Françesku: Fjala e Zotit është dhuratë, që i drejtohet secilit
R.SH. / Vatikan
Fjalë që lehtëson zemrën e lodhur, dhuratë që mbin spontanisht, shpatë që depërton në jetë duke na vënë në krizë dhe kështu e drejton dhe e shndërron. Fjalë, që nuk mund të heshtë, por që duhet dëshmuar, duke i dhënë “korp” për të përkëdhelur korpin e atyre që vuajnë. Në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan Papa homelinë ia kushtoi së Dielën së katërt kushtuar Fjalës së Zotit, të cilën ai vetë e themeloi në shtator 2019 me Motu Proprio Aperuit illis. Figurat, që përdor Ati i Shenjtë Françesku, janë të qarta dhe prekëse, për të na kujtuar se shpallja e Ungjillit është ende urgjente edhe sot, se Fjalae Zotit "nuk është e kristalizuar në formula abstrakte dhe statike, por ka histori dinamike" dhe se, sidomos, është për të gjithë, ashtu si është për të gjithë edhe shëlbimi!
Jezusi lë jetën e qetë dhe të fshehur të Nazaretit dhe shkon në Kafarnao, qytet bregdetar i Galilesë, vend kalimi e udhëkryq popujsh dhe kulturash të ndryshme. Urgjenca që e shtyn, është shpallja e Fjalës së Zotit, e cila duhet t’u kumtohet të gjithëve. Ungjilli na kujton se Zoti i fton të gjithë për kthesë dhe i thërret dishepujt e parë, që t’ua transmetojnë dritën e Fjalës të gjithëve (krh. Mt 4,12-23).
Kështu e nisi Papa homelinë e sotme, duke ftuar për ta kuptuar këtë dinamizëm, që na ndihmon të jetojmë të dielën e Fjalës së Zotit: “Fjala e Zotit është për të gjithë, Fjala të thërret për kthim, Fjala të bën kumtues!”.
Ungjilli – vijoi Papa – na e paraqet Jezusin gjithmonë në lëvizje, për rrugë, drejt të tjerëve. Në asnjë çast të jetës së tij publike ai nuk duket mësues i ngrirë, mjek i ulur palëvizshëm në karrigë; përkundrazi, e shohim gjithnjë shtegtar, duke udhëtuar nëpër qytete e fshatra, duke takuar fytyra dhe histori.
“ Këmbët e Tij janë të të dërguarit, që shpall lajmin e mirë të dashurisë së Zotit”. (krh. Is 52:7-8).
Në Galilenë e popujve, në rrugën detare, përtej Jordanit, ku Jezusi predikon, jetonte - vëren teksti - një popull i zhytur në errësirë: të huaj, paganë, gra dhe burra të rajoneve dhe kulturave të ndryshme (shih Mt 4: 15-16). Tani edhe ata mund të shohin dritën. Dhe kështu Jezusi "i zgjeron kufijtë":
“Fjala e Zoti, që rishëron dhe ringre lart, nuk është menduar vetëm për të drejtët e Izraelit, por për të gjithë; ai dëshiron të arrijë të largëtit, të shërojë të sëmurët, të shpëtojë mëkatarët, të mbledhë delet e humbura dhe t’i lehtësojë të lodhurit e të shtypurit. Me pak fjalë, Jezusi ‘kalon’ për të na kujtuar se mëshira e Zotit u takon të gjithëve”.
Themelor për ne, ky aspekt. Na kujton se Fjala është dhuratë, që i drejtohet secilit dhe se për këtë arsye ne nuk mund ta kufizojmë kurrë fushën e saj të veprimit, sepse, përtej të gjitha llogaritjeve tona, ajo mbin në mënyrë spontane, të papritur dhe të paparashikueshme (shih Mk 4:26-28), në mënyrat dhe kohët që i njeh Shpirti Shenjt. Dhe nëse shpëtimi u përket të gjithëve, madje edhe më të largtëve e edhe më të humburve, atëherë shpallja e Fjalës duhet të bëhet urgjenca kryesore e bashkësisë kishtare, siç ishte për Jezusin:
“Të mos shpallim një Zot me zemër të gjerë dhe të jemi Kishë me zemër të ngushtë! Të mësojmë nga Jezusi për ta vënë Fjalën në qendër, t’i zgjerojmë kufijtë, t’u hapim zemrën njerëzve, të krijojmë përvoja takimi me Zotin, duke ditur se Fjala e Tij ‘nuk është e kristalizuar në formula abstrakte dhe statike, por njeh një histori dinamike të përbërë nga njerëz dhe ngjarje, fjalë e veprime, zhvillime dhe tensione”.
Fjala e Zotit i shndërron zemrat!
