Papa: të mos i përjashtojmë lebrozët, të krijojmë një shoqëri për të gjithë
R.SH. - Vatikan
“Të mjekosh lebrën, do të thotë të jesh Samaritan i Mirë që "përkulet për të shëruar më të ligshtit, për t’u rikthyer të drejtat dhe dinjitetin e tyre të mohuar". Samaritanë të mirë i quan Françesku edhe pjesëmarrësit në Simpoziumin II për sëmundjen e Hansenit, që vijon deri nesër pranë Institutit Patristik Augustiniaum. Titullohet: “Mos e lini askënd prapa”. Atyre u drejtohet Papa me një mesazh falënderimi për angazhimin ndaj njerëzve të prekur nga kjo patologji, "shpesh të harruar dhe të flakur tutje nga shoqëria", duke kujtuar edhe 70-vjetorin e afërt të Ditës Botërore të Lebrës, themeluar në vitin 1953 nga Raul Follereau "që të sensibilizonte opinionin publik për një sëmundje, të cilën shumëkush e kujton si të zhdukur":
“Çka duhet të na shqetësojë, sot më shumë se kurrë, është se mund të harrohet jo vetëm sëmundja, por edhe të sëmurët!”.
Varra e lebrës
Papa nënvizon se si gjatë historisë varra lidhej gjithnjë me lebrën apo gërbulën, me pasojë "shkeljen serioze të të drejtave të njeriut në të katër anët e botës". Vë theksin edhe mbi rrezikun, të cilin e kujton në Fratelli tutti: atë të analfabetizmit, që duhet pasur parasysh “gjatë shoqërimit, mjekimit dhe mbështetjes të të ligshtëve nga shoqëritë tona të zhvilluara”:
“Nuk mund t'i harrojmë këta vëllezër dhe motra tona. Nuk duhet ta injorojmë këtë sëmundje, e cila fatkeqësisht prek ende shumë njerëz, veçanërisht në rrethanat shoqërore më të pafavorizuara”.
Rishikoni modelet e zhvillimit
Françesku bën thirrje që Dita Botërore e Lebrës të jetë pika fillestare për rishikimin e "modeleve të zhvillimit" dhe për "korrigjimin e diskriminimit që shkaktojnë":
“Ky është rast i përshtatshëm që të ripërtëritet angazhimi ynë për ndërtimin e një shoqërie, e cila u përket të gjithëve e nuk lë askënd në skutat e saj”.
Të shoqërohen proceset e përfshirjes
Nuk mjafton vetëm denoncimi - vazhdoi Papa - “duhet të shoqërohet gjithmonë me një propozim”, që të jetë sintezë e së mirës dhe vizioneve profetike, e të “frymëzojë një bamirësi të strukturuar dhe një bashkëjetesë më të drejtë”:
“Në këtë është i çmuar kontributi juaj, nxitja dhe ndihma që u jepni kishave vendase, në mënyrë që ato të jenë përkrah njerëzve të cilët flaken jashtë rradhëve dhe të dinë të shoqërojnë energjikisht proceset e përfshirjes dhe të zhvillimit integral njerëzor”.
Të krishterët, në vijë të parë për integrimin
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes - kujtoi akoma Papa - është si të bashkëpunojmë me njerëzit e prekur nga gërbula, duke i njohur ata "si protagonistët kryesorë në luftën për të marrë pjesë në të drejtat themelore të njeriut dhe për të jetuar si anëtarë të plotë të bashkësisë". Shpresohet se, pikërisht nga konferenca në vazhdim, mund të dalin "masa që mund të merren në promovimin e mëtejshëm të respektit për dinjitetin njerëzor":
“U shpreh afërsinë time atyre që vuajnë nga sëmundja e Hansenit dhe i inkurajoj të vazhdojnë të përpiqen, që të mos u mungojë mbështetja shpirtërore dhe kujdesi shëndetësor. Bashkësitë e krishtera duhet të ungjillëzohen nga këta vëllezër dhe motra dhe të jenë në vijën e parë të këtyre përpjekjeve për integrimin e tyre të plotë”.