Papa Françesku pret presidenten e Kosovës Vjosa Osmani
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku priti, sot në audiencë në Vatikan, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti dhe nga zv.kryeministrja Donika Gërvalla. Në një bisedë të përzemërt, u fol për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, që të sigurohet dialogu e paqja në gjithë rajonin e Ballkanit. “Kam ardhur këtu për t’jua shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kujdesin që keni treguar ndaj vendit tim, duke i ndenjur afër vazhdimisht”, tha Presidentja Osmani. Më pas uvu në dukje roli pozitiv i Kishës Katolike në mbështetjen e qytetarëve dhe në ndërtimin e shoqërisë, duke nënvizuar edhe rëndësinë e dialogut ndëretnik e ndërfetar në Kosovë.
Një temë e veçantë, që Papa e ka veçanërisht për zemër, ishte ajo e të rinjve dhe e së ardhmes së tyre, me urimin që t’u krijohen të gjitha kushtet për ta ndërtuar këtë të ardhme në vendlindje. Presidentja Vjosa Osmani i kërkoi Papës Françesku që Selia e Shenjtë ta njohë Kosovën dhe e ftoi për vizitë në vend.
Pas audiencës me Atin e Shenjtë, presidentja Osmani u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher.