Kërko

Një vit luftë në Ukrainë. Dhimbja, thirrjet, pyetjet dhe lutjet e Papës

Po i përshkojmë këta dymbëdhjetë muaj, duke nisur nga fillimi i pushtimit të vendit të Evropës Lindore, përmes fjalëve të Papës, i cili kërkon vazhdimisht të mos harrohet populli ukrainas, i torturuar nga një konflikt "absurd dhe mizor" dhe të mos mësohemi me barbarinë e armëve.

R. SH. / Vatikan

Është 24 shkurt 2022: ndërsa bota nis të dalë nga stuhia e pandemisë, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse nisin sulmin ushtarak mbi Ukrainën. Një ditë më parë, në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku pati bërë thirrje, me "dhimbje të madhe në zemër” për keqësimin e situatës":

"Dëshiroj t'u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë përgjegjësi politike, të bëjnë  shqyrtim serioz të ndërgjegjes para Zotit, i cili është Zoti i paqes dhe jo i luftës. Por po mbizotëron logjika e kundërt, ajo e armëve!”.

Në agimin e 24 shkurtit trupat ruse morën urdhrin të pushtojnë Ukrainën. Vendimi u mor menjëherë pas njohjes së republikave separatiste të Donbasit, Donetskut dhe Luganskut, në trojet ukrainase. Në këta dymbëdhjetë muaj të tronditur nga lufta, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, ripohoi vazhdimisht vullnetin e Selisë së Shenjtë për të ndërmjetësuar dhe për të bërë gjithçka ishte e mundur në favor të dialogut dhe bashkëpunimit.

Hapjani kufijtë, zemrat dhe dyert ukrainasve në ikje!

Pas shpërthimit të konfliktit, thirrjet e Papës u bënë lutje të pandërprera: “Shumë herë jemi lutur - pohoi Françesku në Engjëllin e 27 shkurtit – që kjo rrugë të mos ndiqej. Të mos pushojmë së luturi, përkundrazi, t'i lutemi Zotit më fort”.

2 Marsi ishte dita e lutjes dhe agjërimit,  kushtuar nga Françesku paqes në Ukrainë. Që në ditët e para të konfliktit, fuqisë së lutjes iu shtua një aspekt tjetër inkurajues: ai i solidaritetit. Në audiencën e përgjithshme, më 2 mars, Papa, si përshëndeti polakët, kujtoi se qytetarët e Polonisë ishin të parët që e mbështetën Ukrainën duke i hapur kufijtë, zemrat dhe dyert e shtëpive "për ukrainasit që iknin nga lufta".

Grua ukrainase në lot
Grua ukrainase në lot

Lumenj gjaku dhe lotësh

Papa bën thirrje për hapjen e korridoreve humanitare, për “të garantuar dhe për të lehtësuar hyrjen e ndihmës në zonat e rrethuara”. Më 6 mars në Engjëllin e Tënzot, Françesku e pasqyroi “si në ekran” konfliktin, në realitetin e tij të ashpër, me këto fjalë:

“Në Ukrainë rrjedhin lumenj gjaku dhe lotësh. Nuk është vetëm operacion ushtarak, por luftë që mbjell vdekje, shkatërrim dhe mjerim. Viktimat janë gjithnjë e më të shumta, si dhe njerëzit që kanë marrë arratinë, veçanërisht nënat dhe fëmijët”.

Ndërsa në Lutjen e Engjëllit, më 6 mars, Papa kujtoi se dy kardinaj shkuan në vendin e shkatërruar nga lufta "për t'i shërbyer popullit e për të dhënë ndihmesën e tyre". Ishin kardinajtë Krajewski dhe Czerny.

