Kërko

Papa: humanizmi i vërtetë mund ta kapërcejë brutalitetin e luftës

Papa priti në audiencë, në Vatikan, anëtarët e Instituto de Estudios Internacionales de Salamanca, e ripohoi se lufta është e tmerrshme, por përballë saj nuk duhet të dorëzohemi. Papa falënderoj ata që punojnë, edhe përmes shkencave politike dhe studimeve ndërkombëtare, për të qëndruar në rrugën që të çon drejt paqes

R. SH - Vatikan

Përballë tmerreve të luftës, "ajo që duket të jetë një disfatë dhe një shkak turpi, si shkandulli i kryqit, mund të kthehet e shndërrohet në një fitore". Edhe kur konflikti duket se bën që urrejtja të fitojë mbi dashurinë, pikërisht aty e atëherë duhet “të sjellim zgjidhje, t’i bashkojmë vullnetet”, duke dhënë kështu kontributin tonë në ndërtimin e paqes. Kështu tha Papa sot paradite, gjatë audiencës, në Vatikan, me delegacionin e Institutit Evropian për Studime Ndërkombëtare (EIIS) të Salamanca-s. Pasi shprehi gëzimin që mund t'i priste përsëri këta studiues dhe hulumtues, Papa Françesku kujtoi se si qyteti i Romës, ku ai është ipeshkëv, ka qenë gjithmonë një vend takimi:

Roma prej vjetësh ka qenë një vend takimi kulturash dhe popujsh. Trashëgimtare e këtij vokacioni universal, Selia e Pjetrit ka qenë gjithmonë e vëmendshme ndaj peripecive të të gjithë popujve, ndaj synimeve, përpjekjeve dhe vështirësive të tyre për të pasur një jetë më të mirë, duke u përpjekur të sigurojë që popujt të arrijnë paqen që Jezusi u premtoi dishepujve të tij .

Paqja është një e mirë thelbësore

Papa foli për rëndësinë e kësaj paqeje, për faktin se ajo shkon përtej asaj që mund të arrihet "thjesht me mjete njerëzore" dhe se si paqja është një vlerë universale, një "e mirë thelbësore" për njerëzit e të gjitha kohërave. Një paqe që nuk mund të kufizohet vetëm në logjikën e pushtetit:

Kjo paqe jo vetëm që shkon përtej asaj që ne mund të arrijmë thjesht me mjete njerëzore, por na kujton edhe se ajo nuk bazohet thjesht në balancat e pushtetit ose në heshtjen e kërkesave të të drejtave të atyre që janë më pak të favorizuar. Megjithatë, paqja mes njerëzve është një e mirë thelbësore për të cilën ne duhet të punojmë me zell dhe t'i lutemi Zotit me gjithë zemër.

Papa Françesku më pas, duke cituar enciklikën Fratelli tutti, kujtoi se si "lufta është një dështim i politikës dhe i njerëzimit, një dorëzim i turpshëm, një disfatë përballë forcave të së keqes".

Lutje dhe punë për të fituar luftën

Pastaj Ati i Shenjtë Bergoglio i bëri një thirrje të fortë ndërgjegjes së çdo njeriu që të mos ndihej i mundur përballë tmerreve të luftës. Dështimi i konfliktit mund të bëhet kështu "një mësim jete", lufta është e tmerrshme, por na çon në një sfidë: të punojmë në mënyrë që dashuria të fitojë mbi urrejtjen, vëllazëria mbi refuzimin, humanizmi i vërtetë mbi brutalitetin.

Lufta është e tmerrshme. Megjithatë, nuk duhet të dorëzohemi, diçka e re mund të lindë nga këto hi, në këtë dështim mund të gjejmë një mësim jete. Ajo që duket si disfatë dhe shkak turpi, si shkandulli i kryqit, mund të shndërrohet në një fitore. Si? Nëse me lutjet dhe me punën tonë mund të japim zgjidhje, të bashkojmë vullnetet, të dëshmojmë se dashuria, vëllazëria dhe humanizmi i vërtetë që lindin nga feja e mposhtin urrejtjen, refuzimin dhe brutalitetin.

Instituto de Estudios Internacionales de Salamanca

Po kujtojmë se Instituti Evropian për Studime Ndërkombëtare (EIIS) është një qendër kërkimore dhe trajnimi për marrëdhëniet ndërkombëtare, puna e së cilës fokusohet në diplomacinë, qeverisjen globale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike. Instituti Evropian për Studime Ndërkombëtare (EIIS) u ofron studentëve të tij një edukim integral me vlera dhe parime që do t'u shërbejnë në jetën e tyre profesionale, duke pasur gjithmonë si synim përgjegjësinë sociale. Ai ofron gjithashtu edhe një forum të pavarur për dialogun ndërmjet organizatave ndërkombëtare, ministrive të Jashtme dhe institucioneve akademike, duke mbështetur në mënyrë efektive zhvillimin e zgjidhjeve të dobishme reciproke.

26 janar 2023, 09:54