Kërko

Tërmeti në Turqi e pasojat e tij Tërmeti në Turqi e pasojat e tij

Ndihma e Papës për popullsitë e Turqisë e të Sirisë

Përmes Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë, Françesku dërgon një ndihmë të parë për të gjithë ata, që janë dëmtuar rëndë nga tërmeti. Ndërkaq, OKB-ja cakton 400 milionë dollarë për Sirinë

R.SH. – Vatikan

Para shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti në Turqi e Siri, më 6 shkurt, me një bilanc prej më se 41 mijë viktimash, që ende mbetet i përkohshëm, Papa Françesku, në Engjëllin e Tënzot të së dielës, kërkoi afërsi, por edhe mbështetje konkrete për lehtësimin e “dhimbjes së këtyre popujve, që vuajnë nga pasojat e tërmetit”. Mbështetja mbërrin edhe nga vetë Ati i Shenjtë, përmes Dikasterit vatikanas për Shërbimin e Bamirësisë.

Krah Turqisë e Sirisë

Sot paradite, nga porti i Napolit, u nis anija MSC Aurelia, e cila pas dy ditësh do të mbërrijë në Iskenderun të Turqisë. Në bord, përveç ndihmës nga ana e qeverisë italiane dhe nga organizata të tjera joqeveritare, gjenden edhe 10.000 bluza termike, që Lëmoshtari Apostolik, kardinali Konrad Krajewski, i çoi dje personalisht në kryeqendrën e Campania-s. Veshjet janë të destinuara për kampin e refugjatëve në Kilis të Turqisë, 50 km nga epiqendra e tërmetit Gaziantep dhe 60 km nga qyteti sirian i Halebit. Shpërndarja e tyre u është besuar vullnetarëve të Fondacionit Rava, i pranishëm prej kohësh në këtë zonë, ku tani përgatit vakte me ushqim të ngrohtë e strehon mijëra njerëz, që kanë mbetur pa shtëpi. Vitet e fundit, pas shpërthimit të luftës në Siri, kampi është zgjeruar dhe arrin të sistemojë rreth 60.000 refugjatë, por shumë të tjerë, që s’kanë gjetur vend në të, jetojnë në kampe të improvizuara. Siç mund të imagjinohet, tërmeti e keqësoi më tej situatën, pasi refugjatëve të mëparshëm iu shtuan edhe qindra njerëz të mbetur rrugëve.

Bluzat termike të Vatikanit drejt Turqisë e Sirisë
Bluzat termike të Vatikanit drejt Turqisë e Sirisë

Përsa i përket Sirisë, njofton kardinali Konrad Krajewski, gjithnjë përmes Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë, Papa e ka dërguar ndihmën e tij ekonomike në nunciaturën apostolike, e cila do ta shpërndajë, duke mbështetur popullsinë tejet të vuajtur nga kaq shumë vite lufte e tani, edhe nga tërmeti i fundit shkatërrimtar.

8 mijë vetë, nxjerrë gjallë nga rrënojat

Gjendja, si në Turqi, ashtu edhe në Siri, mbetet e rëndë, por çdo orë mbërrin ndonjë lajm për mrekulli të vërteta: më se 200 orë pas tërmetit, për shembull, në Turqi u gjetën ende gjallë nën rrënoja dy gra, njëra 45 e tjetra 77 vjeç. Deri tani, numri i njerëzve të shpëtuar e ka kapërcyer 8 mijëshin, por zjarrfikësit spanjollë, ardhur për ndihmë, denoncuan dje se ndërtesat shemben para se të përfundojë kërkimi i njerëzve nën rrënoja.

Kutitë me bulzat termike të Vatikanit për Turqinë e Sirinë
Kutitë me bulzat termike të Vatikanit për Turqinë e Sirinë

Ndërkaq, OKB-ja cakton gati 400 milionë dollarë për viktimat e Sirisë, ku sipas vlerësimeve, kanë humbur jetën më se 6.500 vetë dhe janë plagosur 10 mijë të tjerë. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres, bëri thirrje të mos pengohet në asnjë mënyrë kalimi i ndihmave në territor, sidomos në një situatë lufte si ajo siriane, në të cilën skuadrat lokale të kërkim-shpëtimit kanë arritur të kontrollojnë vetëm 5% të zonës së goditur nga tërmeti.

15 shkurt 2023, 12:29