Këtë e theksoi fort Papa, duke kaluar më pas, tek aspekti i dytë: Fjala e Perëndisë, që u drejtohet të gjithëve, që bën thirrje për kthim në fe. Jezusi na përsërit në predikimin e tij:
"Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër’. E kjo do të thotë se…fjala e Tij na trondit, na prish rehatinë, na nxit të ndryshojmë, të kthehemi në fe: na vë në krizë sepse ‘është e gjallë, efektive dhe më e mprehtë se shpata me dy teha [...] na zbulon ndjenjat dhe mendimet e zemrës» (Heb 4:12). Po, si shpatë, Fjala depërton në jetë, duke na bërë të dallojmë ndjenjat dhe mendimet e zemrës, domethënë, duke na bërë të shohim se cila është drita e së mirës që duhet përhapur e ku duhet luftuar errësira e veseve dhe e mëkateve. Fjala, kur hyn në ne, e shndërron zemrën dhe mendjen; na ndryshon, na prin drejt Zotit”.
Ja edhe ftesa e Jezusit: Perëndia u bë i afërmi yt, prandaj kujtohu për praninë e tij, bëji vend Fjalës së Tij e do ta ndryshosh shikimin mbi jetën tënde! Do të doja të thosha edhe kështu: vendoseni jetën tuaj nën Fjalën e Zotit. Kjo është rruga që na tregoi Koncili:
“Të gjithë, madje edhe Barinjtë e Kishës, jemi nën autoritetin e Fjalës së Zotit. Jo nën shijet tona, prirjet dhe parapëlqimet tona, por nën të vetmen Fjalë të Zotit që na formon, na kthen dhe na kërkon të bashkohemi në Kishën e vetme të Krishtit!”.
Këtë e theksoi fort Papa duke iu afruar fundit të homelisë e duke na kërkuar ta pyesim veten: çfarë udhe po merr jeta ime, nga po drejtohet? Nga fjalët e shumta, që dëgjoj, apo nga Fjala e Zotit, që më drejton dhe më pastron? E cilat janë aspektet që kërkojnë ndryshim e kthesë?
Së fundi - pasazhi i tretë - Fjala e Perëndisë, e cila u drejtohet të gjithëve dhe bën thirrje për kthim në fe, bën lajmëtarë:
“Jezusi kalon pranë bregut të liqenit të Galilesë dhe thërret Simonin e Andreun, dy vëllezër peshkatarë. I fton ta ndjekin, për t’i bërë "peshkatarë njerëzish" (Mt 4:19): jo më thjesht specialistë barkash, rrjetash dhe peshqish, por specialistë njerëzish. Dhe ashtu si për lundrimin dhe peshkimin ata ishin mësuar të largoheshin nga bregu dhe të hidhnin rrjetat e tyre në det, po ashtu do të bëhen apostuj të aftë për të lundruar në detet e hapura të botës, për të takuar vëllezërit dhe motrat e tyre dhe për të shpallur gëzimin e Ungjillit.
Ky është dinamizmi i Fjalës: na tërheq në "rrjetin" e dashurisë së Atit dhe na bën apostuj që ndjejnë dëshirën e pakontrollueshme për të marrë këdo që takojnë në barkën e Mbretërisë.
T’i gjegjemi ftesës për t’u qenë peshkatarë njerëzish
Le ta dëgjojmë, prandaj, edhe sot ftesën për të qenë peshkatarë njerëzish: “Le të ndihemi të thirrur nga vetë Jezusi për të shpallur Fjalën e tij, për të dëshmuar për të në situatat e përditshme, për ta jetuar në drejtësi dhe dashuri, ‘për t'i dhënë korp’ duke përkëdhelur korpin e atyre që vuajnë. Ky është misioni ynë: të bëhemi kërkues të atyre që janë të humbur, të atyre që janë të shtypur dhe të dëshpëruar, t'u çojmë ngushëllimin e Fjalës, kumtin e fuqishëm të Zotit, që e shndërron jetën, gëzimin që na fal, duke na kujtuar se Ai është Atë dhe i drejtohet secilit, bukurinë e fjalës: ‘Vëlla, motër, Zoti është pranë teje, dëgjoje e në Fjalën e tij do të gjesh një dhuratë mahnitëse!".
Vëllezër, motra, do të doja të përfundoja me një "faleminderit" të thjeshtë drejtuar atyre, që punojnë për ta vënë rishtas Fjalën e Zotit në qendër, për ta shpërndarë, për ta shpallur. Faleminderit atyre që e studiojnë dhe thellojnë pasurinë e saj; faleminderit punëtorëve baritorë dhe të gjithë atyre të krishterëve, që punojnë për të përhapur Fjalën, veçanërisht lexuesëve dhe katekistëve: sot do t’u dorëzoj shërbesën disave prej tyre:
“Faleminderit të gjithë atyre, të cilët i pranuan ftesat e shumta bëra për ta marrë Ungjillin me vete kudo dhe për ta lexuar çdo ditë. Dhe së fundi, një falënderim i veçantë për diakonët dhe meshtarët: faleminderit, vëllezër të dashur, sepse nuk e lini popullin e shenjtë të Perëndisë t'i mungojë ushqimi i Fjalës; faleminderit që angazhoheni ta meditoni, ta jetoni dhe ta shpallni; faleminderit për shërbimin tuaj e flijimet tuaja! Për të gjithë, qoftë ngushëllim gëzimi i ëmbël i shpalljes së Fjalës së shëlbimit!”.