e mira e përbashkët
Marrëdhënia njeri-bashkësi ka zhvillime etike gjithnjë e më të ndërlikuara në proceset kërkimore-shkencore. Françesku mendon veçanërisht për sektorin e shëndetësisë ku "cilësia e informacionit dhe e asistencës së njeriut varet shumë nga mbledhja dhe studimi i të dhënave të disponueshme".
Këtu duhet të përballojmë problemin e fshehtësisë së të dhënave personale dhe të informacionit në lidhje me to, në interes të të gjithëve. “Do të ishte egoizëm të kërkosh të trajtohesh me burimet dhe aftësitë më të mira në dispozicion të shoqërisë, pa ndihmuar në zhvillmin e tyre të mëtejshëm”
Respekt për kulturat individuale
Papa kërkon gjithashtu që të respektohen kulturat individuale, veçanërisht kur perspektiva teknologjike tenton të imponohet si gjuhë dhe kulturë universale dhe homogjene:
“Në vend të saj, angazhimi duhet të synojë të sigurojë kushtet që të gjithë të rriten me stilin e veçantë për ta, duke zhvilluar aftësinë e tyre për risim e duke u nisur nga vlerat e kulturës së tyre".
Teologjia dhe dialogu ndërfetar
Papa kërkoi edhe të punohet në përkim me kërkesat e njeriut. E në vijim kujtoi se teologjia “mund të japë ndihmesën e vet për krijimin e humanizmit të ri, që favorizon dëgjimin reciprok dhe mirëkuptimin ndërmjet shkencës, teknologjisë dhe shoqërisë”.
Po kështu, Françesku i kërkoi Akademisë Papnore të vazhdojë t’i kushotjë vëmendje dialogut ndërmjet traditave të mëdha fetare dhe urtisë së tyre shekullore. "Detyra që keni është e madhe - kujtoi - por, siguroi Papa -Zoti, dashuronjës i jetës, nuk na braktis".