Kërko

TURKEY EARTHQUAKE TURKEY EARTHQUAKE 

Dhimbja e Papës për tërmetin shkatërrues në Siri dhe Turqi

Papa Françesku u dërgon nuncëve Zenari dhe Solczyński dy telegrame, përmes të cilave shpreh ngushëllimet për viktimat e tërmetit të furishëm që lëkundi mbrëmë vendin, me epiqendër në Kahramanmaras. Papa i siguron për lutjet e tij kushtuar të vdekurve dhe familjeve të tyre dhe falënderon personelin e urgjencës, të përfshirë në përpjekjet e ndihmës.

R. SH. - Vatikan

E thellë, dhimbja që Papa Françesku, i kthyer dje nga shtegtimi në Afrikë, shpreh për vdekjen dhe plagosjen e mijëra njerëzve nga tërmeti i furishëm  dhe i papritur, që goditi zonën e Kahramanmaras, ndërmjet Turqisë dhe Sirisë. Tani për tani numërohen më se 1600 të vdekur, të cilët humbën jetën nën rrënojat, shkaktuar nga lëkundjet e vazhdueshme që nisën nga ora 2:17 e së hënës mbrëma, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme edhe në trashëgiminë kulturore të vendit. Dy lëkundjet më të forta arritën magnitudën 7.8 dhe 7.5 ballë.

Një mendim për Turqinë

Në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar nunciut në Turqi, imzot Marek Solczyński, Papa Françesku shpreh "pikëllimin e thellë" për "humbjen e madhe të jetëve njerëzore" shkaktuar nga tërmeti në juglindje të vendit. Papa i siguron "për afërsinë e tij shpirtërore gjithë të prekurit" dhe ia beson "të vdekurit, mëshirës së të Plotfuqishmit", duke u shprehur ngushëllime "atyre, që vajtojnë humbjen e të shuemëve". Papa i drejton një mendim edhe personelit të urgjencës, aktiv në këto orë mes ndërtesave të shembura dhe qyteteve të rrafshuara, “që të mbështeten nga dhuratat hyjnore të forcës dhe të këmbënguljes, në kujdesin për të plagosurit dhe në përpjekjet për shpëtim jetësh, në vijim”.

Në lutje për Sirinë, “që vijon të vuajë”

Në lutjen për Sirinë “e shumëvuajtur” Papa Françesku më pas i drejtohet nuncit në Damask, kardinalit Mario Zenari, me të njëjtat ndjenja. Në një telegram tjetër, gjithnjë me nënshkrimin e kardinalit Parolin, Papa pohon se është "thellësisht i pikëlluar" për të vdekurit nga tërmeti i vrullshëm në zonën veriperëndimore të Sirisë. E edhe se  “lutet për shpirtrat e të shuarve dhe për të gjithë ata që i vajtojnë” duke ia besuar “provanisë hyjnore të Të Gjithëpushteshmit njerëzit e prekur nga kjo katastrofë”. Kujton në lutje edhe personelin e urgjencës, që po jep një ndihmë tejet të çmuar në këto orë e, "si shenjë  të solidaritetit të tij shpirtëror", kërkon për popullit sirian "prej kohe i shumëvuajtur”, "bekimin hyjnor të forcës e të paqes!”.

06 shkurt 2023, 15:11