Françesku, Këshillit pan-ukrainias: fetë të lutën së bashku për paqen në Ukrainë
R. Sh. - Vatikan
Nuk ka "Ukrainë hebreje, Ukrainë të krishterë, Ukrainë ortodokse, Ukrainë katolike, Ukrainë islame". Jo, ka vetëm një Ukrainë, një “nënë” që vuan prej rreth një viti duke parë brutalitetin që u bëhet fëmijëve të saj. Për këtë “nënë”, Papa Françesku kërkon lutje dhe lutet, duke siguruar mendimin e vazhdueshëm dhe afërsinë e tij: “Mos keni dyshim... Ju kam në zemër dhe lus Zotin që të ketë mëshirë për këtë popull guximtar”, i tha Papa delegacionit të Këshillit Pan-ukrainas të Kishave dhe Organizatave Fetare, të cilin e priti sot paradite përpara audiencës së përgjithshme dhe të cilin e përshëndeti edhe një herë në fund të audiencës së përgjithshme, duke i nxitur besimtarët të luten së bashku për një "paqe përfundimtare" në vendin e torturuar.
Papa Françesku shpreson në "një të nesërme në paqe, kur më në fund interesat ekonomike dhe politike që gjenerojnë luftën do t'i lënë vendin të mirës së përbashkët të popujve". “Falënderoj Zotin sepse ky takim me ju më mundëson në një farë mënyre të kem kontakt nga afër me popullin ukrainas, të cilin muajt e fundit e kam pasur gjithmonë në lutjet e mia”, tha Papa Françesku sot paradite, gjatë takimit me Delegacionin e Këshillit Pan-Ukrainas të Kishave dhe Organizatave Fetare të vendit.
"Dua t'ju them - shtoi Ati i Shenjtë - se jam afër jush dhe në mbështetje të familjeve, të fëmijëve, të moshuarve, të sëmurëve, të njerëzve më të brishtë. Jam me ju në mbrojtjen e të drejtave të besimtarëve të çdo komuniteti fetar, veçanërisht të atyre që vuajnë nga abuzimet e persekutimet. Inkurajoj përpjekjet tuaja për rivendosjen respektit, nga ana e të gjithëve, të parimeve dhe të normave të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave themelore të njeriut”.
“Veprimi juaj, që çohet përpara me qëndrueshmëri dhe guxim, përgatit efektivisht për të nesërmen, një të nesërme në paqe, kur më në fund interesat ekonomike dhe politike që gjenerojnë luftë do t'i lënë vendin të mirës së përbashkët të popujve. Unë lutem për këtë çdo ditë. Lutem me ju dhe për ju”, përfundoi Papa.
Pasi e dorëzoi fjalimin e përgatitur, Papa Françesku shtoi edhe disa fjalë. “Jam pranë jush – ripohoi – dhe pres rregullisht të dërguarit nga Presidenti Zelensky. Jam në dialog me përfaqësuesit e popullit ukrainas dhe kjo më bën të dëgjoj nga afër dhe të lutem. Ju falënderoj për unitetin tuaj, kjo është një gjë e madhe për mua, si fëmijët e një familjeje që janë një atje, një atje, por kur nëna është e sëmurë janë të gjithë bashkë”. “Mos dyshoni – siguroi Papa – unë lutem për ju! Ju kam në zemër dhe lus Zotin që të ketë mëshirë për këtë popull guximtar”.