Papa në Kongo: larg duart nga Afrika! Ajo të jetë protagoniste e fatit të vet
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku mbërriti sot në Republikën Demokratike të Kongos, etapa e parë e udhëtimit të tij të 40-të apostolik ndërkombëtar. Ati i Shenjtë do të qëndrojë në kryeqytetin kongolez Kinshasa deri më 3 shkurt e më pas, do të shkojë në Sudanin e Jugut, së bashku me kryeipeshkvin anglikan të Canterbury-t dhe me moderatorin e Kishës metodiste të Skocisë, deri më 5 shkurt.
Papa mbërriti në Kinshasa, qytet me më se 15 milion e gjysmë banorë, në orën 15.00 dhe u prit në Pallatin e Kombit, rezidenca zyrtare e presidentit të Republikës, Felix Tshisekedi Tshilombo, biri i kreut të opozitës, veteranit Etienne Tshisekedi, që ndërroi jetë në vitin 2017. Zuri vendin e të atit, në krye të Partisë “Bashkimi për Demokracinë dhe Përparimin Shoqëror” në vitin 2018 e më 30 dhjetor të atij viti u zgjodh president. Pas tij, Françesku takoi autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik, në kopshtin e Pallatit të Kombit.
Shfrytëzimi i Afrikës "është një dramë për të cilën bota ekonomikisht më e përparuar - tha Papa Françesku në fjalimin e tij të parë në Kinshasa, në Republikën Demokratike të Kongos - shpesh mbyll sytë, veshët dhe gojën. Por ky vend dhe ky kontinent e meritojën të respektohen dhe të dëgjohen, meritojnë hapësirë dhe vëmendje: larg duart nga Republika Demokratike e Kongos, poshtë duart nga Afrika! Mjaft me mbytjen e Afrikës: nuk është një minierë për t'u shfrytëzuar apo tokë për t'u plaçkitur.
Qoftë Afrika protagoniste e fatit të saj! Le t‘i kujtojë bota fatkeqësitë e shkaktuara gjatë shekujve në dëm të popullatës vendase - është apeli i Papës - dhe të mos e harrojë këtë vend e këtë kontinent. Afrika, buzëqeshja dhe shpresa e botës, të vlerësohet më shumë: të flitet më shumë, të ketë më shumë peshë dhe përfaqësim midis kombeve!”.
Shtegtar i pajtimit dhe i paqes
Të pranishmëve u drejtoi një fjalim me sfidat më të ndiera, por edhe më të ndërlikuara, që po përballon jo vetëm Republika Demokratike e Kongos, por e gjithë Afrika, në të cilën vendi ngjan “me një kontinent”, ku “toka merr frymë”, siç nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu referuar pozicionit qendror dhe shtrirjes prej më se 2 milion kilometrash katrore në hartë. Gjithsesi, kjo mushkëri e gjelbër e Afrikës, gjatë historisë, është “torturuar nga lufta, vijon të vuajë konflikte dhe migrime të detyruara brenda kufijve, si edhe forma të tmerrshme shfrytëzimi, të padenja për njeriun dhe krijimin”.
“E ndërsa ju kongolezë luftoni për të ruajtur dinjitetin dhe integritetin territorial kundër përpjekjeve të neveritshme për ta copëtuar vendin tuaj, - e bëri të qartë Papa që në fillim, qëllimin e vizitës së tij - unë vij tek ju, në emër të Jezu Krishtit, si shtegtar i pajtimit dhe i paqes. Desha me gjithë shpirt të jem këtu dhe, më në fund, vij t'ju sjell afërsinë, dashurinë dhe ngushëllimin e gjithë Kishës Katolike”.
Tokë diamantesh
Gjatë gjithë fjalës së tij, Françesku përdori simbolin e diamantit, që e shpreh mirë bukurinë e asaj toke afrikane. Vendi juaj, u tha kongolezëve, është vërtet një diamant i Krijimit, por ju jeni shumë herë më të çmuar se çdo pasuri e tokës dhe e nëntokës. Kisha dhe Papa, vijoi Ati i Shenjtë, kanë besim tek banorët e vendit, besojnë në të ardhmen e tyre, e cila duhet të jetë në duart e qytetarëve të Republikës Demokratike të Kongos. Që këtej, thirrja e Papës:
“Guxim, vëlla e motër kongoleze! Ngrihu, merr përsëri në dorë, si një diamant të pastër, gjithçka je, dinjitetin, thirrjen tënde për ta mbajtur në harmoni e në paqe shtëpinë ku jeton. Jetoje frymën e himnit kombëtar, duke ëndërruar dhe duke vënë në praktikë fjalët e tij: ‘Me punë të palodhur do të ndërtojmë një vend më të bukur se më parë; në paqe’… Prandaj, që nga fillimi i udhëtimit tim, dua t’ju bëj thirrje: çdo kongolez ta ndiejë detyrën për të luajtur rolin e tij! Dhuna dhe urrejtja të mos kenë më vend në zemrën apo në gojën e askujt, sepse janë ndjenja antinjerëzore dhe antikristiane, që paralizojnë zhvillimin dhe na kthejnë mbrapsht, në një të kaluar të errët”.
