Papa Françesku të rinjve të DBR-së: hapeni zemrën, jetoni me horizont
R . SH. - Vatikan
“I befasuar dhe i lum”. Ndjenja e parë është habia nga shifrat. Gjë që Françesku e shpreh qartë: rreth gjashtë muaj para fillimit të Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, tashmë kanë shkruar emrat më se 400,000 pjesëmarrës. E dyta, gëzimi që buron prej tyre, e kënaqësia që të ngjall lajmi se “kaq shumë të rinj” po përgatiten për ngjarjen e Madhe të Lisbonës, që do të kremtohet nga 1 deri më 6 gusht “sepse kanë nevojë për këtë pjesëmarrje”. Papa ua beson mendimet e tij vajzave dhe djemve të DBR-së në një video-mesazh të shkurtër:
“Ndokush mund të thotë ‘po shkoj për turizëm’. Por i riu që vjen, niset sepse thellë në shpirt ka etje për të marrë pjesë, për ta ndarë me të tjerët gëzimin, për të treguar përvojën e tij dhe për të përfituar nga përvoja e tjetrit. Ka etje për horizonte”.
Horizonti është fjalë kyçe. Françesku jep këshillën e parë. "Në këtë ditë - u thotë të rinjve - mësohuni të shikoni gjithmonë horizontin, të shikoni gjithmonë përtej":
“Mos ndërtoni mure përpara jetës suaj. Muret mbyllin, horizonti rrit! Shikojeni gjithmonë horizontin me sytë tuaj, por sidomos, me zemrën tuaj! Hapini zemrat! Për kulturat e tjera, për djemtë dhe vajzat e tjera që vijnë në këtë ditë”.
Video-mesazhi përfundon me falënderimin e Papës. Ati i Shenjtë i përgëzon gjithë të regjistruarit "paraprakisht", duke uruar që edhe të tjerët ta ndjekin shembullin e tyre. E, përfundon me ftesën: “mos harroni: jo mure; po horizonte!”.