Në audiencë te Papa Françesku presidenti i Ekuadorit, Mendoza
R SH. / Vatikan
Papa Françesku priti sot në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Presidentin e Republikës së Ekuadorit, Guillermo Lasso Mendoza i cili më pas u takua Sekretarin e Shtetit të Vatianit, kardinalin Pietro Parolin, dhe Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare.
Puna e Kishës në Ekuador
Gjatë bisedimeve në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, siç bën të ditur Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, “u shpreh vlerësimi për kontributin që ofron Kisha katolike në fushën e arsimit, shëndetësisë, promovimit të vlerave njerëzore dhe shpirtërore si dhe në fushën e veprimtarive bamirëse”, u nënvizua gjithashtu edhe “rëndësia e një dialogu të sinqertë e të përhershëm ndërmjet Kishës dhe Shtetit për përballimin e sfidave themelore të shoqërisë”.
Indigjenët dhe mjedisi
Gjithnjë gjatë takimit, vijon njoftimi i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, “pati një shkëmbim mendimesh të frytshme mbi situatën politike dhe sociale të Rajonit, me një vëmendje ndaj përpjekjeve për nxitjen e zhvillimit dhe promovimin e paqes”, më pas u trajtua edhe disa çështje me interes të përbashkët, si “mbrojtja e jetës, kujdesi ndaj fëmijëve, reforma e sistemit të burgjeve, respektimi i popujve autoktonë e i kulturës së tyre, si dhe mbrojtja e mjedisit”.
Shkëmbimi i dhuratave
Papa Françesku i dhuroi Presidentit Lazzo Mendoza një majolikë që përshkruan ndërtimin e bazilikës së re të Shën Pjetrit, vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin për Paqe të këtij viti, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020 nga shtëpia botuese e Vatikanit (Lev). Dhuratat e presidentit për Papën ishin një portret i Zojës së Guadalupës i bërë nga një i mitur i dënuar për krime dhe në fazën e rehabilitimit, një shall pëlhurë, së fundi, si dhuratë personale nga 'primera dama ', një zog kolibri, një zog shumë i zakonshëm nga Ekuadori, në metal i bërë nga artizanët vendas.