“Kolonializmi ekonomik “ dhe diamantet e përgjakura
Papa Françesku denoncoi shfrytëzimin ekonomik të kontinentit afrikan, duke folur për “kolonializmin ekonomik”, që pasoi atë politik e që nuk i lejon vendet të përdorin në favor të tyre pasuritë natyrore. Republika Demokratike e Kongos, e mirënjohur për diamantet, por edhe për ato, që prodhohen nga shfrytëzimi i njeriut, sidomos i fëmijëve e, që quhen “diamante të përgjakura”, meriton respekt, kujdes e hapësirë për t’u dëgjuar.
“Poshtë duart nga Republika Demokratike e Kongos, poshtë duart nga Afrika! – ngriti zërin me forcë Ati i Shenjtë – Mjaft me mbytjen e Afrikës: nuk është minierë për t’u shfrytëzuar, ose tokë për t’u plaçkitur. Afrika të jetë protagoniste e fatit të vet!... Afrika, buzëqeshje dhe shpresë e botës, të ketë më shumë rëndësi: të flitet më shumë, të ketë më tepër peshë e përfaqësim ndërmjet kombeve! T’i hapet rruga një diplomacie të njeriut për njeriun, të popujve për popujt, ku në qendër të mos vihet kontrolli i zonave dhe i pasurive, synimet ekspansioniste dhe shtimi i fitimeve, por mundësitë për zhvillimin e njerëzve”.
Jo asistencializëm, por zhvillim i gjithanshëm
Duket, denoncoi sërish Papa, sikur bashkësia ndërkombëtare është dorëzuar para dhunës, që e ka përfshirë prej vitesh popullin kongolez. Procesi i paqes, inkurajoi Françesku, duhet mbështetur me fakte e me impenjim konkret, jo me ndërhyrje asistencialiste, por me plane, që synojnë zhvillimin e gjithanshëm të zonës. Ati i Shenjtë falënderoi të gjitha organizatat dhe vendet, që e bëjnë këtë, në respektin e të drejtave të njeriut. Por, duke iu drejtuar gjithnjë simbolit të diamantit, vuri në dukje se nga mënyra e kombinimit të atomeve të karbonit, mund të kemi edhe grafit: nga njëra anë, drita e diamantit e, nga ana tjetër, errësira e grafitit. Është tipari karakteristik shumëfaqësh edhe për shoqërinë kongoleze, ku etnitë, tribalizmi dhe interesat vetjake ushqejnë shpesh spirale urrejtjeje dhe dhune.
“Problemi – theksoi Papa - nuk është natyra e njerëzve, ose e grupeve etnike dhe shoqërore, por mënyra me të cilën vendosin të qëndrojnë së bashku: vullneti për t'u takuar a jo, për t'u pajtuar e për t’ia filluar nga e para shënon ndryshimin ndërmjet errësirës së konfliktit dhe së ardhmes të ndritur në paqe e begati”.
“Bintu bantu”
Pasuria e vërtetë janë njerëzit dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet tyre, kujtoi Papa një fjalë të urtë, që në gjuhën vendase tingëllon “Bintu bantu”. Në arritjen e këtij ideali, fetë, me urtinë e tyre, luajnë një rol të rëndësishëm, pa u imponuar, nënvizoi Françesku, pa bërë ndjekës këdo me mashtrime, ose me forcë, sepse “aty ku është shpirti i Zotit, është liria”. Kujtojmë se në popullsinë më se 105 milionëshe kongoleze, me 200 etni e rreth 450 fise të ndryshme, gjysma janë katolikë, 20% protestantë, 10% myslimanë e 10% kimbanguistë. Rol të madh luan edhe shoqëria civile, iu drejtua Ati i Shenjtë përfaqësuesve të saj, të pranishëm në takim. Shpesh, ajo ka ditur ta kundërshtojë padrejtësinë dhe prapambetjen me sakrifica të mëdha, për të “mbrojtur të drejtat e njeriut, nevojën e të gjithëve për edukim të shëndoshë dhe jetën dinjitoze për secilin”. Papa falënderoi burrat e gratë e saj, sidomos të rinjtë, për t’iu drejtuar më pas, “atyre që kanë përgjegjësi civile e qeverisjeje”.
