Kërko

2021.02.16 Quaresima Mercoledì delle Ceneri 2021.02.16 Quaresima Mercoledì delle Ceneri

Papa Françesku: udha kreshmore është sinodale

Ftesë për t'u vënë për rrugë në gjurmët e Krishtit, për ta thelluar dhe për ta mirëpritur misterin e Tij të shëlbimit, duke u shkëputur nga mediokriteti dhe kotësia. Për këtë na fton Papa në mesazhin e tij për Kreshmët 2023, në të cilin nënvizon marrëdhënien ndërmjet shtegtimit të Kreshmëve dhe shtegtimit Sinodal, të cilin ne, si Kishë po angazhohemi ta realizojmë, të rrënjosur në traditë dhe në kërkim të risive.

R.SH. - Vatikan

Është shndërrim, personal dhe kishtar, caku i udhës asketike kreshmore e, po kështu, edhe ai sinodal. Françesku e thekson këtë në mesazhin e tij për Kreshmët 2023, datuar 25 janar e botuar sot me titullin “Ngjitja kreshmore, udhë sinodale”.

Mënjanë, mbi një mal të lartë

Për zgjedhjen e kësaj teme, Papa u frymëzua nga episodi ungjillor i Shndërrimit mbi Malin Tabor. “Në këtë kohë liturgjike Zoti na merr me vete dhe na çon mënjanë. Edhe nëse angazhimet tona të zakonshme na kërkojnë të rrimë në vendet e zakonshme, duke jetuar jetën e përditshme me përsëritjet e ndonjëherë edhe me mërzinë e saj - shkruan Ipeshkvi i Romës - “gjatë Kreshmëve jemi të ftuar të ngjitemi mbi një mal të lartë, së bashku me Jezusin, për të jetuar me Popullin e Shenjtë të Zotit një përvojë të veçantë asketizmi”.

Si shëtitje ndër male

Në këtë frymë asketizmi, të shoqëruar nga hiri, e kapërcejmë ngurrimin e çastit për t’u nisur mbi gjurmët e Krishtit. E për ta bërë këtë - kujton Papa - duhet ta lëmë veten të na prijë Ai vetë, mënjanë e lartësive, duke u shkëputur nga mediokriteti e nga kotësia" e duke shkelur në një shteg të përpjetë që "kërkon mundim, flijim, e edhe përqendrim, si ekskursionet ndër male”.

Së bashku

Jezusi çon tre dishepuj në Tabor: sepse "Krishti ndiqet së bashku" - kujton Papa. Kur të shkelin majat, të tre dishepujt do të mund ta shohin duke shndritur me një dritë të mbinatyrshme. “Si në çdo ekskursion të mundimshëm malor, ndërsa ngjitesh duhet t'i mbash sytë të ngulur mbi shtegun; por panorama që të hapet para sysh në fund të befason dhe të shpërblen me pamjen e saj mahnitëse. Edhe procesi sinodal - vëren Papa - shpesh duket i mundimshëm dhe nganjëherë mund të çkurajohemi, por na pret diçka e mrekullueshme që "do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë vullnetin e Zotit dhe misionin tonë në shërbim të Mbretërisë së tij".

Tradita dhe risi

Në malin Tabor pranë Jezusit duken Moisiu dhe Elia, personifikim i Ligjit dhe i Profetëve. “Risia e Krishtit - shpjegon Papa - është përmbushja e Besëlidhjes së Vjetër, që na zbulon edhe kuptimin e saj të thellë”. Edhe shtegtimi sinodal – vëren më pas – shpesh duket  i thepisur e mund të na çkurajojë. Por nuk duhet të harrojmë se na pret një pamje e mrekullueshme  që “do të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë vullndesën e Zotit  si dhe misionin tonë në shërbim të Mbretërisë së Tij”. Tradita është burim frymëzimi për të kërkuar shtigje të reja, për të shmangur tundimet e kundërta të pritshmërisë e të eksperimentimit të improvizuar”.

Dy shtigjet

Janë dy, shtigjet e këshilluara nga Françesku për t’u “ngjitur së bashku me Jezusin dhe për ta arritur qëllimin me të”: ta dëgjosh Atë dhe “t’i bësh ballë realitetit me kapitjet e tij të përditshme,  me vështirësitë, me kontradiktat e tij”. Jezusi - shpjegon Papa - flet në Fjalën e Zotit të ofruar nga Kisha në Liturgji, të cilën mund ta lexojmë edhe në internet "nëse nuk mund të marrim gjithmonë pjesë në Meshë". Por Jezusi flet edhe në më nevojtarët, si në vëllezërit dhe motrat në Kishë: dëgjimi i anasjelltë është "stil i Kishës sinodale".

Kështu Papa na tërheq vëmendjen të mos strehohemi nën strehën e një feje të përbërë nga ngjarje të jashtëzakonshme, duke na këshilluar "të mos e gënjejmë veten se kemi mbërritur në rrugën sinodale, kur Zoti na jep disa përvoja të forta bashkimi": "le të zbresim në fushë dhe hiri i provuar  do të na ndihmojë 'të jemi mjeshtra të sinodalitetit në jetën e zakonshme të bashkësive tona’”.

17 shkurt 2023, 11:40