Papa, misionarëve: njerëzimi i përçarë ka nevojë për Lajmin e Mirë të paqes
R.SH. – Vatikan
“Shpreh afërsinë time në Krishtin me të gjithë misionarët dhe misionaret e botës, veçanërisht me ata, që po kalojnë kohë të vështira: Zoti (Jezusi) Ngjallur, miq të dashur, është gjithmonë me ju dhe e sheh bujarinë e flijimet tuaja për misionin e ungjillëzimit në vende të largëta”. Kështu u drejtohet Papa Françesku misionarëve të botës në Mesazhin e tij për Ditën e 97-të Botërore Misionare, e cila do të kremtohet më 22 tetor.
Një reflektim, që niset nga takimi i dishepujve të Emausit me Jezusin e Ngjallur, rrëfyer në Ungjillin sipas Lukës, duke na ftuar të kemi “zemra të përflakura”, “sy të hapur” dhe “këmbë për udhë”. “Sot, si atëherë”, shkruan Papa, “Zoti Ngjallur është pranë dishepujve të tij misionarë dhe ecën afër tyre, veçanërisht kur ata ndihen të humbur, të shkurajuar, të frikësuar, përballë misterit të poshtërsisë, që i rrethon dhe dëshiron t’i mbysë”.
Zemra e ftohtë nuk mund ta ndezë zemrën e të tjerëve
Pasi i dëgjon dy dishepujt e Emausit, Jezusi "u shpjegon atyre se çfarë i referohej atij në të gjitha Shkrimet e Shenjta" dhe kjo ua ndez zemrat. Krishti, nënvizon Papa, është “Fjala e gjallë, e vetmja, që mund ta përflakë, ta shndrisë e ta shndërrojë zemrën”.
“Njohja e Shkrimit Shenjt është e rëndësishme për jetën e të krishterit e, edhe më shumë, për kumtimin e Krishtit dhe të Ungjillit të tij. Përndryshe, çfarë u transmetoni të tjerëve, nëse jo idetë dhe projektet tuaja? E zemra e ftohtë, a mundet vallë t’i përflakë zemrat e të tjerëve? Prandaj, ta lejojmë gjithmonë Zotin e Ringjallur të na shoqërojë, të na shpjegojë kuptimin e Shkrimit Shenjt. Ta lejojmë të na i përflakë zemrat, të na shndrisë dhe të na shndërrojë, në mënyrë që t'i shpallim botës misterin e tij të shëlbimit, me fuqinë dhe urtinë, që vijnë nga Shpirti i tij”, shkruan Ati i Shenjtë.
Ndarja e bukës me të tjerët, vepër tipike misionare
Ungjilli i Lukës rrëfen se në mbrëmje, Jezusi darkoi me dishepujt e Emausit. Në tryezë, mori bukën, e bekoi dhe e theu. Kjo ua hapi sytë dishepujve, të cilët e kuptuan se Ai ishte Mesia, pikërisht ndërsa u zhdukej nga sytë. "Krishti që ndan bukën", thekson Papa në Mesazhin për misionarët, "bëhet kështu, buka e thyer", "hyn në zemrat e dishepujve për t'i bërë të ndizen edhe më shumë, duke i nxitur të rifillojnë udhëtimin e tyre pa vonesë, për t’u komunikuar të gjithëve përvojën e veçantë të takimit me të Ngjallurin!”
“Me këtë rast, – vijon më tej Françesku - duhet kujtuar se ndarja e thjeshtë e bukës materiale me të uriturit, në emër të Krishtit, është qëkur akt misionar i krishterë. Aq më tepër, thyerja e Bukës Eukaristike, që është vetë Krishti, është vepër tipike misionare, sepse Eukaristia është burimi dhe kulmi i jetës dhe i misionit të Kishës”.
Përmes lutjes dhe adhurimit të përditshëm, duke e kultivuar me dashuri këtë bashkim me Krishtin, këshillon Françesku, "dishepulli misionar mund të bëhet mistik në veprim".
Të dëshmohet jeta, që nuk vdes kurrë
Pasi e njohën Krishtin, dishepujt e Emausit – me “këmbë për udhë” - u nisën pa vonesë në Jerusalem për të ndarë me të tjerët gëzimin e takimit me Zotin. Kjo na kujton vlerën e misionit “ad gentes”, për ungjillëzimin e çdo njeriu dhe të çdo populli, deri në skajet më të largëta të tokës, vëren Papa.
“Nuk mund ta takohet vërtet Jezusi i Ngjallur, pa u ndezur nga dëshira për t'ua thënë këtë të gjithëve. Prandaj, burimi i parë dhe kryesor i misionit janë ata, që e kanë njohur Krishtin e ringjallur, në Shkrimin Shenjt dhe në Eukaristi; që bartin zjarrin e tij në zemra dhe dritën e tij në sy. Ata mund të dëshmojnë për jetën, që nuk vdes kurrë, edhe në situatat më të vështira e në çastet më të errëta”, vijon Ati i Shenjtë në Mesazh.
Objektivi sinodal i bashkëpunimit më të ngushtë misionar
“Sot më shumë se kurrë”, nënvizon Papa, “njerëzimi, i lënduar nga kaq shumë padrejtësi, përçarje dhe luftëra, ka nevojë për Lajmin e Mirë të paqes dhe të shpëtimit në Krishtin”, prandaj, “kthesa misionare mbetet objektivi kryesor, që duhet t’i vëmë vetes si individë dhe si bashkësi”.
“Të gjithë mund të kontribuojnë në këtë lëvizje misionare: me lutje dhe veprime, me ofertën e parave dhe të vuajtjeve, me dëshminë personale – thekson Françesku. – Veprat Papnore Misionare janë mjet i privilegjuar për nxitjen e këtij bashkëpunimi misionar në nivelin shpirtëror dhe material. Për këtë, mbledhja e ofertave për Ditën Botërore Misionare i kushtohet Veprës Papnore për Përhapjen e Fesë”.
E, bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë misionar ndërmjet gjithë anëtarëve të Kishës, në çdo nivel, përfundon Françesku "është objektiv themelor i udhës sinodale".
“Kjo udhë, - shkruan Françesku - sigurisht, nuk është mbyllje e Kishës në vetvete; nuk është proces sondazhi popullor për të vendosur, si në parlament, çfarë të besojmë dhe të praktikojmë, ose jo, sipas preferencave njerëzore. Përkundrazi, është nisja për rrugë si dishepujt e Emausit, duke dëgjuar Zotin e Ngjallur, i cili vjen gjithmonë mes nesh për të na shpjeguar kuptimin e Shkrimit Shenjt dhe për të thyer bukën për ne, që të vazhdojmë misionin e tij në botë, me forcën e Shpirtit Shenjt”.