Festë e madhe në Kinshasa: më shumë se një milion vetë me valle e këngë për Papën
R.SH. / Vatikan
Disa fjetën dy netë me radhë në sheshin e blertë të Aerodromit Ndolo, buzë lumit Funa, për të siguruar kështu vendet e para pas barrierave dhe, ndoshta, për ta përshëndetur nga afër "Père François"(Atë Françeskun). Vinin nga Kinshasa, por edhe nga Brazaville dhe qytete apo vise të tjera fqinje. "Vive le Pape, vive le Pape!"- brohorasin, duke valëvitur flamujtë me portretin e Papës, pa i ndërprerë lëvizjet e shpatullave dhe të ijeve me ritmin e këngëve të korit të madh që, me kitarrat elektrike dhe pianolën sintetike, i vijon provat që nga ora 7 e mëngjesit. Më shumë se një milion besimtarë janë në pritje të meshës së parë "për paqen dhe drejtësinë e Françeskut" në Republikën Demokratike të Kongos, kremtuar sipas Mesharit Romak për dioqezat e Zairesë.
Për t’u krijuar njerëzve mundësinë të marrin pjesë në Meshë, autoritetet qeveritare e shpallën ditën e sotme festë kombëtare. Shkollat dhe bizneset u mbyllën. Njoftimi u bë dje pasdite në mediat shtetërore nga ministri i Komunikacionit dhe Medias, Patrick Mu:
“Është vizitë historike dhe simbolike për ne. Jemi të lumtur për ardhjen e Papës! Ju i patë dje miliona kongolezët që ishin rrugës për t’i uruar mirëseardhjen… Mbetëm shumë të kënaqur nga fjalimi që mbajti dje, sepse ishte shumë i qartë e edhe Papa foli ashpër! Shpresojmë se kush e dëgjoi, e pranoi mesazhin e tij dhe do të punojë për kthimin e paqes në Republikën Demokratike të Kongos”.
Baticë njerëzore
Në N'Dolo, një port dytësor në komunën e Barumbu, në veri të Kinshasës, vërshon një valë njerëzore: gra me rroba tradicionale të stolisura me simbole fisnore, foto të Papës dhe fraza nga Ungjilli e burra me veshje të ndritshme, uniforma apo këmisha, të rinj, por edhe të moshuar me çadra për t'u mbrojtur nga dielli, fëmijë me gishtin e madh në gojë. Pastaj murgeshat dhe priftërinjtë. E kështu në fillimin, e deri në përfundim të kësaj Meshe të jashtëzakonshme
Të gjithë, në të dyja anët e altarit, me dy pëllumba të bardhë dhe mbishkrimim "Tous réconciliés en Jésus-Christ”. “Të gjithë të pajtuar në Jezu Krishtin”, motoja e udhëtimit të 40-të apostolik.
“Jemi të lumtur, Papa është këtu me ne!” – brohoret turma e pafundme!