Kërko

Një Rescript i Papës sqaron dy pika të Motu proprio-s “Traditionis custodes”

Françesku përsërit pa mëdyshje atë që shkruhet në dokument, pra: përdorimi i kishave famullitare për grupet, që kremtojnë meshën me ritin parakonciliar, si edhe përdorimi i Mesharit të lashtë nga priftërinjtë e shuguruar pas 16 korrikut 2021, mund të lejohet nga ipeshkvi vetëm pas autorizimit nga Selia e Shenjtë

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku sqaron pa mëdyshje dy pika të Motu proprio-s "Traditionis custodes", dokument, me të cilin, në korrik 2021, rivendosi rregullat për përdorimin e Mesharit të lashtë, duke u rikthyer ipeshkvijve autoritetin mbi këto kremtime. Sot, ky argument trajtohet në Rescript-in e botuar pas audiencës me prefektin e Dikasterit për Kultin Hyjnor, kardinalin Arthur Roche, dje, më 20 shkurt. Dy pikat, për të cilat ka pasur diskutime dhe interpretime të ndryshme, edhe në media, kanë të bëjnë me përdorimin e kishave famullitare dhe krijimin e mundshëm të famullive personale për grupet, që e kremtojnë meshën sipas Mesharit të vitit 1962, botuar nga Papa Gjoni XXIII para Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. Është diskutuar edhe përdorimi i këtij Meshari nga meshtarët e shuguruar pas datës 16 korrik 2021, pra, pas botimit të Motu proprio-s.

Në të vërtetë, teksti i "Traditionis custodes" është mjaft i qartë: është fjala për dy raste të kufizuara, për të cilat ipeshkvi, para se të vendosë, duhet të kërkojë autorizimin e Dikasterit vatikanas të Kultit Hyjnor, i cili, sipas Motu proprio-s, ushtron autoritetin e Selisë së Shenjtë për këtë çështje. Prandaj, është Dikasteri që, në varësi të rrethanave, i jep autorizimin ipeshkvit.

Pasi theksohet, pa asnjë mundësi keqkuptimi, se vendimi për dy rastet në fjalë i përket Selisë Apostolike, prandaj, ipeshkvijtë janë të detyruar të kërkojnë autorizimin nga Selia e Shenjtë, në Rescript-in e Papës Françesku shkruhet: "Nëse një ipeshkëv dioqezan ka dhënë leje për dy rastet e përmendura më sipër, është i detyruar të informojë Dikasterin për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, që do t’i vlerësojë rastet individualisht".

Pra, nëse autoriteti dioqezan, pa pëlqimin e Romës, ka dhënë lejen për kremtimin e meshës parakonciliare në kisha famullitare, për themelimin e famullive personale dhe për përdorimin e Mesharit të lashtë nga priftërinjtë e shuguruar pas korrikut 2021, atëherë çdo ipeshkëv duhet detyrimisht të bëjë hapin, që ende s’e ka bërë, duke informuar Dikasterin e duke vënë në jetë përgjigjen e tij. Së fundi, me Rescript-in e ri papnor, Françesku “konfirmon ç’pati thënë” në përgjigjet ndaj të ashtuquajturave “Dubbia”, dyshimeve që u shfaqën pas botimit të “Traditionis custodes”. Kujtojmë se përgjigjet u publikuan më 4 dhjetor 2021, së bashku me disa shpjegime shtesë.

21 shkurt 2023, 12:18