Kërko

Atë James Martin Atë James Martin 

Letra e Papës drejtuar Atë James Martin për homoseksualitetin e mëkatin

Në letrën drejtuar Atit jezuit, Papa Françesku thekson se gjatë intervistës së fundit për Associated Press, në të cilën, ndërmjet tjerash pohon se "të jesh homoseksual nuk është krim", ai kishte parasysh doktrinën katolike, e cila na mëson se çdo akt seksual jashtë martesës është mëkat.

R. SH. - Vatikan

“Thjesht pata parasysh mësimin e moralit katolik, i cili na kujton se çdo akt seksual jashtë martesës, është mëkat”: kështu shkruan Papa, duke iu përgjigjur një letre të Atë James Martin, jezuit amerikan, që kryen apostullimin ndërmjet Personave LGBT( Lesbikë, Gay, Biseksualë e Transgjender), për të sqaruar kuptimin e fjalëve pohuar në intervistën e kohëve të fundit me Associated Press. Përgjigja e Papës me autograf në spanjisht, u publikua në faqen e internetit të Atë Martinit "Outreach.faith".

Nga konteksti i intervistës me Associated Press, kuptohej fare qartë se Papa fliste për homoseksualizëm, që në atë rast kishte kuptimin "akte homoseksuale" dhe jo “vetëm gjendje homoseksuale”. Me këtë përgjigje, Françesku rikujton se qëndrimi i tij, tashmë i përsëritur disa herë që nga intervista e parë me gazetarët gjatë fluturimit të kthimit të avionit nga Brazili, më 2013 ("Nëse personi është homoseksual, nëse kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, por kush jam unë, që ta gjykoj? ”) është qëndrim i Katekizmit të Kishës Katolike.

Duke iu përgjigjur Atë Martinit në lidhje me mëkatin, Papa nënvizon se “duhet të kemi parasysh edhe rrethanat, të cilat e pakësojnë apo e anulojnë fajin”, mbasi “e dimë mirë se morali katolik, përveç materies, vlerëson edhe lirinë e qëllimin; e kjo, për çdo lloj mëkati”.

Prej këndej në letër përsërit atë që pohoi në intervistën me AP-së: “Atyre që duan ta kriminalizojnë homoseksualitetin, dua t’u them se e kanë gabim”. E në intervistë pati nënvizuar edhe se "të jesh homoseksual, nuk është krim", ndërsa mbi 50 vende sajojnë dënime ligjore për homoseksualët. Madje disa prej këtyre vendeve i dënojnë edhe me vdekje.

Letra përfundon me lutjen e Papës për veprën e Atë Martinit dhe  bashkësinë LGBT për të cilën kujdeset, duke shtuar: "Ju lutem, bëjeni të njëjtën gjë edhe për mua".

28 janar 2023, 11:57