Në mision, në emër të Papës

Dy kardinajtë u dërguan drejtpërdrejt nga Papa si përfaqësues të tij për të çuar solidaritet dhe afërsi me refugjatët dhe viktimat e luftës. Prania e tyre, pohoi Papa në Engjëllin e Tënzot, më 6 mars, është “jo vetëm e Papës, por e gjithë popullit të krishterë, që dëshiron të afrohet dhe të thotë:

“Lufta është çmenduri! Ndalohuni, ju lutem! Shikoni këtë mizori!”.

 Kardinali Czerny takon refugjatët që ikin në qendrat e pritjes në Hungari dhe kalon kufirin për në fshatin ukrainas të Beregove.

Gjatë këtij viti lufte, misionet e kardinalit Krajewski në veçanti ishin të ndryshme. Në njërin prej tyre, në muajin shtator, Lëmoshtari i Papës ishte në qendër të një sulmi të armatosur. Por misioni nuk ndalet dhe kardinali vazhdon të çojë ndihma, ushqime, rruzare dhe bekimin e Françeskut, që askush të mos ndihet vetëm. Lutet para trupave të shumtë të varrosur në varreza masive në Izyum. Çon gjeneratorë dhe bluza termike dhe dorëzon dy ambulanca të dhuruara nga Papa. Në muajin maj, edhe sekretari për marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, shkon në Ukrainë për të vizituar qytetet martire Vorzel, Irpin dhe Bucha, ku lutet para varrit masiv pranë kishës ortodokse të Shën Andreut.

Varreza të përbashkëta në Ukrainë, për shkak të luftës
Varreza të përbashkëta në Ukrainë, për shkak të luftës

Në emër të Zotit, të ndalohet masakra!

Fundi i luftës. Kjo është kërkesa e pareshtur që shoqëroi fjalët e Papës qysh nga fillimi i konfliktit në Ukrainë. Në Engjëllin e 13 Marsit, Françesku kërkon të ndalet, në emër të Zotit, masakra në këtë vend të torturuar. E quan qytetin e Mariupolit, “qytet martir i luftës së tmerrshme". Më 14 mars, Françesku, duke iu drejtuar një shoqate me qëllime promovimi etik dhe social, i fton të gjithë të reflektojnë mbi një fakt tronditës: injorimin e mësimeve të historisë: "disa luftëra rajonale dhe veçanërisht lufta e vazhdueshme në Ukrainë tregojnë se kushdo që qeveris fatet e popujve, nuk e ka nxënë akoma mësimin e tragjedive të shekullit të 20-të”.

Videothirrje me Kirillin

16 marsi është dita e video-telefonatës së Papës me Patriarkun e Moskës Kirill. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, kujton se takimi u përqëndrua mbi "luftën në Ukrainë dhe rolin e të krishterëve e të barinjve të tyre në përpjekjen për kthimin e paqes". Françesku, ashtu si Patriku, shprehte mendimin se "Kisha nuk duhet të përdorë gjuhën e politikës, por gjuhën e Jezusit". "Ai, që e paguan faturën për luftën - shtonte Papa - është populli, janë ushtarët rusë, njerëzit që bombardohen dhe vdesin”. "Luftërat - përfundonte - janë gjithmonë të padrejta. Sepse kush paguan, është populli i Zotit".

Lufta, çnjerëzore dhe sakrilegj

Ditët kalojnë dhe "për fat të keq, agresioni i dhunshëm kundër Ukrainës nuk ndalet". "Masakër e pakuptimtë, ku kërditë dhe mizoritë përsëriten çdo ditë", kujtonte Papa në Lutjen e Engjëllit më 20 mars. “Shumë gjyshër, të sëmurë dhe të varfër, të ndarë nga familjet e tyre, shumë fëmijë dhe njerëz të brishtë kanë mbetur në rrugë të madhe dhe po vdesin nën bomba, pa mundur të marrin ndihmë”. “E gjithë kjo është çnjerëzore! Në të vërtetë, është edhe sakrilegj, sepse bie ndesh me shenjtërinë e jetës njerëzore, me jetën e pambrojtur njerëzore, e cila duhet respektuar dhe duhet mbrojtur, e nuk duhet zhdukur, mbasi vlen më shumë se çdo strategji! Të mos harrojmë: është mizori, çnjerëzore dhe sakrilegj!”.

