Kërko

Konflikt i ri në Tokën Shenjte Konflikt i ri në Tokën Shenjte 

Toka Shenjte, dhimbja e Françeskut: të gjenden pa vonesë shtigjet e paqes!

Spiralja e vdekjes nuk bën gjë tjetër, veçse shuan dita-ditës ato pak vezullime besimi, që ekzistojnë ndërmjet dy popujve. Kështu u shpreh Françesku pas lutjes mariane të Engjëllit, duke kujtuar lajmin e shkallëzimit të dhunës, që vjen nga Toka Shenjte.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit, mendimi i Papës Françesku shkoi në Tokën Shenjte dhe, thellësisht i pikëlluar, kujtoi në veçanti vdekjen e dhjetë palestinezëve dhe të një gruaje, vrarë gjatë sulmeve ushtarake izraelite kundër terrorizmit, në Palestinë. Kujtoi edhe ngjarjen e hidhur pranë Jeruzalemit të premten mbrëmje, kur shtatë hebrenj izraelitë u vranë nga një palestinez dhe tre u plagosën ndërsa dilnin nga sinagoga.

Spiralja e vdekjes mbyt vezullimet e pakta të besimit

“Spiralja e vdekjes, e cila rritet dita-ditës, nuk bën gjë tjetër veçse mbyll ato pak vezullime besimi, që ekzistojnë ndërmjet dy popujve”.

Papa kujtoi se "dhjetëra palestinezë u vranë në përleshjet me ushtrinë izraelite që nga fillimi i vitit":

“U bëj thirrje dy qeverive dhe bashkësisë ndërkombëtare të gjejnë, menjëherë e pa vonesë rrugë të tjera dialogu dhe kërkimi të sinqertë të paqes. Të lutemi për këta vëllezër e motra”.

Masa të ngutshme, për ata që mbështesin terroristët

Ndërkohë, qeveria izraelite paralajmëroi se do të marrë masa të reja, që u heqin disa të drejta “familjeve të terroristëve”. Masat u morën pas dy shpërthimeve në Jeruzalemin Lindor, gjatë njërit prej të cilëve të premten në mbrëmje u vranë shtatë vetë. Duke u takuar urgjentisht, kabineti i sigurisë "mori një sërë masash për t'i bërë terroristët dhe ata që i mbështesin të paguajnë haraçin", njofton Ansa. Parashikohet heqja e të drejtave të sigurimeve shoqërore të “familjeve terroriste”. Për më tepër, Këshilli i Ministrave do të shqyrtojë një projekt-ligj, që synon revokimin e "kartave izraelite të identitetit" të cilat u përkasin ende familjeve të terroristëve. “Reagimi ynë do të jetë i fortë, i shpejtë dhe i saktë”, deklaroi kryeministri Benyamin Netanyahu duke hapur mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes, në Tel Aviv. "Ne do t’i vulosim dhe do t’i shkatërrojmë shtëpitë e terroristëve me një proces të shpejtuar për të kërkuar - shpjegoi ai -  haraçin nga ata që e mbështesin terrorizmin". “Nuk duam shkallëzime, por jemi gati për çdo skenar të ri” - vijoi ai - duke kujtuar se do të diskutohen edhe masa të tjera, përfshirë zgjatjen e lejeve për mbajtjen e armëve të zjarrit.

Sulm i ri dje në Jeruzalem, BE: dhunë e çmendur

Ndërkohë dje, në Jeruzalem, dy izraelitë, atë e bir, mbetën të plagosur nga sulmi i kryer prej një 13-vjeçari palestinez. Të paktën 42 persona u arrestuan nga policia pas sulmit terrorist të së premtes mbrëma, përpara një sinagoge. Gjendja e alarmit u shtri në të gjithë vendin, me vendosjen e mëtejshme të forcave në Bregun Perëndimor dhe garnizonit të vendeve publike në Izrael. BE-ja është e “tronditur”. Përfaqësuesi i saj i lartë për politikën e jashtme, Josep Borrell, foli për “akte të çmendura dhune dhe urrejtjeje”.

Udhëheqja palestineze akuzon Izraelin për përshkallëzim në terren

Dje, me një minutë heshtje, u nderuan viktimat dhe të plagosurit nga bombardimet e dyfishta palestineze në Jerusalem. Ishte e shtuna e tretë e demonstratave antiqeveritare në Tel Aviv, si përgjatë Viale Kaplan ashtu edhe në sheshin qendror Habima. Demonstrata të ngjashme në Haifa.

Udhëheqja palestineze e Abu Mazen e konsideron Izraelin "plotësisht përgjegjës për përshkallëzimin e rrezikshëm në terren" dhe do të vazhdojë "të zbatojë vendimet e marra" duke përfshirë përfundimin e Koordinimit të Sigurisë". Lajmin e jep Agjencia Wafa, sipas së cilës “duhet paralajmëruar qeveria pushtuese që të mos vazhdojë kjo gjendje, e cila do të çojë në keqësimin e mëtejshëm, duke kërcënuar sigurinë e të gjithë rajonit". Njëkohësisht, bashkësisë ndërkombëtare dhe administratës amerikane iu kërkua "ta detyrojnë qeverinë izraelite t’i ndërpresë veprimet e saj të njëanshme".

29 janar 2023, 13:43