Dhimbja e Françeskut për viktimat e mbytjes së anijes në bregdet
R. SH. - Vatikan
“Sot në mëngjes mora me dhimbje lajmin për mbytjen e anijes në bregun kalabrez pranë Crotone-s. Tashmë janë gjetur 40 të vdekur, duke përfshirë edhe shumë fëmijë. Lutem për secilin prej tyre, për të zhdukurit dhe për emigrantët e tjerë, të cilët mbijetuan. I falenderoj ata që sollën ndihma si dhe ata, që po i mirëpresin. Zoja i ndihmoftë këta vëllezër e motra tona”.
Pas kremtimit të Lutjes së Engjëllit, Papa i përshëndeti besimtarët dhe u largua me zemër të thyer për anijen e mbytur mëngjesin e sotëm në brigjet e Crotone-s, e sidomos për fëmijët e shumtë, që i përpiu deti.
Në kërkim të të zhdukurve
Tragjedia këtë herë ndodhi pranë Steccato di Cutro. Këtu 57 të mbijetuarit e gjetur, të lodhur, të lagur dhe të frikësuar, si dolën në plazh u treguan shpëtimtarëve se anija e peshkimit, me të cilën po lundronin, së bashku me shumë njerëz të tjerë, burra, gra dhe fëmijë, në një farë kohe, në sa moti keqësohej e detit tërbohej, u ça përgjysëm. Sipas dëshmisë së tyre, në varkë ndodheshin rreth 250 persona, ndërsa sipas autoriteteve lokale, mund të ishin rreth 150-180, kryesisht nga Irani, Pakistani dhe Afganistani. 21 të mbijetuar, në gjendje të rëndë, u transferuan në spitalin e Crotone-s, ndërsa kërkimet për të zhdukurit në det vazhdojnë, por me vështirësi të jashtëzakonshme për shkak të kushteve atmosferike.
Dhimbja e bashkësisë së qytetit
"Ishte zgjim i keq, i cili duhet ta revoltojë bashkësinë, që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më" - shkruan në Twitter kreu i Kryqit të Kuq Italian, Rosario Valastro: "Ajo që ndodhi në Steccato di Cutro, është tragjedi”. “Ndërsa vijojnë ende kërkimet, lajmet e arritura tashmë janë dramatike", pohon kryebashkiaku i Crotone-s, Vincenzo Voce. “Në këto çaste të gjithë banorët e qytetit i bashkon një dhimbje e thellë. Morëm menjëherë masa përmes Qendrës Komunale Operative të Mbrojtjes Civile, për t’i dhënë mbështetjen tonë Forcave të Policisë, Zjarrfikësve, Kryqit të Kuq dhe të gjithë atyre, të cilët po japin ndihmesën në vendin e tragjedisë, në këto orë të ngarkuara me dhimbje të thellë”.