Papa: liturgjia është art, që duhet mësuar me kujdes
R. SH. - Vatikan
Kujdesi për liturgjinë kërkon përgatitje dhe përkushtim, njohuri të pasura dhe kuptim të thellë baritor. Këtë ua nënvizoi disa herë Françesku gjatë fjalimit, mbajtur në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik pjesëmarrësve në kursin “Të jetohet plotësisht veprimi liturgjik”. Në vijim e vlerësoi lart nismën e Institutit Papnor të Shën Anselmit për udhëheqësit dioqezanë të kremtimeve liturgjike, duke kujtuar edhe se Pali VI e quante liturgjinë "burim kryesor i atij shkëmbimi hyjnor, në të cilin na komunikohet jeta e Zotit”.
“Liturgjia nuk zotërohet kurrë plotësisht, nuk mësohet si nocionet, zanatet, aftësitë njerëzore. Është arti i parë i Kishës, që e përbën dhe e karakterizon atë”.
Detyra e mjeshtrit të festimeve
Më pas Papa theksoi se sot ai që duhet t’i prijë "takimit me misterin e Pashkëve të Krishtit" dhe "të rregullojë gjithçka, në mënyrë që liturgjia të shkëlqejë me dekor, thjeshtësi dhe rregull”, nuk është më kremtuesi, por mjeshtri i kremtimit.
“Detyrën e mjeshtrit e kryen diakoni: diakoni bashkëpunon me ipeshkvin në shërbim të bashkësisë. Ja, pra, pse çdo ipeshkëv ngarkon një mësues, që vepron me maturi, me zell, duke mos ia kundërvënë ritin asaj që shpreh, por duke ndihmuar për të kapur kuptimin dhe shpirtin e tij e duke theksuar me veprimin e tij se në qendër është Krishti i kryqëzuar dhe i ringjallur”.
E mira e bashkësisë
"Një nga parimet kryesore të Koncilit II të Vatikanit, ‘e mira e bashkësisë, kujdesi baritor i besimtarëve, për t’i prirë popullit te Krishti dhe Krishtit tek njerëzit" - sqaron Françesku - duhet të jetë edhe objektivi kryesor i mjeshtrit të festimeve. Nëse nuk do të tregonte kujdesin e duhur, do të çonte në "rituale të bukura, por pa forcë, pa shije, pa kuptim sepse nuk prekin zemrën as jetën e popullit të Zotit".
Është Krishti që e bën zemrën të dridhet, është takimi me të, që e tërheq shpirtin. "Një festë që nuk ungjillëzon, nuk është vërtetë".
Në mënyrë që besimtarët të mund ta jetojnë plotësisht veprimin liturgjik, shton Papa - ata duhet të formohen, siç e kujton Kushtetuta Sacrosanctum Concilium, dhe për këtë duhen barinj shpirtrash "përplot, para së gjithash, me shpirtin dhe forcën e liturgjisë”. Mjeshtri i festimeve, së pari, duhet të rritet në shkollën e liturgjisë dhe të marrë pjesë "në misionin baritor të formimit të klerit dhe të besimtarëve".
Përgatitja për liturgjinë
Që reforma liturgjike e dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit të zbatohet në praktikë - saktëson Françesku - mjeshtri i kremtimeve, së bashku me drejtorin e zyrës së kujdesit baritor liturgjik, duhet të shoqërojnë dioqezën, bashkësitë, meshtarët dhe shërbyesit e tjerë. E gjithë kjo ndodh duke kremtuar. “Është ai formim nga liturgjia”, të cilin Papa e kujton në Letrën e tij Apostolike “Desiderio Desideravi” (Dëshiroja Dëshirën), sepse “stolia, thjeshtësia dhe rregulli arrihen kur të gjithë dalëngadalë e me kalimin e viteve, duke marrë pjesë në rit, duke e kremtuar, duke e jetuar, kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë”. Kështu “liturgjia mund të jetë simfoni lavdi, simfoni e mësuar nga lex orandi (ligj i lutjes) i Kishës”.
Të vlerësohet stili festiv i famullive
Françesku i fton ata, që morën pjesë në kursin e Shën Anselmit, t’i inkurajojnë e t’i ndihmojnë eprorët e seminareve për të kryesuar sa më mirë që të munden, duke u kujdesur për shpalljen, gjestet, shenjat. “E gjithë kjo mësohet duke parë çdo ditë një prift që di të kryesojë e të kremtojë, sepse e jeton liturgjinë dhe, kur kremton, lutet”, kujtoi Papa, që propozoi “përgatitjen e liturgjisë së famullive, duke filluar nga pak me shkollat e formimit liturgjik, të cilat bashkojnë vëllazërinë, katekizmin, mistagogjinë dhe praktikën festive”. Është gjithashtu mirë të vlerësohet stili i festimit të famullive të veçanta:
“Nuk duhet të ketë ‘parada’ të bukura, në praninë e ipeshkvit dhe më pas gjithçka kthehet si ishte. Detyra juaj nuk është të organizoni ritin e një dite, por të propozoni një liturgji, e cila mund të imitohet, me ato përshtatje që bashkësia mund t’i përvetësojë, për t'u rritur në jetën liturgjike”.
Por kur një ipeshkëv kremton “liturgji pak të lëmuara, të lëna pas dore, të përgatitura keq”, këtë duhet ta dijë edhe famullia. Françesku kërkon "të ndihmohen barinjtë ta mendojnë mirë liturgjinë, ta përgatisin me besimtarët", me delikatesë dhe frymë vëllazërimi. Mjeshtri i festimeve, duke qenë në mes të njerëzve, mund t'u "këshillojë bashkësive çka është më e përshtatshme dhe më e realizueshme dhe cilat janë hapat e nevojshme për të rizbuluar bukurinë e liturgjisë dhe të kremtimit së bashku".
Kujdes heshtjen
Së fundi, Papa kërkon “kujdes për heshtjen. Sidomos para kremtimeve, të ndihmohet për përqendrimin e asamblesë dhe të bashkëkremtuesit”. Sepse “heshtja e hap dhe e përgatit misterin, krijon kushtet për përvetësimin e tij dhe për jehonën e Fjalës së dëgjuar”, prandaj duhet rizbuluar dhe vlerësuar.