Françesku, shkencëtarëve: jo gjithçka bën teknika lejohet nga etika
R.SH. – Vatikan
Paralajmërim i ri për përkrahësit e “mendimit hibrid”, bashkim i mendimit biologjik dhe atij artificial, i cili “do ta ndryshonte në themel specien ‘homo sapiens’”. Por edhe për mbështetësit e të ashtuquajturit Modernizëm i Dytë, sipas të cilëve gjithçka, që është teknikisht e mundur, është, “për këtë arsye, etikisht e ligjshme”. Në takimin e paradites me drejtuesit e Shoqatës Max Planck për Promovimin e Shkencave, Papa Françesku i fton shkencëtarët të jenë më të përgjegjshëm për gjithçka bëjnë, por sidomos të reflektojnë nëse mund ta bëjnë. Françesku ua dorëzoi fjalën e përgatitur për ta, pasi nuk mundi ta lexojë, për shkak të gripit të fortë. Ati i Shenjtë u detyrua ta anulojë edhe audiencën e mëpasme të sotme me të rinjtë e Federacionit të Krishterë Rinor Ymca.
Rezultatet shkencore janë pasuri publike
Në fjalimin dorëzuar shkencëtarëve, Papa u kërkon që shkenca të jetë e lirë nga ndikimet me natyrë politike dhe ekonomike. Vë në dukje se ka ardhur koha të mbështetet shkenca e pastër, pa hequr asgjë nga ajo e zbatuar. Rezultatet duhet të konsiderohen pasuri publike e të vihen në shërbim të së mirës së përbashkët, nënvizon Françesku.
Rreziqet e të ashtuquajturit “mendim hibrid”
Ati i Shenjtë vë në pah rreziqet e të ashtuquajturit “mendim hibrid”, i cili do të jetë rezultat i mendimit biologjik dhe i atij jo biologjik. Kjo do t’i jepte mundësinë njeriut të mos komandohej nga Inteligjenca Artificiale dhe të ketë gjithnjë fjalën e fundit, por shumë shkencëtarë e filozofë e jo vetëm Papa, kanë shtruar pyetje të planit etik e shoqëror për përdorimin e kësaj Inteligjence mbi qeniet njerëzore. A do të jemi më “homo sapiens”, nëse aftësitë e njeriut do të ndryshohen nga fuqia e llogaritjeve të një kompiuteri? “Nëse ndahet aftësia për të zgjidhur problemet nga nevoja për të qenë inteligjentë - pra, njerëz që mendojmë – ndërsa gjejmë zgjidhjet, anulohet fakti se njeriu i vë vetes qëllime kur përvijon një veprim të caktuar”. Kjo përbën një çështje të rëndësishme etike, shkruan Ati i Shenjtë, i cili i kërkon Shoqatës Max Planck të japë kontributin e saj për t’i bërë ballë kësaj sfide.
Modernizmi i Dytë dhe përgjegjësia “teknike”
Në shoqërinë aktuale, në të ashtuquajturin Mondernizëm i Dytë, që ka filluar rreth viteve ’70, “është përhapur një parim përgjegjësie ‘teknike’, i cili nuk pranon gjykimin moral mbi të mirën e të keqen. Veprimtaria, sidomos ajo e organizatave të mëdha, vlerësohet vetëm në aspektin funksional, sikur gjithçka, që është e mundur, të ishte, në vetvete, etike. Kisha nuk mund ta pranojë kurrë një qëndrim të tillë”, përfundon Françesku.