Konflikti kërcënon gjithë botën

Është e padurueshme "të shikosh se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në Ukrainë". Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në takimin e organizuar nga Qendra Italiane e Gruas, më 24 mars, Papa shpjegon se tragjedia në vendin e Evropës Lindore është "fryt i logjikës së vjetër të pushtetit, që vijon ta sundojë të ashtuquajturën gjeopolitikë":

“Historia e shtatëdhjetë viteve të fundit e dëshmon këtë: luftërat rajonale nuk kanë munguar kurrë; prandaj thashë se ishim në luftën e tretë botërore copa-copa, pak nga pak kudo; deri në këtë, që ka një përmasë më të madhe dhe kërcënon të gjithë botën”.

Papa para Zojës me dy fëmijë
Papa para Zojës me dy fëmijë

Akti i Shenjtërimit të Zemrës së Papërlyer të Marisë

Më 25 mars Françesku kryeson kremtimin pendestar në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe në fund shqipton lutjen e Kushtimit Zemrës së Papërlyer të Marisë, të njerëzimit dhe në veçanti të popujve të Rusisë dhe Ukrainës. U bën ipeshkvijve të botës thirrjen: “Të gjithë të bashkuar në këtë orë të errët, kur kërcënohet paqja botërore!”. Mbarë populli i Zotit: ipeshkjvij, priftërinj, rregulltarë, besimtarë shekullarë, të bashkohen në lutje për fundin e luftës!

Nis edhe një Letër. Eshtë ftesë drejtuar njerëzimit për t’u bashkuar në aktin e kushtimit të Rusisë e Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë, që Ati i Shenjtë do ta kremtonte  pasditën e së premtes, 25 mars, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Ftesa u drejtohej ipeshkvijve të të gjitha vendeve, e shoqëruar edhe me tekstin e lutjes së kushtimit, krijuar me këtë rast. Në të, ndërmjet tjerash, i kërkon së Papërlyerës çka është më e rëndësishme në këto çaste, kur s’ka zemër njerëzore që nuk rreh vrullshëm, ndërsa rijeton gjithë kasaphanat e historisë, duke ndjekur kofliktin e ri që përgjak Ukrainën e kujton pasojat e tmerrshme planetare që mund të ketë:

“Shuaje urrejtjen,

paqtoje hakmarrjen,

mësona faljen,

çlirona nga lufta,

mbroje botën nga kërcënimi bërthamor”.

Papa kërkon që  lutja të thuhet gjatë ditës, në bashkim vëllazëror.

Po rrënohet e ardhmja!

Pak më shumë se një muaj pas fillimit të luftës, të cilën Papa e quan "mizore dhe të pakuptimtë", një ndër dy fëmijë është i zhvendosur nga Ukraina. "Kjo do të thotë të shkatërrosh të ardhmen", nënvizoi Françesku në Engjëllin e Tënzot, më 27 mars. Në audiencën e përgjithshme më 6 prill, Papa, duke u rikthyer nga udhëtimi i tij apostolik në Maltë, nënvizoi se "pas Luftës II Botërore, u bënë përpjekje për të hedhur themelet për një histori të re paqeje, por fatkeqësisht - nuk mësojmë kurrë - vijon historia e vjetër e fuqive të mëdha konkurruese”. E, në skenarin aktual në Ukrainë jemi dëshmitarë të "pafuqisë së Kombeve të Bashkuara". Lajmi për luftën, "në vend që të sjellë lehtësim dhe shpresë, dëshmon për mizori të reja, si masakra e Buçës", pohon Papa, duke kujtuar "mizoritë gjithnjë e më të tmerrshme" të kryera mbi "civilët e pafuqishëm, mbi gratë e mbi fëmijët".

