Françesku: të mos i harrojmë Sirinë, Turqinë dhe Ukrainën
R. SH. - Vatikan
Në përshëndetjet e tij pas Engjëllit, Papa bëri thirrje për të mos i harruar qytetarët e Sirisë dhe të Turqisë, të goditur nga tërmeti shkatërrimtar, si dhe banorët e Ukrainës, ende viktima të konfliktit të përgjakshëm:
“Vazhdojmë të jemi, me lutje dhe mbështetje konkrete, pranë popullsisë së prekur nga tërmeti në Siri dhe në Turqi. Po shikoja në programin “Sipas shëmbëlltyrës së Tij”, fotografitë e kësaj katastrofe, të kësaj dhimbjeje të këtyre popujve që po vuajnë nga tërmeti. Të lutemi për ta, të mos i harrojmë, të lutemi dhe të mendojmë se çfarë mund të bëjmë për ta. E të mos e harrojmë as Ukrainën e torturuar: Zoti haptë shtigjet e paqes dhe u dhashtë përgjegjësve guximin për të ecur ndër ta”.
Numri i viktimave në dy vendet e goditura nga tërmeti i 6 shkurtit të kaluar, është vazhdimisht në rritje. Aktualisht janë mbi 29 mijë të vdekur, numër që, sipas parashikimeve dramatike, pritet të dyfishohet. Sot në Damask do të mbërrijë ndihma e parë nga Bashkimi Evropian, e nisur nga Italia.
Në Ukrainë, sulmet e rusëve vazhdojnë, natën në Kharkiv pati tre sulme me raketa që goditën një infrastrukturë pa shkaktuar, për fat të mirë, asnjë vdekje.