Françesku: drita e diturisë dhe e fesë, për ta mposhtur errësirën
R. SH. - Vatikan
Qofsh “dritë e ëmbël” për të rinjtë e shumtë, në një botë ku errësira e urrejtjes bëhet gjithnjë më e dendur: dritë, që është kulturë, e nuk ekziston për t'u parë, por për të parë përreth e përtej. Ky, urimi që i bëri Françesku Universitetit Sulkhan-Saba Orbeliani të Tbilisit.
Të edukosh, do të thotë të dalësh në dritë
Ipeshkvi i Romës theksoi se në gjuhën gjeorgjiane termi edukim, gantleba, rrjedh nga fjala dritë e të kujton kalimin nga errësira e padijes - në dritën e diturisë:
“Të edukosh për ju do të thotë të dalësh rishtas në dritë, është sinonim i iluminizmit. Kjo është kuptimplote, të bën të mendosh për llambën, që ndizet në dhomën e errët: nuk ndryshon asgjë që ishte atje, por ndryshon pamja e çdo gjëje”.
Kultura dhe feja
Studimi dhe angazhimi janë mjete që na ndihmojnë të njohim veten dhe dijet e propozuara nga Universiteti Sulkhan-Saba Orbeliani - nënvizoi Papa - synojnë ta venë në qendër dinjitetin e njerëzor. Nuk është rastësi - theksoi në vijim - "që në gjeorgjisht rrënja e fjalës dritë, duket si në fjalën edukatë - ashtu edhe në fjalën pagëzim, duke i lidhur ngushtë kulturën me fenë": "kultura gjeorgjiane - shpjegoi më tej - ju fton të mbani të ndezur llambën e kulturës e të hapur, dritaren e fesë, sepse të dyja e mbushin përplot me dritë dhomën e jetës”:
“Ndjehet fort nevoja për këtë ndriçim të fisëm të dijes, ndërkohë kur në botë dyndet errësira e urrejtjes, që shpesh vjen nga harresa dhe indiferenca. Po, shpesh harresa dhe indiferenca bëjnë që gjithçka të duket e errët dhe e paqartë, ndërsa kultura dhe edukimi ta rikthejnë kujtesën e së kaluarës dhe ta ndriçojnë të tashmen”.
Forca për t'u ringritur përsëri në këmbë
Historia e Gjeorgjisë - shtoi Papa - kujton shumë kalime nga errësira në dritë: "vendi u ngrit gjithnjë në këmbë dhe shkëlqeu përsëri edhe kur, më se një herë gjatë shekujve, u pushtua dhe u sundua nga të huajtë:
“Populli juaj, optimist e djaloshar, mikpritës dhe i dashuruar me jetën, mundi ta ruajë, edhe në kohët më të errëta, qëndrimin pozitiv pikërisht falë fesë dhe kulturës së tij”.
Në shenjën e tunikës së Krishtit
Në këtë kuptim, roli i Kishës Katolike është i çmuar, “farë që jep fryte për të gjithë”. Sipas Françeskut, edukimi i ndihmon të rinjtë të rriten, të zbulojnë dhe kultivojnë rrënjët më të frytshme, që sjellin kështu edhe fenë. Gjeorgjia - vëren Ati i Shenjtë duke kujtuar shtegtimin e tij apostolik të vitit 2016 - është vend i ri, por me histori të lashtë. Vend, që më kujton edhe takimin me Ilinë II, Patriarkun e gjithë Gjeorgjisë:
“I ruaj në zemër takimet që patëm, veçanërisht atë në Katedralen Patriarkale, kur ishim krah për krah në shenjën e petkut së Krishtit; të atij petku, të cilën Ungjilli e përshkruan "të punuar një cope, prej maje e në fund " (Gjn 19, 23) e që, sipas traditës, simbolizon unitetin e Kishës, Korpin e Krishtit”
Krijimi i urave
Në këtë drejtim, Françesku thekson se si Universiteti Sulkhan-Saba Orbeliani përfaqëson një shembull të mirë për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve në fushën kulturore dhe arsimore. “Të krijosh hapësira dhe ura për të mirën e një vendi dhe të popullit të tij” - përfundoi Papa - “është brendashkruar në emrin e Institutit tuaj, kushtuar të madhit Sulkhan-Saba Orbeliani, diplomatit të famshëm gjeorgjian, njeriut me kulturë e çiltërsi të shquar ". "Humanizmi tipik gjeorgjian, në veçantinë dhe bukurinë e tij, meriton të vlerësohet kudo, me artin, letërsinë, muzikën dhe shumë shprehje të tjera të rëndësishme, të cilat mund të pasurohen edhe më shumë përmes ballafaqimit respektues me kulturat e tjera".