Papa: të ëndërrojmë një shoqëri të ndryshme, pa luftë, me ekonomi në shërbim të të gjithëve
R.SH. – Vatikan
“Tertio” e ka intervistuar edhe një herë tjetër Papën Françesku më 17 nëntor 2016. Prandaj, arsyeja e intervistës së re, që Ati i Shenjtë i dha revistës javore të krishterë të Belgjikës ishte 10-vjetori i papnisë së Bergoglio-s, më 13 mars 2023. Papa është mjaft i lidhur me Belgjikën, të cilën e ka vizituar edhe gjatë viteve ’70. Intervista e fundit është rezultat i një bisede prej 45 minutash, që publikohet njëkohësisht në të përjavshmet katolike “Tertio” dhe “Dimanche”, por edhe në një libër, që do të botohet më vonë. Biseda me gazetarët u realizua dhjetorin e kaluar e që atëherë, duke bërë shaka, Bergoglio pati thënë se po t’i ndodhte gjë deri sa të botohej intervista, do të mund ta thoshte fjalën e fundit “nga varri” (desde la tumba). Pikërisht për këto lloj shakash u krijua një atmosferë pa protokolle e pa formalizma, gjatë së cilës Ati i Shenjtë preku një sërë argumentesh.
Koncili II i Vatikanit dhe rinovimi i Kishës
Fillimisht Koncili II i Vatikanit dhe rinovimi i Kishës, argumente për të cilat Françesku ka folur shpesh kohët e fundit, megjithëse ai është i pari ndër Papët e pas viteve ’60, që nuk ka marrë pjesë personalisht në Koncil. “Historianët thonë se duhet një shekull që vendimet e Koncilit të hyjnë në fuqi dhe të zbatohen plotësisht – nënvizon Ati i Shenjtë. - Kemi edhe 40 vite përpara… Jam shumë i shqetësuar për Koncilin, sepse ajo ngjarje, në të vërtetë, ishte vizitë e Zotit në Kishën e tij. Koncili ishte një nga ato gjëra që Hyji bën në histori përmes njerëzve të shenjtë. Ndoshta, askush nuk e kuptoi çfarë po ndodhte, kur Gjoni XXIII e mblodhi. Thuhet se ai vetë mendonte se do të përfundonte për një muaj, por një kardinal i pati thënë: “Filloni të blini mobiljet dhe gjithçka tjetër, do të duhen vite”.
Papa Gjoni XXIII e mori parasysh këtë, ishte gati t’u përgjigjej thirrjeve të Zotit. Kështu i flet Hyji popullit të tij. E aty, vërtet na foli – thekson Papa Françesku. - Koncili nuk ishte thjesht rinovim i Kishës. Nuk ishte vetëm çështje rinovimi, por edhe sfidë për të gjallëruar Kishën gjithnjë e më shumë. Koncili nuk e rinovon, e rinon Kishën. Kisha është nënë, që shkon gjithmonë përpara. Koncili hapi dyert për një pjekuri më të madhe, më në harmoni me shenjat e kohës. “Lumen gentium”, për shembull, kushtetuta dogmatike për Kishën, është një nga dokumentet më tradicionale dhe njëkohësisht më moderne, pasi në strukturën e Kishës, tradicionalja - nëse kuptohet siç duhet - është gjithmonë moderne. Kjo, për shkak se tradita vazhdon të zhvillohet më tej.
Siç deklaron murgu francez Vincent de Lérins në shekullin V, dogmat duhet të vazhdojnë të zhvillohen, por sipas kësaj metodologjie: "Ut annis scilicet consolidationtur, dilatetur tempore, sublimetur aetate" ("Të konsolidohen në vite, të zgjerohen në kohë, të ekzaltohen nga mosha"). Kjo do të thotë: duke u nisur nga rrënja, vazhdojmë gjithnjë të zhvillohemi. Koncili bëri një hap të tillë përpara, pa e prerë rrënjën, sepse kjo nuk mund të bëhet nëse duam të prodhojmë fryte. Koncili është zëri i Kishës për kohën tonë dhe në këtë moment – për një shekull – ne duhet ta vëmë në praktikë”.
Përmasa sinodale e Kishës
Më pas, Papa Françesku vë në dukje se në fund të Koncilit, Palit VI i bëri përshtypje fakti që Kisha e Perëndimit e kishte humbur pothuajse krejtësisht përmasën e saj sinodale, ndërsa Kishat Katolike të Lindjes e kishin ruajtur atë. Kështu, pati themeluar sekretarinë e sinodit të ipeshkvijve pikërisht për të promovuar sinodalitetin në Kishë. Gjatë viteve, shumë gjëra u përmirësuan dhe u sqaruan si për shembull, nëse e drejta e votës u takonte vetëm ipeshkvijve, nëse mund të votonin gratë e tani, nënvizon Françesku, procesi aktual sinodal do ta ndihmojë Kishën të kuptojë cila është mënyra më e përshtatshme për të marrë vendime.
