Kërko

Papa Françesku me Rruzare Papa Françesku me Rruzare

Një “FalemiMari” për 10 vitet e papnisë së Françeskut

Nisma propozohet nga Sinodi Dixhital, një muaj para përvjetorit të zgjedhjes së Papës në fronin e Shën Pjetrit, më 13 mars

R.SH. – Vatikan

Një “hartë” me shumë qirinj virtualë të ndezur për t’i treguar edhe vizualisht Papës Françesku mbështetjen, me lutjen e besimtarëve nga e gjithë bota, për 10-vjetorin e papnisë së tij. Ideja për ta kthyer këtë përvjetor në diçka “virale”, duke përdorur internetin, erdhi nga Sinodi Dixhital, i cili e bëri këtë propozim përmes një faqeje interneti, që do të jetë aktive deri më 13 mars, ditën e përvjetorit.

Guri që ndërton kishën

"Shërbesa pjetrine - thuhet në një komunikatë - është hir i madh, që Jezusi i dha Kishës së tij, prandaj, duhet të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë. Lutja jonë duhet të jetë dhurata më e mirë, që Zoti ta mbështesë në shërbim atë që e ka zgjedhur për këtë detyrë, sepse mbi atë shkëmb ai ndërton Kishën e tij në kohë dhe në histori”.

Qirinj të vegjël

Kushdo që dëshiron të marrë pjesë në këtë iniciativë do të gjejë në faqen e internetit një ftesë për të thënë një, ose më shumë “FalemiMari”. “Në fund - përfundon nota - do t'i dërgojmë Atit të Shenjtë një hartë plot me 'qirinj të vegjël', që përfaqësojnë FalemiMaritë e thëna për të, duke e falënderuar Zotin për mëshirën e Tij”.

14 shkurt 2023, 11:47