Kërko

Françesku, veprimtarëve të shëndetësisë: në qytetet, shkretëtira të humanitetit, ta dëgjojmë zërin e të vuajturve

Në audiencën me përfaqësuesit e Seksionit Mjekësor të Zyrës për Baritorinë e Shëndetit në dioqezën e Romës, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e Ditës Botërore të të Sëmurëve, që do të kremtohet më 11 shkurt, Papa kërkoi t'u qëndrojnë afër të sëmurëve, t’u japin zë të vuajturve, që nuk dëgjohen dhe, të bëhen tharmi i bamirësisë konkrete

R.SH. – Vatikan

Kujtoi figurën ungjillore të Samaritanit të Mirë, Papa Françesku, gjatë takimit me eksponentët e Seksionit Mjekësor të Zyrës për Baritorinë e Shëndetit në dioqezën e Romës, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e Ditës Botërore të të Sëmurëve, që do të kremtohet më 11 shkurt. Njerëz, i cilësoi Ati i Shenjtë, “në gjendje ta shndërrojnë përvojën e vuajtjes, në afërsi me dhimbjen e të tjerëve”, duke i dhënë jetë solidaritetit dhe shpresës. Papa këshilloi tre qëndrime: t’u qëndrojnë afër të vuajturve, t’u japin zë vuajtjeve për të cilat nuk pyet askush dhe të bëhen tharmi i bamirësisë, që i përfshin të gjithë.

“Është e rëndësishme të bëheni të afërt me ata që vuajnë, duke u ofruar dëgjim, dashuri dhe mirëpritje. Por, për ta bërë këtë, duhet të mësohemi të shohim, në dhimbjen e vëllait, një “sinjal përparësie”, që, nga thellësia e zemrës, na imponon të ndalemi dhe nuk na lejon të ecim më tej. Kjo ndjeshmëri rritet nëse përfshihemi gjithnjë e më shumë në takimin me të vuajturit. Kur ecim kështu, së bashku, arrijmë ta kapim kuptimin më të vërtetë të jetës, që është dashuria”.

Sfida e qyteteve ku s’ka humanitet

Papa foli më pas për mënyrën si duhet ngritur zëri që të dëgjohen e të bëhen të dukshëm për shoqërinë edhe ata të sëmurë, që lihen vetëm, privohen nga mbështetja financiare dhe morale e, si rrjedhojë, e humbin besimin e bien në dëshpërim. Françesku dha shembullin e sëmundjeve si fibromialgjia dhe dhimbja kronike, që nuk merren shumë parasysh nga njerëzit përreth pacientëve. Ati i Shenjtë sfidoi qytetet e sotme “nganjëherë, shkretëtira humaniteti, me veshin e shurdhër për dhembshurinë”.

“Ta mirëpresim britmën e atyre që vuajnë dhe të kujdesemi që ajo të dëgjohet. Të mos e lëmë të mbyllur në një dhomë e, as të mos lejojmë të kthehet, thjesht, në ‘lajm’: t’i bëjmë një vend në shpirt dhe ta amplifikojmë, duke u përfshirë në të personalisht e konkretisht”.

Të lidhemi në rrjet, falas e me reciprocitet

Së fundi, Papa i këshilloi veprimtarët e shëndetësisë të bëhen tharm bamirësie, duke krijuar rrjete falas e me reciprocitet. Të gjithë kemi nevojë “të japim e të marrim diçka, qoftë edhe vetëm një buzëqeshje”, shtoi ai. Rrjeti përreth nesh rritet “nga duar që shtrëngojnë njëra-tjetrën, nga krahë që punojnë së bashku, nga zemra që bashkohen në lutje, me dhembshuri”. Një rrjet i tillë është i ngjashëm me rrjetën e peshkatarit, që u bën ballë “valëve më të forta” dhe "i nxjerr në breg ata, që janë në rrezik për t’u zhytur e për t’u mbytur”. Prandaj, të gjithë atyre, që bëjnë pjesë në Seksionin Mjekësor të Zyrës për Baritorinë e Shëndetit në dioqezën e Romës, u bëri thirrje:

“Të krijomë rrjet do të thotë të punojmë së bashku si gjymtyrë të një trupi. Vuajtja e dikujt bëhet vuajtje e të gjithëve dhe kontributi i secilit pritet nga të gjithë si bekim. Të dashur miq, nuk është e lehtë të jesh pranë atyre që kanë dhimbje, ju e dini mirë. Prandaj po ju them: mos u shkurajoni!”

Impenjohuni në bamirësinë konkrete

Në përfundim të fjalës së tij, Françesku i ftoi të gjithë ta marrin forcën nga fytyra e atyre që vuajnë, nga fytyra e Krishtit, "i cili deshi të ndajë dobësinë tonë deri në vdekjen për ne”. Jezusi “i ringjallur, nuk na braktis kurrë", nënvizoi Papa, duke vënë në dukje se të sëmurët e të ligështit janë “afër zemrës së Zotit”.

09 shkurt 2023, 12:28