Misionari Robert Francis Prevost, prefekt i ri i Dikasterit të Vatikanit për ipeshkvijtë
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku pranoi sot dorëheqjen e paraqitur nga kardinali Marc Ouellet, që mbushi moshën e pensionit, nga detyra e prefektit të Dikasterit të Ipeshkvijve e kreut të Komisionit Papnor për Amerikën Latine dhe emëroi, në të njëjtat detyra, Imzot Robert Francis Prevost, Augustinian, deri tani ipeshkëv i Chiclayo (Peru), duke i dhënë edhe titullin kryeipeshkëv-ipeshkëv nderi i Chiclayo. Do ta marrë detyrën më 12 prill, pas largimit të Kardinalit Marc Ouellet, 78 vjeç, që e kryesoi Dikasterin për gati 13 vjet.
Kryeipeshkvi Robert Francis Prevost, 67 vjeç, lindur në Çikago, Illinois (Shtetet e Bashkuara) më 14 shtator 1955, hyri në noviciatin e Urdhrit të Shën Agustinit (OSA) në vitin 1977, në provincën e Zojës së Këshillit të Mirë, në Saint Louis. Më 29 gusht 1981 bëri kushtet e përjetshme. Studioi në Bashkimin Teologjik Katolik, në Çikago, ku u diplomua në teologji.
Në moshën 27-vjeçare u dërgua nga Urdhri në Romë për të studiuar drejtësinë kanonike në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit, (Angelicum). U shugurua meshtar më 19 qershor 1982, pasi mori diplomën në vitin 1984, për t’u dërguar në misionin e Chulucanas, në Piura, Peru (1985-1986).
Në vitin 1987 mori titullin e doktorit me temën: “Roli i eprorit vendas të Urdhrit të Shën Agustinit”. Në të njëjtin vit u zgjodh drejtor i thirrjeve dhe drejtor i misioneve të Provincës Augustiniane "Nëna e Këshillit të Mirë" në Olympia Fields, Illinois (SHBA). Në vitin 1988 u dërgua në misionin Trujillo si drejtor i projektit të formimit të përbashkët për dëshirtarët Augustinianë të Vicariates të Chulucanas, Iquitos dhe Apurímac. Aty qe epror i bashkësive (1988-1992), drejtor i formimit (1988-1998) dhe mësues i meshtarëve që kishin bërë kushtet (1992-1998). Në Kryedioqezën e Trujillo-s ishte vikar gjyqësor (1989-1998), profesor i së drejtës kanonike, patristike dhe moralit, në Seminarin e Madh "Shën Karli dhe Shën Marçeli".
Në vitin 1999 u zgjodh epror provincial i Provincës “Nëna e Këshillit të Mirë (Chicago). Pas dy vjetësh e gjysmë, Kapitulli i Përgjithshëm i Zakonshëm e zgjodhi Epror të Përgjithshëm, detyrë që Urdhri ia besoi përsëri në Kapitullin e Përgjithshëm të Zakonshëm të vitit 2007. Në tetor 2013 u kthye në provincën e tij (Chicago) për të mësuar meshtarët me kushte dhe për të kryer detyrën e famullitarit provincial; detyrë që e kreu derisa Papa Françesku e emëroi, më 3 nëntor 2014, administrator apostolik të Dioqezës së Chiclayo (Peru), duke e lartuar në dinjitetin ipeshkvnor të ipeshkvit titullar të Dioqezës së Sufarit. Më 7 nëntor mori drejtimin kanonik të dioqezës, në prani të nuncit apostolik, James Patrick Green; u shugurua ipeshkëv më 12 dhjetor, në festën e Zojës së Guadalupes, në katedralen e dioqezës së tij. Është ipeshkëv i Chiclayo që nga 26 shtatori 2015. Nga marsi 2018, është nënkryetar i dytë i Konferencës së Ipeshkvijve Peruanë. Më 2019 Papa Françesku e pati emëruar anëtar të Kongregatës për Klerin dhe më 2020, anëtar të Kongregatës për Ipeshkvijtë.