Kërko

Françesku, të rinjve kongolezë: jo korrupsionit! Paqja e nesërme është në duart tuaja

Festë e madhe me muzikë, kore, brohoritje, në Stadiumin e Martirëve të Kinshasës, mbushur plot. Papa takohet me të rinjtë kongolezë dhe u këshillon lutjen, bashkësinë, ndershmërinë, faljen dhe shërbimin: pesë aspekte për të arritur paqen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, pa korrupsion, pa drogë, pa okultizëm, pa magji, pa dhunë, pa luftë

R.SH. – Vatikan

Duar të shumta drejt qiellit përshëndetën dhe shprehën gëzimin e të rinjve për Papën Françesku, i cili sot, në ditën e tretë të udhëtimit të tij të 40-të apostolik në Republikën Demokratike të Kongos e në Sudanin e Jugut, u takua me ta në Stadiumin e Martirëve të Kinshasës, mbushur plot: mbi 65 mijë të pranishëm. Muzika dhe duartrokitjet, tamburët dhe flamujt me ngjyra shoqëruan mbërritjen e papamobilit të Atit të Shenjtë. Shprehje e festës dhe e gëzimit ngjitës e të papërmbajtshëm, që u manifestua me këngë, valle dhe kostume tradicionale. “Duam paqe në RD të Kongos” shkruhej në disa parrulla. Françesku i ftoi të gjithë t’i shtrëngojnë dorën fqinjit, duke nënvizuar se nevojiten domosdoshmërisht duart e të gjithëve për të ndërtuar paqen e ardhmërinë më të mirë për Republikën Demokratike të Kongos:

“Falë jush, vendi mund të bëhet edhe një herë kopsht vëllazëror, zemra e paqes dhe e lirisë së Afrikës!”

“I ri”, bëri thirrje Papa, “nga duart e tua mund të dalë paqja, që i mungon këtij vendi”. Forca e secilit qëndron në lirinë për të zgjedhur të mirën, pa lejuar “ta gllabërojë këneta e së keqes”. Nuk ka dy duar njësoj: secila mund të ndërtojë ose të shkatërrojë, të dojë ose të urrejë.

Pesë aspekte

Pesë gishtave të dorës, Papa u lidhi pesë aspekte për arritjen e paqes: lutjen, bashkësinë, ndershmërinë, faljen dhe shërbimin. Edhe pse mund të duket si realitet abstrakt, vërejti Françesku, lutja është arma më e fuqishme, hap mundësi të reja, ndihmon për të kapërcyer frikën dhe për të kujtuar se nuk jemi vetëm. Vërtet, kushdo beson se është i plotfuqishëm, dështon.

“Është si pema pa rrënjë: edhe kur është e madhe dhe e fortë, nuk mund të qëndrojë në këmbë. Për këtë arsye, duhet t’i kemi rrënjët në lutje, në dëgjimin e Fjalës së Zotit, e cila na lejon të zhvillohemi në thellësi çdo ditë, të japim fryte dhe ta shndërrojmë ndotjen që thithim në oksigjen jetësor. Për ta bërë këtë, çdo pemë ka nevojë për një element të thjeshtë dhe thelbësor: ujin. Ja pra, lutja është ‘uji i shpirtit’”.

Parajsa e rreme e egoizmit

Papa i këshilloi të rinjtë të mbështeten në Jezu Krishtin, mik i tyre, që dha jetën në kryq për gjithë njerëzit. Atij, bëri thirrje Françesku, i duhen besuar kryqet e lotët e jetës, shpresat e zemrës, sekretet, plagët, njerëzit e dashur, ëndrrat e zemrës, shoqëria e vendi. Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e bashkësisë, duke i paralajmëruar të rinjtë se vendimet individualiste, zakonisht, lënë një boshllëk të madh shpirtëror.

“Mendoni për drogën: - mori një shembull Ati i Shenjtë - fshiheni nga të tjerët, nga jeta e vërtetë, për t’u ndierë të plotfuqishëm e, në fund të fundit, privoheni nga gjithçka. Mendoni edhe për varësinë nga okultizmi e magjia, që ju mbërthejnë në kurthin e frikës, të hakmarrjes dhe të zemërimit. Mos u magjepsni nga parajsat e rreme egoiste, të ngritura mbi dukjen, mbi fitimet e lehta, ose mbi fenë e shpërfytyruar”.

