Kërko

Papa Françesku me pjesëmarrësit e "Rome call for AI Ethics" Papa Françesku me pjesëmarrësit e "Rome call for AI Ethics"

Papa për inteligjencën artificiale: vigjilencë, të punohet për të mirën e familjes njerëzore

Papa Françesku pret nënshkruesit e Thirrjes së Romës për Etikë në fushën e Inteligjencës Artificiale (Rome Call for AI Ethics), mbledhur në një takim të promovuar nga Akademia Papnore për Jetën dhe nga Fondacioni i Rilindjes. Ati i Shenjtë lavdëron përpjekjet për të mbrojtur të mirën e familjes njerëzore, për të promovuar etikën dhe vëllazërimin dhe për të qenë vigjilentë para keqpërdorimeve të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale

R.SH. – Vatikan

Nga njëra anë, vuri në pah mundësinë e keqpërdorimit të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale, por nga ana tjetër, inkurajoi përdorimin e këtyre mjeteve për të mbrojtur familjen njerëzore dhe për të promovuar të mirën e vëllazërimin. Kështu bëri sot paradite Papa Françesku, ndërsa priti në audiencë në Vatikan nënshkruesit e Thirrjes së Romës për Etikë në fushën e Inteligjencës Artificiale (Rome Call for AI Ethics), mbledhur në një takim të promovuar nga Akademia Papnore për Jetën dhe nga Fondacioni i Rilindjes. Ati i Shenjtë nuk i fshehu sfidat e jashtëzakonshme në fushën e inteligjencës artificiale, e cila kërkon reflektime për mënyrën e zbatimit të etikës në të.

Thirrja për Etikën e Inteligjencës Artificiale

Këtij qëllimi i shërben Thirrja për Etikën e Inteligjencës Artificiale, dokument i nënshkruar nga Akademia Papnore për Jetën, Microsoft, IBM, FAO dhe Ministria Italiane e Inovacionit, në Romë, më 28 shkurt 2020.

Ideja pas tij është promovimi i përgjegjësisë së përbashkët të organizatave ndërkombëtare, qeverive, institucioneve dhe sektorit privat, në përpjekjen për të menduar një të ardhme, në të cilën risitë dixhitale dhe përparimi teknologjik ta vënë njerëzimin në qendër.

Duke synuar në një algoretikë të re – bashkim i fjalëve “algoritëm” dhe “etikë” - nënshkruesit e Thirrjes angazhohen për atë “zhvillim të inteligjencës artificiale, që i shërben çdo personi dhe njerëzimit në tërësi; që respekton dinjitetin e njeriut, në mënyrë që çdo individ të mund të përfitojë nga përparimet e teknologjisë; si edhe që nuk ka si qëllim të vetëm fitimin më të madh apo zëvendësimin gradual të njerëzve [me makina] në vendin e punës”.

Etikë e vëllazërim për të gjithë

Në audiencën e sotme, Papa i falënderoi pjesëmarrësit për promovimin e etikës së përbashkët dhe shprehu kënaqësinë për përfshirjen e delegacioneve hebraike dhe islamike në Thirrje.

“Pajtueshmëria juaj në promovimin e një kulture, që e vendos këtë teknologji në shërbim të së mirës së të gjithëve dhe të kujdesit për shtëpinë e përbashkët është shembull për shumë të tjerë”.

Vëllazërimi, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, është kusht që zhvillimi teknologjik të jetë kudo edhe në shërbim të drejtësisë dhe të paqes.

Rritja e pranisë së inteligjencës artificiale

Papa pranoi se inteligjenca artificiale është gjithnjë e më e pranishme në çdo aspekt të jetës së përditshme, duke ndikuar në kuptimin e botës, të njeriut dhe të rolit të tij në të. Ati i Shenjtë i inkurajoi të pranishmit të vijojnë përpjekjet për zbatimin e algoretikës, pra, të reflektimit etik mbi përdorimin e algoritmeve, që këto tema të jenë gjithnjë e më të pranishme jo vetëm në debatin publik, por të mbahen parasysh edhe në vendimet për zhvillimin e zgjidhjeve teknike në të ardhmen.

“Vërtet, çdo njeri duhet të jetë në gjendje ta gëzojë zhvillimin njerëzor, pa përjashtuar askënd”.

Të jemi vigjilentë

E më tej, Ati i Shenjtë paralajmëroi:

“Duhet të jemi vigjilentë dhe të punojmë për t’u siguruar që të mos rrënjoset përdorimi diskriminues i këtyre mjeteve, në kurriz të më të ligshtëve dhe më të përjashtuarve”.

“Të kujtojmë – vijoi Papa - se mënyra si i trajtojmë më të fundmit e më të vegjlit ndërmjet vëllezërve dhe motrave tona, tregon vlerën që u japim qënieve njerëzore”.

E mira e familjes njerëzore

Thirrja e Romës, vuri në dukje Françesku, “mund të jetë mjet i dobishëm për dialogun me të gjithë, në mënyrë që të nxisë një zhvillim më njerëzor të teknologjive të reja”.

 “Shpreh mbështetjen time për bujarinë dhe dinamizmin me të cilin përkushtoheni dhe ju ftoj të vazhdoni me guxim, duke shoshitur çdo gjë, kërkimin e rrugëve që do të çojnë në përfshirjen gjithnjë e më të madhe të të gjithë atyre, që e kanë për zemër të mirën e familjes njerëzore”.

10 janar 2023, 12:58