Kërko

Papa mbërriti në Republikën Demokratike te Kongos Papa mbërriti në Republikën Demokratike te Kongos

Papa mbërriti në Kinshasa. Në avion, lutje për ata që vdiqën, duke kaluar Saharën

Avioni me Papën Françesku mbërriti në Republikën Demokratike të Kongos në orën 14.33. Në përshëndetjen e tij të zakonshme me gazetarët, gjatë udhëtimit për në Afrikë, Papa përmendi njerëzit e shumtë, që humbën jetën dhe ata, që u çuan në kampe përqendrimi, pasi kaluan nëpër shkretëtirë

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku mbërriti në Kinshasa, në Republikën Demokratike të Kongos, etapa e parë e udhëtimit të tij apostolik në Afrikë, shtegtimi i 40-të që nga fillimi i papanisë, i cili do të vijojë me vizitën në Sudanin e Jugut. Në avionin, që e çoi nga Roma deri në Kinshasa, Ati i Shenjtë kërkoi një minut heshtje e lutje, si përkëdhelje për njerëzit e "vuajtur" dhe të dëshpëruar në kërkim të një jete të re, që nuk arritën ta kalojnë shkretëtirën:

“Në këtë çast – tha Papa - po kalojmë Saharën. Le të mendojmë në heshtje një lutje për të gjithë njerëzit që, duke kërkuar pak mirëqenie e pak liri, janë përpjekur ta kalojnë atë e nuk ia kanë dalë. Për shumë të vuajturit, që mbërrijnë në Mesdhe, pasi kalojnë shkretëtirën dhe mbahen në kampe përqendrimi, duke hequr keq. Të lutemi për gjithë këta njerëz”.

"Faleminderit që jeni bashkë me mua"

Para lutjes së heshtur, tejet të ndierë, Françesku iu drejtua të pranishmëve - rreth 75 gazetarë nga 12 vende, dy prej të cilëve afrikanë – duke i falënderuar që e shoqëruan në këtë udhëtim, i cili pritej prej një viti.

“Është udhëtim i bukur, do të kisha dashur të shkoja në Goma, por me luftën [që vazhdon] nuk mund të shkohet atje. Do të bëjmë gjithçka nga Kinshasa dhe Juba. Faleminderit që jeni këtu me mua, jemi të gjithë bashkë, faleminderit për punën tuaj kaq të mirë, që ndihmon shumë, sepse u jep mundësinë njerëzve të interesuar për udhëtimin, të shohin pamjet, të lexojnë mendimet, reflektimet tuaja për shtegtimin. Faleminderit shumë!”

Françesku shprehu keqardhjen e tij, që nuk bëri xhiron e zakonshme për t’i përshëndetur gazetarët një nga një, "por sot - tha ai - nuk mundem". Qëndroi në karrigen e tij, duke ndjerë “pak turp, që duhet të vini ju këtu, mund ta përshëndesim njëri-tjetrin nga larg”, përfundoi. Papës iu dhanë dhurata të ndryshme, si nga gazetarja Eva Fernandez e Radio Cope-s të Konferencës Ipeshkvnore Spanjolle, e cila i dhuroi një fragment shkëmbi nga Kiwu, ku nxjerrin koltanin, që shërben për celularët. Për çdo kg të nxjerrë nga nëntoka, i shpjegoi ajo Papës, vdesin dy vetë. Pastaj, edhe një fragment llave nga vullkani Nyiragongo, rreth 12 km në veri të qytetit Goma, që shkakton fatkeqësi pas fatkeqësish.

31 janar 2023, 15:14