Kërko

Papa me meshtarët  e Baritorisë rinore të Dioqezës së Barcelonës Papa me meshtarët e Baritorisë rinore të Dioqezës së Barcelonës 

Papa meshtarëve: jo karrierizmit! Dëshmojeni mëshirën dhe afërsinë me Zotin

Ftesë për t'iu përgjigjur thirrjes së Jezusit, duke u nisur nga varfëria dhe brishtësia, duke e refuzuar jetën e dyfishtë dhe kënaqësitë e kësaj bote dhe duke e dëshmuar mëshirën e Zotit, pa dhënë mësime. Françesku ia drejtoi sot në mëngjes këto porosi meshtarëve të kryedioqezës së Barcelonës, të angazhuar në baritorinë rinore, duke i pritur në Vatikan.

R. SH. - Vatikan

Të mos e dëshmojnë përvojën e mëshirës së Zotit nga katedra dhe ta kërkojnë vëllazërinë në të gjitha shtresat shoqërore! Kjo, ftesa dashamire që Papa u bëri, në përshëndetjen e tij, rreth 70 priftërinjve të kryeipeshkvnisë së Barcelonës, të angazhuar në baritorinë për rininë, duke i pritur sot paradite në Sallën Klementine, në Vatikan. Sipas Françeskut, "përvoja e apostujve ka gjithmonë një aspekt të dyfishtë": personal dhe komunitar.

Vendet e thirrjes

Varfëria dhe brishtësia individuale - u kujtoi ipeshkvi i Romës meshtarëve të Barcelonës - janë caqet nga ku mund të nisesh për të marrë thirrjen e  Jezusit me "synimin e përhershëm të pendesës”:

“Ta refuzojmë karrierizmin, jetën e dyfishtë, kërkimin e kënaqësive të kësaj bote, duke rrokur kryqin dhe ndërmjetësimet e Kishës: sakramentet, jetën e lutjes, asketizmin, etj. etj. Njëkohësisht, duhet të jemi të aftë për mëshirë, pikërisht sepse të prekur nga mëshira e Zotit. E të mos japim mësime, por ta dëshmojmë përvojën e lidhjes së ngushtë me Perëndinë”.  

Të veçantë dhe vëllezër

Nëse është e vërtetë që "thirremi individualisht"- kujtoi Papa - nuk duhet të harrojmë kurrë edhe ‘se jemi pjesë e një grupi më të madh, që të ecim së bashku, duke dëgjuar, para se të flasim, duke ditur ku duhet ndenjur, edhe në mes a në fund, jo vetëm në krye të vendit! Pa e harruar kurrë përmasën  e vëllazërisë:

“Duhet të mësohemi dhe të mësojmë t’i mirëpresim të gjithë, të punojmë me të gjithë, të kërkojmë zgjidhje konsensusi me frymëmarrje të gjerë. Nuk duhet të strehohemi kurrë as në grupin e krishterë, të cilit i përkasim, as në përgjegjësinë, që na u besua, por të jetojmë me shpirt të lirë, në një shkëputje të shëndetshme”.

28 janar 2023, 14:35