Kërko

Shtegtimi Apostolik në Budapest : Mesha Shenjte Shtegtimi Apostolik në Budapest : Mesha Shenjte 

Në fund të prillit, shtegtimi apostolik i Françeskut në Hungari

Papa do të jetë në Budapest më 28 e 30 të muajit prill: përveç takimeve me autoritetet dhe Kishën vendase, parashikohen edhe dy çaste prekëse: vizita në një mjedis që kujdeset për fëmijët e verbër dhe përqafimi me të varfërit e refugjatët.

R. SH. - Vatikan

Më 12 shtator, dy vjet më parë, Papa qe ndaluar në Budapest për rreth shtatë orë, kohë gjatë së cilës kryesoi Meshën për mbylljen e Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik dhe pati disa takime me ipeshkvijtë vendas, me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik të Kishave dhe disa bashkësi hebrenjsh, përpara se të merrte avionin për në Sllovaki, faza e dytë e atij udhëtimi apostolik. Tani Papa kthehet përsëri në Hungari për ta përqafuar shpirtërisht të gjithë vendin dhe bashkësinë e tij kishtare. Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi sot programin e vizitës së Françeskut në trojet Magyar-e ndërmjet të premtes 28 dhe të dielës, 30 prill.

Programi

Avioni do të niset nga Fiumicino më 28 prill në orën 8.10 të datës 28. Rreth dy orë më vonë, Françesku do të ulet në aeroportin ndërkombëtar të Budapestit. Në orën 11, pritja zyrtare në sheshin e Pallatit “Sándor”, selia e presidentes hungareze, zonjës Katalin Éva Novák. Në vijim, takimet protokollare me kreun e shtetit, kryeministrin Viktor Orban, autoritetet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile e të trupit diplomatik. Veprimtaritë papnore do të përfundojnë pasdite, në orën 17:00, kur Papa do të takohet me klerin, rregulltarët, rregulltaret dhe seminaristët në Kon-Katedralen e Shën Shtjefnit.

Dita e dytë më 29 prill do të ketë dy nga ato çaste, që priten gjithnjë me dëshirë të veçantë nga Ati i Shenjtë: takimin privat, në orën 8.45, me fëmijët e verbër të strehuar nga instituti me emrin e okulistit hungarez "Të Lumit László Batthyány-Strattmann", lumnuar në vitin 2003 - pasuar nga një takim me të varfërit dhe refugjatët, në Kishën e Shën Elizabetës së Hungarisë. Pasdite, edhe dy takime: në orën 16.30, me të rinjtë në godinën e “László Papp Budapest Sports Arena” dhe në orën 18, në Nunciaturë, takimi privat me sivëllezërit e Shoqërisë së Jezusit.

E diela, 30 prill, do të jetë kohë kushtuar meshës, të cilën Françesku do ta kryesojë në orën 9.30 në Sheshin Kossuth Lajos, pasuar nga Engjëlli i Tënzot.

Pasdite, pastaj, në orën 16, takimi i fundit. Përpara nisjes drejt Romës, Papa do të takohet me përfaqësues të botës universitare dhe të kulturës, për t’u nisur në orën 18, ndërsa në orën 19.55 pritet në aeroportin Fiumicino.

27 shkurt 2023, 13:49