Pushteti ka kuptim vetëm kur bëhet shërbim
Ashtu si diamanti pasqyron pastërtisht dritën, iu kthye Papa simbolit të përdorur gjatë gjithë fjalimit, ashtu edhe ata, që kanë pushtet, duhet të veprojnë me qartësi kristaline, duke e parë detyrën si mjet për t’i shërbyer shoqërisë. E, përsa u përket detyrave, Françesku ishte krejt i qartë, madje, pikërisht kristalin:
“…të favorizohen zgjedhje të lira, transparente dhe të besueshme; të zgjerohet edhe më shumë pjesëmarrja e grave, të rinjve dhe grupeve të mënjanuara në proceset e paqes; të kërkohet e mira e përbashkët dhe siguria e njerëzve, në vend të interesave vetjake a të grupit; të forcohet prania e shtetit në çdo anë të territorit; të tregohet kujdes për njerëzit e shpërngulur e për refugjatët. Mos lejoni t’ju manipulojnë e as t’ju blejnë ata, që duan ta ruajnë dhunën në vend, për ta shfrytëzuar e për të bërë biznese të turpshme: kjo sjell vetëm diskreditim e turp, vdekje e mjerim”.
Drejtësia, edukimi, ruajtja e ambientit
Papa e ngriti zërin kundër padrejtësive e korrupsionit, duke përmendur shën Augustinin, lindur në kontinentin afrikan, që thoshte: “Nëse nuk respektohet drejtësia, ç’janë shtetet nëse jo banda të mëdha hajdutësh?” (De civ. Dei, IV,4). Pas manipulimit të ligjeve e të informacionit, vërejti Ati i Shenjtë, mungesa e mundësisë për arsimim është një nga problemet, që duhet të zgjidhë Republika Demokratike Kongos. Diamanti, kujtoi ai, kur del nga toka është i pagdhendur e ka nevojë për punë. Kështu edhe rinia e talentuar kongoleze ka nevojë për edukim që të përgatisë shoqëri të konsoliduara, autonome, të vetëdijshme për mundësitë e së ardhmes.
“Por shumë fëmijë nuk shkojnë në shkollë: sa, në vend që të arsimohen si duhet, shfrytëzohen! – denoncoi Papa. - Shumë vdesin, duke iu nënshtruar punës skllavëruese në miniera. Të mos kursen përpjekjet për të denoncuar plagën e punës së fëmijëve dhe për t'i dhënë fund asaj. Sa vajza mënjanohen dhe u dhunohet dinjiteti! Fëmijët, vajzat, të rinjtë janë shpresa: të mos lejojmë të shuhet, por ta kultivojmë me pasion!”
Më pas, duke kujtuar se Republika Demokratike e Kongos është një nga mushkëritë e gjelbërta të Afrikës, Ati i Shenjtë bëri thirrje për ruajtjen e Krijimit, “pa imponuar modele të jashtme, që u sjellin dobi më shumë atyre, që ndihmojnë se sa atyre, që ndihmohen”. Papa përmendi ndihmat e huaja gjatë pandemisë së koronavirusit, por nënvizoi edhe se nevojiten modele shëndetësore e shoqërore, që nuk u përgjigjen vetëm urgjencave të çastit: struktura të qëndrueshme, personel i ndershëm e i aftë. Vetëm kështu mund të kapërcehen problemet, që bllokojnë zhvillimin, si uria e malaria.
Forcë shpirtërore si rezistenca e diamantit
Duke kujtuar rezistencën e diamantit, në fund të fjalës së tij, Papa u kërkoi kongolezëve atë forcë shpirtërore, që i bën gjithnjë të ngrejnë kryet e të ecin përpara, sidomos, në të mirë të fëmijëve e të rinisë.
“Në emër të Krishtit, i cili është Zoti i shpresës, Zoti i çdo mundësie, që gjithmonë jep forcën për të filluar nga e para, në emër të dinjitetit dhe të vlerës së diamanteve më të çmuara të kësaj toke të mrekullueshme, që janë qytetarët e saj, dua t’i ftoj të gjithë në një ripërtëritje shoqërore të guximshme dhe gjithëpërfshirëse”.
Para se të përfundonte takimin më të rëndësishëm dhe krejt ditën e parë në Republikën Demokratike të Kongos, Papa Françesku premtoi lutje dhe e bekoi krejt kombin kongolez. Nesër, e mërkurë, 1 shkurt, Ati i Shenjtë do të mbetet në Kinshasa, por do të shkojë në aeroportin e N’dolos, ku mund të mblidhen deri në një milion e gjysmë njerëz, për të kremtuar me ta meshën. Pasdite, në orën 16.30, takimi me viktimat e Lindjes së vendit, në nunciaturën apostolike të kryeqytetit. Ndërsa, në orën 18.30, ai me përfaqësuesit e gjashtë shoqatave bamirëse, gjithnjë në nunciaturën apostolike.