Papa: sporti mund të promovojë paqen dhe miqësinë
R.SH. / Vatikan
Në sport "nuk ekziston vetëm përmasa individuale, por edhe, e kryesisht, ajo e grupit", sepse lojtarët e një ekipi "janë si gjymtyrë të një trupi". Në volejboll në veçanti "është ngritja, pasimi drejt partnerit që ka për detyrë të finalizojë aksionin. Nuk je kurrë vetëm, është gjithmonë dikush që duhet për të shërbyer". Papa ua përcolli këtë reflektim anëtarëve të Federatës Italiane të Volejbollit, rreth 300 vetë, të cilët i priti sot në Vatikan.
Sporti, në shërbim të njeriut
Fillimisht, Papa kujtoi sesi, së bashku me Sekretariatin e Përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore Italiane, Federata e Volejbollit po ndërmerr një proces për përhapjen e vlerave edukative të sportit në të gjithë territorin e edhe ndërmjet klubeve sportive:
“Rrugë e një perspektive të gjithanshme, që me teknikën bashkon mundësinë për të dhënë çfarë ke më të të mirë, si në veprimtarinë konkurruese, ashtu edhe në jetë. Sporti duhet të jetë gjithmonë në shërbimin e njeriut dhe të shoqërisë, jo të interesave apo logjikave të pushtetit”.
Shërbimi dhe pritja
Në vijim Papa kujtoi pesë bazat e volejbollit, duke nisur nga shërbimi:
“Së pari, shërbimi, i cili është gjuajtja e parë që nis lojën. Në ndeshje, si në jetën e përditshme, duhet marrë nisma, duhet të marrësh pjesë, të përfshihesh. Nuk duhet të rrish kurrë i ngrirë! Sporti mund të ndihmojë shumë për të kapërcyer ndrojtjen dhe brishtësinë, për t’u ndërgjegjësuar, për të qenë protagonistë”.
Në vijim Françesku u ndal tek tek pritja, që vjen pas shërbimit e akoma kujtoi sesa e çmuar është figura e trajnerit që, duke e njohur talentin e sportistëve, i përgatit të japin të gjitha frytet e mundshme.
Duke kujtuar se si njeriu nuk është kurrë vetëm në sport dhe në jetë, Papa foli më pas për tiparin e tretë themelor të volejbollit, grupin:
Nuk je kurrë vetëm, është gjithmonë dikush për t'u shërbyer. Nuk është vetëm përmasa individuale, sepse ju jeni pjesë e një grupi: të gjithë janë të thirrur të japin kontributin e tyre që të fitojnë së bashku:
"Në një botë ku njeriu përdor brrylat dhe kërkon të duket me çdo kusht, ku ‘vetja’ vjen para ‘të tjerëve’ - vazhdoi Françesku - ku të ligshtit dhe të ngathtët përjashtohen, sporti mund të jetë një shenjë bindëse e unitetit, e integrimit dhe mund të përcjellë një mesazh të fortë paqeje dhe miqësie”. Papa, më pas, nënvizoi sesi veprimi sulmues është sigurisht vendimtar, por sporti është i thirrur të "ushtrojë gjithmonë konkurrencë të shëndetshme", pa kërkuar kurrë rrugë të shkurtra:
“Sakrifica, stërvitja, ashpërsia janë elementë themelore të sportit, ndërsa praktika e dopingut, përveçse e rrezikshme, është mashtrim, që ia heq lojës bukurinë dhe argëtimin, duke e njollosur me gënjeshtra dhe duke e ndyrë me falsitet”.
Më në fund "muri", mbrojtja. Një fjalë në të cilën Papa u ndal, duke kujtuar se si shpesh ka një kuptim shumë të ndryshëm, nga ajo që mund të mësojë praktika sportive:
“Kjo fjalë na bën të mendojmë për muret e pranishme në pjesë të ndryshme të botës, shenjë e ndarjejes, e mbylljes, e paaftësisë së njerëzve për të dialoguar, e pretendimit të atyre që mendojnë se njeriu mund të shpëtojë veten i vetëm. Në vend të kësaj, në volejboll, kur bën mur, hidhesh lart për të përballuar goditjen të kundërshtarit: ky gjest na ndihmon të mendojmë për fjalën në një kuptim pozitiv. Të hidhesh lart do të thotë të shkëputesh nga toka, nga materialiteti dhe rrjedhimisht nga të gjithë ato logjika biznesi, që minojnë shpirtin sportiv”.
Model për të rinjtë
Papa përshëndeti Federatën Italiane të Volejbollit duke kërkuar nga të pranishmit që të jenë gjithmonë “dëshmitarë të korrektesës dhe të besnikërisë”. E përfundoi me një mendim të veçantë për më të rinjtë:
“Shumë të rinj ju shikojnë dhe brohorasin për ju: për ta jeni modele, mos i zhgënjeni!”.