Kërko

Ukrainë: një urë e shkatërruar. Ukrainë: një urë e shkatërruar. 

Perëndimi shpejton ndihmën ushtarake për Ukrainën, Gjermania mohon tanket

Në samitin e Ramstein, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët vendosën ta furnizojnë sërisht Ukrainën me armë të rënda. Berlini frenon dërgimin e tankut "Leopard 2". Në terren vijojnë dhjetra sulme ruse.

R. SH. - Vatikan

Në bazën ushtarake Ramstein u takuan "53 aleatë dhe partnerë". Të gjithë dhanë kontributin e tyre për furnizimin e jashtëzakonshëm të Ukrainës me armë dhe mjete të blinduara. Sipas Shteteve të Bashkuara, kjo paketë ndihme do t'i mundësojë Kievit të nisë kundërofensivën pranverore.

Berlini mohon leopardët

Përveç artilerisë së rëndë dhe mbrojtjes ajrore, do të dërgohen qindra tanke, por do të mungojnë Leopardët 2 gjermanë, të kërkuar me zë të lartë nga qeveria ukrainase. Berlini nuk e ka votuar ende ligjin që zhbllokon dërgimin e tankeve. Në një intervistë për shtypin, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, u bëri thirrje të gjithë aleatëve ta vazhdojnë të bashkuar ndihmën dhe t’i furnizojnë tanket.

27 sulme ruse

“Kemi nevojë për tanke, nuk kemi kohë më, duhet të veprojmë shpejt” - pohoi presidenti Zelensky përmes një video-lidhjeje. Nga ana e saj, Rusia, përmes zëdhënësit të Kremlinit, Peskov, e zvogloi angazhimin e Perëndimit, duke e quajtur iluzion dramatik, që nuk do të ketë sukses për Ukrainën. Përkundrazi, do t’i krijojë probleme të reja. Ndërkohë nuk reshtin luftimet në terren: në 24 orët e fundit forcat e Moskës e sulmuan 27 herë rajonin Sumy. Megjithatë, sipas forcave ukrainase, Rusia po pëson humbje të mëdha: që nga fillimi i konfliktit u vranë më shumë se 120,000 ushtarë rusë! Po a mund të mburresh për të vrarët? Pavarësisht nga pala, së cilës i përkasin?

22 janar 2023, 14:58