Gjendja në Ukrainë e lufta botërore pjesë-pjesë
Natyrisht, gjendja në Ukrainë e lufta botërore pjesë-pjesë, për të cilën Ati i Shenjtë flet shpesh, nuk mund të mungonin në intervistë. “Vatikani e ka për zemër këtë konflikt që nga dita e parë – thekson Papa, duke vënë në dukje punën e diplomacisë vatikanase. - Një ditë pas fillimit të pushtimit, unë personalisht shkova në ambasadën ruse. Diçka, që nuk e ka bërë kurrë asnjë Papë... Shpreha edhe gatishmërinë për të shkuar në Moskë e për t’u siguruar që konflikti të mos vazhdojë. Që nga fillimi i tij e deri më sot, Vatikani ka qenë gjithmonë në qendër të veprimit. Disa kardinaj kanë shkuar tashmë në Ukrainë… Njëkohësisht, nuk duhet të reshtim së foluri me popullin rus. Kjo luftë është e tmerrshme, është mizori e pamasë. Aty luftojnë shumë mercenarë. Disa janë shumë mizorë, shumë mizorë. Ka tortura; torturohen edhe fëmijët”.
Papa Françesku kujton fëmijët, që i ka pritur shpesh për vizitë. “S’kam parë kurrë një fëmijë ukrainas të qeshë – vëren ai. – Pse nuk qeshin këta fëmijë? Çfarë kanë parë? Është e tmerrshme, vërtet e tmerrshme”. Ati i Shenjtë nënvizon se Vatikani bën gjithçka mundet për ta ndihmuar popullsinë, por vuajtja është shumë e madhe.
“Mbaj mend ç’më thoshin prindërit: ‘Lufta është çmenduri’ – kujton Papa. - Ndihemi të përfshirë në këtë luftë, sepse zhvillohet afër nesh. Por prej vitesh ka luftëra në botë, të cilave nuk u kushtojmë vëmendje: në Mianmar, Siri – tashmë prej 13 vitesh në luftë – në Jemen, ku fëmijët nuk kanë arsim dhe bukë, ku vuajnë nga uria…. Me fjalë të tjera: bota, faktikisht, është gjithmonë në luftë. E për këtë, duhet denoncuar industria e madhe e armëve. Kur një vend i pasur fillon të dobësohet, thuhet se i duhet një luftë për të ecur përpara e për t'u bërë sërish edhe më i fortë. Për këtë duhen armët”, denoncon Françesku.
Lutja, adhurimi dhe kulti nuk janë mbyllje në sakristi
E pastaj, pyetjet e gazetarëve përqendrohen në gjendjen aktuale të Kishës, me klerin e besimtarët në ulje, sidomos në vendet perëndimore. Duket sikur Kisha e ka disi të vështirë të bashkojë aspektin liturgjik e të kumtimit të Lajmit të Mirë me atë shoqëror e profetik. Nuk janë dy botë në kundërshtim me njëra-tjetrën, vëren Ati i Shenjtë. “Lutja, adhurimi dhe kulti nuk janë mbyllje në sakristi. Kisha, që nuk kremton Eukaristinë nuk është Kishë. Por edhe Kisha, që fshihet në sakristi, nuk është e tillë. Kremtimi i Eukaristisë ka pasoja. Kemi thyerjen e bukës e kjo nënkupton një detyrim shoqëror, detyrim që të kujdesemi për të tjerët. Lutja dhe impenjimi shkojnë dorë për dore. Adhurimi i Zotit dhe shërbimi për vëllezërit e motrat tona shkojnë dorë për dore, sepse në secilin prej tyre shohim Jezu Krishtin”.
Ekonomia, në shërbim të shoqërisë
Së fundi, Papa reflekton mbi tregun neoliberal dhe mbi të ashtuquajturën “ekonomia e Françeskut”. “Duhet të kemi guximin për të ëndërruar ekonomi, që nuk janë thjesht liberale... Duhet të kemi kujdes me ekonominë: nëse ajo përqendrohet tepër mbi financat, vetëm mbi shifra, që nuk kanë pas realitetin, atëherë ekonomia bëhet pluhur e na tradhton rëndë. Ekonomia duhet të jetë ekonomi sociale. Shprehjes “ekonomi e tregut”, Gjon Pali II i shtoi fjalën “sociale”, pra, ekonomi sociale e tregut. Duhet ta kujtojmë gjithmonë këtë. Tani për tani, kriza ekonomike është padyshim serioze, e tmerrshme. Shumica e njerëzve në botë – shumica – nuk kanë mjaft për të ngrënë, nuk kanë mjaft për të jetuar. Pasuria është në duart e disa njerëzve, që drejtojnë ndërmarrje të mëdha, me prirje për t’i shfrytëzuar të tjerët. Ekonomia duhet të jetë gjithmonë sociale, në shërbim të shoqërisë”, përfundon Ati i Shenjtë.