Papa: dhimbje për dhunën në Mianmar, ardhtë koha e paqes!
R. SH. - Vatikan
Papa është i trishtuar për çka po ndodh në Mianmar. Pak ditë më parë iu kall zjarri kishës katolike të Zojës së Ngjitur në Qiell, në fshatin Chan Thar, "një nga qendrat më të lashta e më të rëndësishme të kultit në vend - kujtoi Françesku në përfundim të Lutjes së Engjëllit. Prej këndej, ftesa për t'u lutur dhe thënë së bashku një Falemimëri për ata që vuajnë prej koheh nga dhuna:
“Jam pranë popullatës civile të pambrojtur, që në shumë qytete u nënshtrohet provave të rënda. Dashtë Zoti që ky konflikt të përfundojë së shpejti dhe të fillojë një kohë e re ndjese, dashurie, paqeje. T'i lutemi së bashku Zojës për Mianmarin. [Të falemi Mari…]
Jo, dhunës në Peru
Dialogu, si rrugë për të zgjidhur konfliktin mes palëve në Peru. Këtë shpreson Papa, duke bërë të tijën thirrjen e ipeshkvijve të vendit, të cilët e përsëritën "jo"-në e tyre kundër dhunës:
“Dhuna shuan shpresën për zgjidhjen e drejtë të problemeve. I inkurajoj të gjitha palët e përfshira të nisin rrugën e dialogut ndërmjet vëllezërve të të njëjtit komb, duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Përsëris me ipeshkvijtë peruvianë: “No a la violencia, venga de donde venga! No más muertes!”(Mjaft më me dhunë! Ngado që të vijë!)
Trazirat, të cilat morën rreth 60 jetë, po vazhdojnë. Në Limë, më se 200 studentë u arrestuan gjatë dëbimit nga kampusi i Universitetit të Shën Markut. Protestat filluan në dhjetor, pasi u rrëzua ish-presidenti Castillo, tani në burg. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut aktual të shtetit Boluarte dhe zgjedhje të reja.
Shenja paqeje në Kamerun
Françesku më pas u ndal tek përparimet që po ndjehen në Kamerun. “Shenja pozitive”, që ngjallin shpresën për ecjen drejt zgjidhjes së konfliktit në rajonet anglishtfolëse:
“I inkurajoj të gjitha palët nënshkruese të Marrëveshjes të vazhdojnë ecjen në rrugën e dialogut dhe të mirëkuptimit të ndërsjelltë, sepse vetëm në takim mund të projektohet e ardhmja”.
Në mendim për Ukrainën e martirizuar
Nuk mund të mungonte edhe një mendim për Ukrainën, gati një vit pas fillimit të konfliktit. Françesku nuk ka reshtur së bëri thirrje për paqe në vend:
“Në këto ditë, ndërsa lutemi në veçanti për bashkimin e plotë të të gjithë të krishterëve, të mos harrojmë të lutemi për paqen në Ukrainën e martirizuar: Zoti e ngushëlloftë dhe e përkrahtë atë popull, që po vuan shumë! Që vuan kaq shumë!”.
Urimet për Vitin e Ri hënor
Së fundi, Papa i uron paqe dhe çdo të mirë të gjithë atyre që, në Lindjen e Largët dhe në pjesë të ndryshme të botës, festojnë Vitin e Ri hënor". Mundësi për familjet që të jenë së bashku në solidaritet dhe harmoni, shprehje e një jetë e qetë dhe e lumtur - kujtoi Papa - pa i harruar edhe ata që kalojnë çaste të vështira:
“Gjithsesi, në këtë rast të gëzueshëm, nuk mund të mos u shpreh afërsinë time shpirtërore të gjithë atyre, që po kalojnë çaste provash, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, duke shpresuar që vështirësitë aktuale të kapërcehen së shpejti”.
Papa Françesku, në të Dielën e Fjalës, përsërit ftesën për ta pasur gjithnjë me vete një Ungjill të vogël sepse “që aty Jezusi na flet, na ndriçon, na prin”:
“Rizbulojmë me habi faktin se Zoti na flet, veçanërisht nëpërmjet Shkrimeve të Shenjta. Le t'i lexojmë, t'i studiojmë, t’i meditojmë, të lutemi me ta. Të lexojmë çdo ditë një fragment nga Bibla, veçanërisht nga Ungjilli”.