Françesku: të marrin fund sa më shpejt vuajtjet mizore të popullit ukrainas
R. SH. - Vatikan
Një psherëtimë, një duartrokitje, një urim… U gërshetuan me këtë ritëm diktuar nga zemra, fjalët e thëna nga Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, pas katekizmit. Ishin fjalë kushtuar popullit ukrainas që, për gati një vit, po e jeton çdo ditë dramën e luftës. Ashtu si Papa që për gati një vit, përsërit thirrjen e përgjëruar:
“Të mos e harrojmë Ukrainën e torturuar, duke u lutur që vuajtjet e saj mizore të marrin fund së shpejti.
Një nxitje e përsëritur, për t’i bërë të heshtin armët, i shtohet thirrjeve të shumta të Françeskut gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve. Në lutjen e Engjëllit, të dielën e kaluar, Papa uroi plot shpresë:
"Zoti i haptë shtigjet e paqes dhe u dhashtë përgjegjësve guximin për të ecur ndër ta”.
Edhe në audiencën e përgjithshme më 8 shkurt, kujtoi vuajtjet e popullit ukrainas: që vijon të jetojë "në këtë të ftohtë, pa dritë, pa ngrohje dhe në luftë".
OKB-ja: duhen 5.6 miliardë dollarë
Në Ukrainë, ndërkaq, ndjehet fort alarmi për një sulm të ri rus, të afërt e në shkallë të gjerë. Sipas burimeve të shtypit, Moska po nis anije dhe nëndetëse me armë bërthamore taktike në Detin Baltik dhe po grumbullon avionë luftarakë në kufi. Së fundi, Kombet e Bashkuara po bëjnë thirrje për mbledhjen e 5.6 miliardë dollarëve, si ndihmë humanitare në vitin 2023 për Ukrainën, për të lehtësuar gjendjen e miliona njerëzve të prekur nga konflikti. "Pothuajse një vit më vonë, lufta vazhdon të shkaktojë vdekje, shkatërrim dhe shpërngulje të përditshme në një shkallë marramendëse" pohoi në një deklaratë kreu i ndihmës humanitare i OKB-së, Martin Griffiths.