Kërko

Doktor Denis Mukwege,  Çmim Nobel për Paqen 2018 Doktor Denis Mukwege, Çmim Nobel për Paqen 2018 

Tek Papa, Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen Mukwege: "Vizita në Kongo, sinjal i fortë"

I pritur në audiencë nga Françesku në Vatikan, gjinekologu kongolez i vlerësuar me Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2018 për kujdesin ndaj grave dhe vajzave viktima të përdhunimeve të luftës, veçanërisht në rajonin e Liqeneve të Mëdha, në këtë intervistë nënvizon se Françesku "vjen në Republikën Demokratike të Kongos (DRC) për të vuajtur me popullin kongolez që po vuan" dhe shpreson se udhëtimi i tij, nga 31 janari deri më 2 shkurt 2023, do të kontribuojë në përfundimin e krizës humanitare.

R. SH. - Vatikan

 "Vizita e Papës në Republikën Demokratike të Kongos është një sinjal i fortë". Ati i Shenjtë vjen "për të vuajtur me popullin kongolez, që po vuan". Ne "presim që prania e tij të kontribuojë në ndërgjegjësimin e opinionit publik botëror për dramën që po jetojmë sot. Me lutjet dhe zërin e tij ai mund të kontribuojë për t'i dhënë fund kësaj tragjedie, për të cilën flitet rrallë këtu në Evropë". Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe 2018 Denis Mukwege, gjinekolog kongolez dhe aktivist i të drejtave të njeriut, takon gazetarët disa minuta pas audiencës me Papën Françesku, në bibliotekën e Pallatit Apostolik. Në një Twitter, pak më vonë, shpjegon se me Papën, në një gjysmë ore bisede private, diskutoi për “krizën humanitare në RDK, për imperativin e drejtësisë, konsolidimin e demokracisë dhe vendosjen e paqes.

Mukwege: "Papa në Kongo do t'i kujtojë botës luftën tonë të harruar"

Gjatë takimit, mjeku i foli Françeskut për punën në spitalin Panzi, të cilin e themeloi gati 25 vjet më parë, në vendlindjen e tij Bukawu, ku jeton i izoluar prej 10 vjetësh, për të shmangur sulmet. Shpëton, kështu, jetën dhe të ardhmen e grave, vajzave dhe madje edhe vajzave-viktima të përdhunimit dhe dhunës seksuale, të përdorura si armë lufte nga milicitë e grupeve që luftojnë kundër qeverisë së Kinshasës.

“Fatkeqësisht ne po trajtojmë brezin e tretë të grave”

Nga Kivu-ja e Veriut, ku ndodhi masakra e civilëve në fund të nëntorit, mijëra refugjatë po ikin drejt qendrës së vendit, por gratë rrezikojnë edhe përdhunimin në kampet e refugjatëve nëse shkojnë të lahen në lumë. Për këtë arsye, gjatë tre ditëve të takimeve dhe çmimeve në Napoli dhe provincën e këtij qyteti, Mukwege kërkoi ndihmë për blerjen e kompleteve higjienike për gratë dhe vajzat, në mënyrë që të shpëtojnë nga rreziku, kur largohen nga kampi. Ja dhe intervista e “Çmimit Nobel, dhënë Olivier Bonnel-it, i redaksisë sonë franceze:

“Kjo vizitë ishte hir i veçantë për mua, nder, që më krijoi mundësinë e takimit me një njeri besimtar, një njeri të paqes, një person që punon për paqen e drejtësinë në të gjithë botën dhe në kontekstin e sotëm të veçantë me kriza të shumta. Vizita e tij në Republikën Demokratike të Kongos është një sinjal i fortë, nuk bën gjë tjetër veçse u pohon kongolezëve shpresën dhe solidaritetin që Papa po tregon për popullin tonë, për një popull të plagosur prej më shumë se 25 vitesh. Mendoj se ne, kongolezët, presim që prania e Atit të Shenjtë të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik botëror mbi dramën që po përjeton populli kongolez sot. Shpresojmë gjithashtu që me lutjet dhe zërin e Tij të ndihmojë t'i jepet fund kësaj tragjedie, për të cilën flitet pak këtu në Evropë”.

A mundet Selia e Shenjtë dhe diplomacia papnore, por edhe fetë më gjerë, të bëjnë diçka për të kontribuar në kthimin e paqes në rajon?

“Kisha ka një rol shumë të rëndësishëm dhe besoj se fjala profetike e Kishës mund të bëjë një ndryshim të madh. Një kishë që hesht kur njerëzit vuajnë, është kishë jashtë misionit të saj. Unë mendoj se roli më i rëndësishëm i Kishës është të vuajë - me njerëzit që vuajnë. E mendoj se vizita e Papës bën pjesë në logjikën të ardhjes për të vuajtur me popullin kongolez, që po vuan. Prandaj është zëri profetik i Kishës që mund të bëjë një ndryshim të madh”.

Një fjalë për gratë, Dr Mukwege, ju punoni shumë për to, përmes spitalit tuaj Panzi. Cila është situata e grave kongoleze sot në këtë konflikt të tmerrshëm? Besoj gjithashtu se keni ndërmend t’i zhvilloni veprimtaritë  tuaja përtej Panzit....

“Vërtet, sot po trajtojmë brezin e tretë të grave dhe kjo na dhemb më shumë. Prandaj kërkojmë nga shtypi ndërkombëtar që të mund të flasë për këtë problem, sepse nuk ka më rëndësi numri i grave të dhunuara, por mënyra se si bëhet. Të shkatërrosh fëmijët, të shkatërrosh foshnjat, të shkatërrosh gratë përpara familjes së tyre, bashkësisë së tyre, është thjesht shkatërrim i gjithë bashkësisë. Besoj se sot Panzi po përpiqet të punojë që aktivitetet tona të shkojnë përtej asistencës, duke u përpjekur t’ia afrojmë pacientëve shërbimet tona të asistencës. Prandaj, ne po shumëzojmë numrin e qendrave të asistencës, që i quajmë "One stop center” (Qendra me një ndalesë), ku ofrojmë ndihmë holistike, d.m.th., mjekësore, kirurgjikale, psikosociale, socio-ekonomike dhe ligjore”.

09 dhjetor 2022, 16:44