Afërsia e Papës me dramat në Tokën Shenjte, Ukrainë dhe Burkina Faso
R. SH. - Vatikan
Urrejtja e mundur nga dialogu në Tokën Shenjte, afërsia me ata që kanë humbur gjithçka në Siri dhe Turqi, të goditur nga tërmeti shkatërrues, dhimbja për Ukrainën e rrënuar nga një vit lufte e, në fund, edhe shqetësimi për përshkallëzimin e dhunës në Burkina Faso. Papa Françesku nuk i harroi, në përfundim të lutjes mariane, zonat e nxehta të planetit. Së pari kujtoi Tokën Shenjte ku, të mërkurën e kaluar, më 22 shkurt, një raketë izraelite e flakur mbi Nablus, në Bregun Perëndimor pas vrasjes së një ushtari izraelit, shkaktoi vdekjen e 11 palestinezëve:
“Vijojnë të vijnë lajme të dhimbshme nga Toka Shenjte. Shumë njerëz të vrarë, e edhe fëmijë. Si mund të ndalohet kjo spirale dhune? Përsëris thirrjen që dialogu të ketë epërsi mbi urrejtjen dhe hakmarrjen e i lutem Zotit që palestinezët dhe izraelitët të gjejnë rrugën e vëllazërisë dhe të paqes edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare”.
Rruga e paqes në Burkina Faso
Françesku shprehu shqetësimin e tij të thellë edhe për situatën në Burkina Faso, ku vazhdojnë sulmet terroriste. Ditët e fundit, një sulm i pranuar nga ISIS, shkaktoi vdekjen e rreth 50 ushtarëve, ndërsa kundërsulmi pasues, sipas vendimit të qeverisë, vdekjen e rreth 160 terroristëve. E Papa na nxit:
“Ju ftoj të luteni për popullatën e atij vendi të dashur, që dhuna e pësuar të mos shkaktojë humbjen e besimit në rrugën e demokracisë, të drejtësisë dhe të paqes”.
Të mos e harrojmë Ukrainën, Sirinë, Turqinë
Një vit pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, kujtuar këto ditë, Papa na fton të mos shikojmë nga ana tjetër, por të bëjmë tonën jetën që po jetohet në vende si Siria dhe Turqia, të rrënuara nga tërmeti shkatrrimtar i datës 6 shkurt:
“Të mos e harrojmë tragjedinë e luftës në Ukrainë, u bë një vit që luftohet. E të mos e harrojmë as dhimbjen e popullit sirian dhe turk për tërmetin”.
Së fundi, Françesku kujtoi edhe 50-vjetorin e themelimit të AIDO-s, Shoqatës Italiane për dhurimin e organeve, indeve dhe qelizave, lindur më 26 shkurt 1973, në Bergamo, duke e falënderuar për angazhimin solidar. “Ju bëj thirrje - kujtoi - të vazhdoni ta mbroni jetën përmes dhurimit të organeve”. Më pas, përshëndetja drejtuar jo vetëm shtegtarëve, ardhur nga vende të ndryshme të botës, por edhe atyre që ndodheshin në Sheshin e Shën Pjetrit me rastin e ditës së ardhshme të sëmundjeve të rralla nga të cilat vuajnë 300 milionë njerëz në mbarë botën:
“Përsëris inkurajimin tim për Shoqatat e të sëmurëve dhe të familjarëve: të mos u mungojë, posaçërisht fëmijëve, afërsia jonë, për t'i bërë kështu që ta ndiejnë dashurinë dhe dhembshurinë e Zotit”.