Papa tregon flamurin ukrainas, ardhur nga Buça

Paqe për Ukrainën e martirizuar!

Në Mesazhin e tij “Urbi et Orbi” për Pashkët e vitit të kaluar, Françesku  i nxiti të gjithë të ndihmojnë që "paqja e Krishtit të hyjë në jetën tonë, në shtëpitë tona, në vendet tona". “Paqja qoftë në Ukrainën e sulmuar e të vënë në provë të rëndë nga dhuna dhe shkatërrimi i luftës”. Papa ftoi të impenjohen dhe ta kërkojnë me zë të lartë paqen! E ftoi rishtas: "Ju lutemi, të mos mësohemi me luftën". Për të kujtuar, më pas, vuajtjet e tmerrshme që vijon të jetojë populli ukrainas: "I kam në zemër të gjitha viktimat e shumta, miliona refugjatë dhe njerëz të zhvendosur brenda vendit, familjet e ndara, të moshuarit e mbetur vetëm, jetët e thyera dhe qytetet e rrafshuara".

Për Marinë, lotët e popullit ukrainas

Më 8 maj, shumë besimtarë mblidhen rreth Figures së Zojës në Shenjtëroren e Pompeit, për t’i drejtuar Lutjen. I gjunjëzuar shpirtërisht para Virgjërës Papa, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore – ia besoi Asaj dëshirën e zjarrtë për paqen e  popujve të shumtë që, në pjesë të ndryshme të botës, vuajnë fatkeqësinë e pakuptimtë të luftës. Virgjërës së Shenjtë ia paraqiti veçanërisht vuajtjet dhe lotët e popullit ukrainas.

E, më pas, këshilloi përsëri për t’u lutur:

“Pikërisht në këtë orë, shumë besimtarë mblidhen rreth figures së Marisë në Bazilikën e Pompeit, për t’i drejtuar Zojës lutjen, që pati buruar nga zemra e të Lumit Bartolo Longo. I gjunjëzuar shpirtërisht para Virgjërës Mari, ia besoj asaj dëshirën e zjarrtë për paqen e popujve të shumtë që, në vende të ndryshme të botës, e jetojnë tragjedinë e pakuptimtë të luftës”.

E në vijim e vuri posaçërisht tek këmbët e Zojës, tragjedinë e pashoqe të ukrainasve:

“Virgjërës Mari i paraqes në veçanti vuajtjet dhe lotët e popullit ukrainas. Përballë çmendurisë së luftës, ju lutemi vazhdoni ta thoni Rruzaren për paqe çdo ditë”.

E të lutemi edhe për krerët e kombeve që të mos humbasin “nuhatjen e njerëzve”, të cilët e duan paqen dhe e dinë mirë se armët nuk e sigurojnë kurrë, kurrë - kërkoi akoma Papa e - i prekur thellë në shpirt - qau para Shtatores së Zojës, për Ukrianën e martirizuar.

Shkatërrimi në Ukrainë
Shkatërrimi në Ukrainë

Krishtlindje me ukrainasit në zemër

Pak ditë para Krishtlindjes, në audiencën e përgjithshme të 14 dhjetorit, Françesku i ftoi të gjithë ta jetojnë këtë kohë, pa i harruar ata që vuajnë për shkak të luftës:

“Të kremtojmë një Krishtlindje më të përvuajtur, me dhurata më të thjeshta. T’ia dërgojmë çka kursejmë popullit të Ukrainës, që ka nevojë, vuan shumë, vuan nga uria, nga e ftohta! Vuan e vdes. Vdesin shumë, sepse mungojnë mjekët, infermierët. Nuk duhet ta harrojmë; ta kremtojmë Krishtlindejn, po, në paqe me Zotitn, po, por me ukrainasit në zemër”. “Shikimi ynë - pohoi akoma Françesku më 25 dhjetor, në Mesazhin Urbi et Orbi - mbushet plot me  fytyrat e vëllezërve e të motrave të Ukrainës, që e kremtojnë këtë Krishtlindje në errësirë, në të ftohtë, larg  shtëpive të tyre, tashmë të rrënuara nga dhjetë muaj lufte”. 