Forca e bashkësisë

Duke menduar për tribalizmin dhe rajonalizmin afrikan, Ati i Shenjtë u kërkoi të rinjve të mos i shohin të tjerët si armiq, por të mendojnë se janë të gjithë pjesë e së njëjtës bashkësi. Veçanërisht në bashkësinë kishtare, kjo do të thotë afërsi e miqësi me të vuajturit, me të vetmuarit e me të braktisurit: konkretisht, jo vetëm përmes rrjeteve shoqërore.

“Virtualiteti nuk mjafton, nuk mund të kënaqemi vetëm duke u lidhur virtualisht me njerëz të largët apo edhe të rremë. Jeta nuk preket me gishtin në ekran. Është e trishtueshme kur sheh të rinj, që kalojnë orë të tëra para telefonit: pasi pasqyrohen aty, ua shikon fytyrat dhe vëren se nuk buzëqeshin, vështrimin e kanë të lodhur e të mërzitur. Asgjë dhe askush nuk mund ta zëvendësojë forcën e bashkësisë, dritën e syve, gëzimin e bashkëndarjes!”

Kisha është tifoze me ju, u tha Papa të rinjve kongolezë, të cilëve u këshilloi t’u drejtohen shenjtorëve në qiell për ndihmë, duke përmendur disa të Lumë, “dëshmitarë të fesë, martirë që nuk u dorëzuan para logjikës së dhunës”. Në mesin e turmës, shihej qartë parrulla: “Shenjtorë menjëherë”.

Ndershmëri, për ta mposhtur korrupsionin

Ndër pesë aspektet, që Papa i lidhi me gishtat e dorës, një nga më të rëndësishmet është, pa dyshim, ndershmëria, pjesë e identitetit të krishterë. Të jesh i ndershëm, vërejti Françesku, do të thotë t’i largohesh korrupsionit, që duket se po përhapet pa pushim, por mund të ndalet.

“Mos lejoni t’ju mposhtë e keqja: - ngriti zërin Ati i Shenjtë – mos lejoni t’ju manipulojnë individë a grupe, që përpiqen t’ju shfrytëzojnë për ta lënë vendin në spiralen e dhunës e të paqëndrueshmërisë, sepse kështu, mund ta kontrollojnë pa pyetur për askënd. Mposhteni të keqen me të mirë: ju duhet të jeni transformuesit e shoqërisë, shndërruesit e së keqes në të mirë, të urrejtjes në dashuri, të luftës në paqe”, tha Papa, në mesin e këngëve e të thirrjeve “Mjaft me korrupsionin!”.

Françesku kujtoi të riun kongolez, Floribert Bwana Chui, i cili, 15 vite më parë, u vra në Goma, sepse bllokoi kalimin e ushqimeve të skaduara. Zgjodhi ndershmërinë, vërejti Ati i Shenjtë, duke i këshilluar të rinjtë të mos marrin para të lara me gjak nga ata, që premtojnë favore e pasuri, por të zhytin më thellë në kënetën e së keqes.

Shërbimi është pushtet, që e shndërron botën

Papa foli më pas për faljen, forcë, që të shtyn përpara, pa e harruar të kaluarën problematike, por duke u impenjuar që ajo të mos përsëritet e duke e ndryshuar kështu historinë. U kërkoi të rinjve një minut heshtje, për të menduar ata, që i kanë fyer e për t’u munduar t’i falin. E pas faljes, vjen shërbimi për të tjerët, i vetmi pushtet, që e shndërron botën. Ashtu si gishti i vogël i dorës - i fundit, që komentoi Françesku me të rinjtë në Stadiumin e Martirëve të Kinshasës - “kush shërben bëhet i vogël”.

“Mos u shkurajoni kurrë! – kjo, thirrja përfundimtare e Atit të Shenjtë – Kur shkurajoheni, merreni në dorë Ungjillin, Jezu Krishti do t’ju japë forcë”.

02 shkurt 2023, 10:37