Kërko

Papa Françesku priti në audiencë Urdhrin Sovran të Maltës, në përfundim të Kapitullit të tij të Përgjithshëm Papa Françesku priti në audiencë Urdhrin Sovran të Maltës, në përfundim të Kapitullit të tij të Përgjithshëm

Papa, Urdhrit të Maltës: ecni përpara në misionin tuaj, besnikë ndaj Krishtit

Papa Françesku priti në audiencë Urdhrin Sovran të Maltës, në përfundim të Kapitullit të tij të Përgjithshëm dhe i inkurajoi anëtarët të ecin përpara në misionin e tyre, pas zgjedhjes së krerëve, duke i qëndruar gjithmonë besnikë Krishtit

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku u takua sot me anëtarët e Urdhrit të Maltës, në përfundim të Kapitullit të tyre të Përgjithshëm, për të përshëndetur krerët e rinj dhe anëtarët e Këshillit, zgjedhur gjatë tij.

“Që sot, rifilloni me hov të ri, impenjimin tuaj për tuitio fidei dhe obsequium pauperum (mbrojtjen e fesë dhe shërbimin ndaj të varfërve), duke dhënë falas, ç’keni marrë falas dhe duke dëshmuar se ndjekja e Krishtit në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve është rrugë, që ta mbush shpirtin”, u tha atyre Ati i Shenjtë.

Papa vuri në dukje se në përgjigje të ftesës së tij dhe të rregullave të Kartës Kushtetuese e të Kodit Melitens, “trajtuat çështjen e rithemelimit të jetës në bashkësi, sipas frymës së zanafillës, si edhe respektimin e plotë të kushtit solemn të varfërisë”. Sidomos ata, që hyjnë në jetën rregulltare, e kanë të detyruar të jetojnë në bashkësi, gjë që nuk ishte e detyrueshme më parë. Françesku vlerësoi vendimin për të rihapur noviciatin, me shpresën se “ata do të shtohen së shpejti”. Pasi në shtator pati emëruar drejtuesit për një qeverisje të përkoshme të Urdhrit, i cili kishte nevojë për rinovim, Ati i Shenjtë, tani që anëtarët zgjodhën krerët e rinj në Kapitullin e Përgjithshëm, nënvizoi se për ta mbajtur gjallë veprën e vyer të tij, “duhet të lutemi që Zoti të dërgojë ‘punëtorë të mirë’” në vreshtin e vet, në çdo nivel të Urdhrit, por sidomos të dërgojë thirrje për rregulltarë, që e jetojnë dhe e shprehin me fund vokacionin e Shën Gjon Pagëzuesit, nga i cili merr emrin. Vërtet, kujtojmë se Urdhri quhet Urdhri Sovran Ushtarak Spitalor i Shën Gjonit i Jeruzalemit, Rodit e Maltës.

Ç’e dallon Urdhrin e Maltës

Së fundi, Papa Françesku nënvizoi aspektet, për të cilat dallohen anëtarët e tij. Urdhri, vërejti ai, është së pari, sovran:

“Është fjala për një sovranitet shumë të veçantë, fituar gjatë shekujve dhe konfirmuar nga Papët. Ai ju jep mundësinë të bëni gjeste bujare dhe impenjative solidariteti, duke u qëndruar pranë më nevojtarëve, nën mbrojtjen ligjore diplomatike ndërkombëtare”.

Së dyti, Urdhri i Maltës është ushtarak, theksoi Ati i Shenjtë, pasi ka mbrojtur e mbron shtegtarët në Vendet e Shenjta të krishtërimit. Sot, armët e dikurshme, vërejti Papa, ia kanë lënë vendin dialogut ndërfetar e dëshmisë së Ungjillit, në luftë me gjithçka i kundërvihet atij. Së treti, Urdhri është spitalor, pasi e ka zanafillën në shërbimin e të Lumit Gerard, murgut të krishterë italian, i cili e themeloi në vitin 1099, që anëtarët e tij të kujdeseshin për shtegtarët drejt Jeruzalemit, duke ngritur një spital kushtuar Shën Gjon Pagëzuesit, që u bë edhe Pajtor i Urdhrit.

“Duke u kujdesur për të sëmurët – pohoi Papa – ju shihni në secilin prej tyre fytyrën e vuajtur të Krishtit, pavarësish nga prejardhja, kombësia e feja. Atëherë, kur u bëheni të afërt me dhembshuri e butësi, - janë tri mënyrat e veprimit të Zotit: afërsi, dhembshuri e butësi - ju vetë identifikoheni me Jezusin, Samaritanin e Mirë. Të mos harrojmë: veprat duhen organizuar e administruar mirë, por sidomos, duhet të jenë shenjë e bamirësisë së Krishtit”.

30 janar 2023, 12:38