Kërko

Papa: të lutemi për edukatorët, dëshmitarë të besueshëm e mësues të vëllazërimit

Në videon me ndjetin e lutjes për muajin janar kushtuar edukatorëve, publikuar sot nga Rrjeti Botëror i Lutjeve, Françesku propozon t’u shtohet lëndëve mësimore edhe mësimi i vëllazërimit, “në vend të konkurrencës”. Duke ndihmuar në veçanti “të rinjtë më në rrezik”. Edukatori, shpjegon ai, “është dëshmitar, që nuk dhuron thjesht njohuri”, por “impenjimin e tij të jetuar”

R.SH. - Vatikan

“Dëshiroj t’u propozoj edukatorëve që mësimdhënies t’i shtohet një lëndë e re: vëllazërimi”. Kështu nis lutja e Papës Françesku për muajin janar, kushtuar edukatorëve, që ata “të jenë dëshmitarë të besueshëm, t’u mësojnë [nxënësve] vëllazërimin dhe jo konkurrencën dhe të ndihmojnë veçanërisht të rinjtë më në rrezik”. Në videon e parë të vitit 2023, publikuar për të tetin vit radhazi nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, Françesku përsërit rëndësinë e veprimtarive edukative në tërësinë e tyre, duke nënvizuar se mësimdhënia nuk ka të bëjë vetëm me përmbajtjen, por shkon shumë më tej.

Edukimi: akt dashurie që ndriçon rrugën

Për Papën, edukimi “është një akt dashurie që ndriçon rrugën, që të jemi në gjendje ta ndiejmë vëllazërimin, për të mos injoruar më të pambrojturit”.

“Edukatori është dëshmitar, që nuk dhuron thjesht njohuri intelektuale, por bindjet e tij, impenjimin e tij të jetuar”.

Edukoni, duke përdorur trurin, zemrën dhe duart

Edukatori, sipas Papës Françesku, është “një person që di të përdorë mirë tri gjuhë: atë të trurit, atë të zemrës dhe atë të duarve, të harmonizuara” ndërmjet tyre e duke shfaqur gëzim në këtë komunikim. Duke bërë kështu, nënvizon Ati i Shenjtë, edukatorët “do të dëgjohen me më tepër vëmendje dhe do të jenë në gjendje të krijojnë bashkësi”. “Edukim – pati thënë Papa në prill të vitit të kaluar, duke pritur një delegacion të ‘Projektit të Punonjësve Kërkimorë Globalë për Përparimin e Edukimit Katolik’ – do të thotë të rrezikosh pak në tensionin, që krijohet ndërmjet trurit, zemrës dhe duarve: në harmoni, deri në atë pikë sa ta mendoj çka ndiej e bëj; ta ndiej çka mendoj e bëj; ta bëj çka ndiej e mendoj. Kjo është harmonia”. Edukatorët mund të krijojnë bashkësi, shpjegon Françesku, pikërisht “sepse e përhapin këtë dëshmi”.

“Të lutemi – kërkon Papa - që edukatorët të jenë dëshmitarë të besueshëm, duke mësuar vëllazërimin në vend të konkurrencës dhe duke ndihmuar në veçanti të rinjtë më në rrezik”.

Një shkollë, një fushë futbolli, një mësues

Videoja e Papës për janarin, e cila fillon me fjalën “vëllazërim”, shkruar në një dërrasë të zezë sikur të ishte lëndë mësimore, i shoqëron fjalët e Françeskut me pamje nga një histori shkolle. Një djalë, i mënjanuar nga shokët e skuadrës gjatë ndeshjeve të futbollit, rri i vetmuar në një cep derisa një nga mësuesit, që e kupton problemin e tij, vendos të kujdeset për të. Nuk e bën me fjalë, por me dëshminë e jetës: rri me të ditë për ditë dhe, me pasion e vazhdimësi, e mëson të luajë. Derisa një mëngjes e gjen bashkë me po ata shokë të klasës, që nuk e pranonin më parë: luan me ta dhe, kur shënon golin e parë, ia kushton mësuesit, dëshmitarit të besueshëm që e ndihmoi.

Vëllazërimi, udha e vetme e njerëzimit

Edhe një herë, përballë sfidave të botës, Papa Françesku ngul këmbë në vëllazërimin, që është busulla e enciklikës së tij “Fratelli tutti”. E konsideron si të vetmen udhë për njerëzimin, prandaj, e propozon edukimin si thelbësor, sipas shembullit të Jezu Krishtit, që u transmetoi të tjerëve gjithçka përjetoi personalisht. Natyrisht, kjo kërkon koherencë në jetë, kërkon që fjalët të ndiqen nga veprat. Është hir, për të cilin Papa na fton t’i lutemi Zotit.

10 janar 2023, 16:03