Nuk mund të mos i thotë “jo” Papa luftës, riarmatimit e të mos e quajë çka  vijon në Ukrainë, “konflikt i papranueshëm”.

Nuk duhet humbur shpresa

Viti  2023 hapet me të njëjtat plagë, plagë tragjike. Ditën e parë të Vitit të Ri, të cilën Shën Pali VI deshi t’i kushtohet reflektimit për paqen në botë, ndjehet më fuqimisht e bëhet edhe më i papranueshëm kontrasti ndërmjet festës e luftës që, në Ukrainë e vise të tjera mbjell vdekje e rrënime. “Gjithsesi - pohoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - nuk duhet ta humbasim shpresën, sepse besojmë në Zotin që, në Jezu Krishtin, na hapi udhën e paqes”.

Vizatimet e fëmijëve ukrainas
Vizatimet e fëmijëve ukrainas

Pranë nënave, që humbën fëmijët  

Më 8 janar, festa e Pagëzimit të Zotit, mendimi i Papës, gjatë lutjes së Engjëllit, shkoi kryesisht tek nënat:

“Sot, duke parë Zojen që e mbart në krahë Foshnjën e Grazhdit e i jep të pijë, mendoj për nënat viktima të luftës, për ushtarët e rënë në frontin e Ukrainës. Nënat ukrainase, nënat ruse, nëna që humbën bijtë. Që i paguan  haraç të rëndë luftës! Të lutemi për nënat, që humbën bijtë ushtarë, për nënat ukrainase e ruse!”.

Ukraina është nënë e sëmurë

Më 25 janar të vitit në vijim, Françesku u takua me Këshillin Panukrainas të Kishave dhe organizatave fetare. Nuk ka Ukrainë hebreje, Ukrainë të krishterë, Ukrainë ortodokse, Ukrainë katolike, Ukrainë islamike! Ukraina është një, është “nëna që vuan” - pohoi Papa - duke parë tmerret që po jetojnë bijtë e saj. E kur nëna është e sëmurë, sëmuren të gjithë!

Ukraina e vuajtur
Ukraina e vuajtur

Njëvjetor i trishtuar!

Më 22 shkurt, pothuajse një vit pas sulmit mbi Ukrainën dhe “nisjes së kësaj lufte absurde e mizore”, Papa, në audiencën e përgjithshme u ndalua përsëri tek ky Njëvjetor i trishtuar! E përsëri i drejtoi botës mbarë thirrjen: “Jo më luftë! E lindura mbi gërmadha, nuk do të jetë kurrë fitore e vërtetë!”.

E akoma, edhe në ditën e parë të Kohës së Kreshmëve, Papa nuk e harron luftën në Ukrainë, një vit pas shpërthimit. Vazhdon të përsërisë se duhet gjetur zgjidhja paqësore e konfliktit. “Përvjetor i trishtuar”- nënvizon  Françesku. E dëshmon numri i të vdekurve, të plagosurve, refugjatëve, shkatërrimeve, dëmeve ekonomike dhe sociale:

“Thua do të dëshirojë t’i falë Zoti kaq shumë krime e kaq shumë dhunë? Ai është Zoti i paqes, të jemi gjithnjë pranë popullit martir ukrainas, që vazhdon të vuajë dhe ta pyesim veten: a u bë gjithçka e mundur për ta ndaluar luftën?”.

Thirrja u drejtohet "atyre, të cilët kanë autoritet mbi kombet, që të angazhohen konkretisht për t’i dhënë fund konfliktit, për të arritur armëpushimin dhe për të nisur bisedimet për paqen". Fitorja "e ndërtuar mbi rrënoja” - përsërit - nuk do të jetë kurrë fitore e vërtetë".

24 shkurt 2023, 10:59