Papa, në shtegtimin e paqes në Kongo e në Sudanin e Jugut: para nisjes takoi refugjatët
R.SH. – Vatikan
Papa u nis për në udhëtimin e tij të 40-të “ekumenik të paqes”, siç e quajti ai vetë të dielën, më 29 janar, në fund të Engjëllit të Tënzot. Ati i Shenjtë shkon në dy vende në periferi të botës, të dyja të përshkuara nga kontradikta, si nëntoka tejet e pasur, por popullsia e varfër dhe nën dhunë. Republika Demokratike e Kongos dhe Sudani i Jugut janë në pritje të Papës që prej muajsh, pasi u anulua vizita e tij në korrikun e kaluar, për shkak të gjendjes shëndetësore të Atit të Shenjtë.
Takimi me emigrantët dhe refugjatët nga Kongoja dhe Sudani i Jugut
Airbus A350 Ita Airways u nis në orën 8.29 për në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos. Françesku shkoi mbrëmë në bazilikën e Shën Marisë së Madhe për t'u lutur para ikonës së Virgjërës Salus Populi Romani dhe për t'ia besuar asaj udhëtimin, siç bën gjithmonë. Para se të largohej nga Shtëpia e Shën Martës dhe të nisej për në aeroport, ai u takua me një grup migrantësh dhe refugjatësh nga Republika Demokratike e Kongos dhe nga Sudani i Jugut, për të cilët kujdeset Qendra e jezuitëve Astalli. Me ta, edhe prefekti i Dikasterit për Bamirësinë, kardinali Konrad Krajewski.
Homazh për të rënët në Kindu
Me të mbërritur në aeroportin e Fiumicino-s, makina e Atit të Shenjtë ndaloi për pak kohë pranë Monumentit të të rënëve në Kindu, 13 aviatorëve italianë të vrarë në Kongo më 11 nëntor 1961. Për viktimat e asaj masakre të përgjakshme dhe për të gjithë ata, që humbin jetën duke marrë pjesë në misionet humanitare dhe të paqes, Papa Françesku tha një lutje para se të vijonte rrugën drejt avionit, që po e çon në Kinshasa. Nga 3 shkurti, Françesku do të zhvendoset në Juba, kryeqyteti i Sudanit të Jugut, ku do të qëndrojë deri më 5 shkurt, ditë në të cilën do të kthehet në Romë.