Kërko

Armë, rraketa, luftë, armatime, çarmatim: këta rëndojnë sot mbi kurrizin e njerëzimit! Armë, rraketa, luftë, armatime, çarmatim: këta rëndojnë sot mbi kurrizin e njerëzimit! 

Papa: uria në botë do të merrte fund, nëse nuk do të prodhoheshin armë

Françesku, duke takuar një delegacion nga Seminari Rabinik i Amerikës Latine, përsëriti padinë kundër industrisë së armëve dhe kujtoi se në Ukrainë po provohen armë të reja, mbi kurriz të njerëzve, që vdesin. Pastaj kujtoi se në Bibël drejtësi do të thotë të adhurosh Perëndinë dhe t'i shërbesh të afërmit!

R. SH. - Vatikan

U prekën edhe ngjarjet aktuale në fjalimin e shqiptuar lirisht në gjuhën spanjolle të Papës Françesku, drejtuar një delegacioni të Seminarit Rabinik të Amerikës Latine, ardhur nga Argjentina e pritur në Vatikan më 2 dhjetorin të kaluar. Në fjalët e Atit të Shenjtë ndjehet fort pikëllimi për luftën në Ukrainë:

“Më bën të vuaj kjo luftë. Vëllezër kundër vëllezërve, por jo vetëm kaq. Të mendosh se në një shekull të vetëm pati tri luftëra botërore: 39-45, 14-18 e edhe kjo. Të mendosh se po të mos prodhoheshin armë për një vit, uria në botë do të merrte fund, mbasi mendoj se është industria më e madhe. E të mendosh se lufta bëhet kur një perandori ndihet e dobët, kështu që vret për t'u ndjerë e fortë dhe për të përdorur armët që duhet të shesë ose të japë për të bërë të reja. Më bënte të vuaj pamja e atyre droneve, që qarkullonin për provë mbi Ukrainë. Armë të reja, të cilat po i vënë në provë mbi kurriz të njerëzve, që vdesin”.

Shembull i vëllazërisë

Pyetjes që ipeshkvi i Romës i bën vetes lidhur me butësinë e njeriut, i përgjigjet Jeremia. E fortë, ftesa për të punuar si vëllezër:

“Kundër kulturës së mizorisë, të njeriut ujk për njeriun, ne punojmë duke u nisur nga feja jonë, me këto libra të shenjtë të përbashkët dhe duke dhënë shembull vëllazërimi”.

Adhuro, shërbe, ndihmo!

Papa ndalet edhe tek ata që, duke reflektuar mbi fjalët e tij, e gjykojnë si "komunist" sepse "flet për gjëra shoqërore", në vend që të flasë për Zotin, duke nënvizuar se "drejtësia e zemrës" është e pranishme në Bibël. "është gjithmonë me Zotin dhe të afërmin" prandaj adhurojmë dhe shërbejmë, adhurojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin:

“Kushdo që vetëm ndihmon, por nuk adhuron, është ateist i mirë, asgjë më shumë. Kushdo që adhuron e nuk ndihmon, është cinik e rrenacak! Të dyja gjërat shkojnë bashkë. E duhet luftuar për këtë, që besimi ynë të bëhet vepër dhe veprat tona të na çojnë drejt fesë. Është rreth”.

Të formohen prijës të rinj shoqërorë!

Delegacioni i Seminarit Rabinik të Amerikës Latine “Marshall T. Meyer”, me rastin e audiencës, i paraqiti Papës një propozim për ndryshime shoqërore nëpërmjet formimit të liderëve, nisur nga një këndvështrim i përbashkët shpirtëror. Synim që duhet arritur në bashkim me Selinë e Shenjtë dhe nëpërmjet qendrave arsimore, qendrave shpirtërore dhe lëvizjeve rinore. Në një intervistë për Vatican News, rabini argjentinas Ariel Stofenmacher, rektor i Seminarit Rabinik të Amerikës Latine, nënvizoi se "propozimi ka të bëjë me të kuptuarit e nevojave të kësaj bote dhe me vizionin që Papa ka në lidhje me këto nevoja, si vëmendje ndaj të varfërve dhe ndaj mbrojtjes së mjedisit”. Prej këndej edhe nevoja për t'u bërë "veprimtarë të ndryshimit, nëpërmjet edukimit" për të trajtuar me vendosmëri "plagët e shoqërisë, si diskriminimi, varfëria, mungesa e punës dhe dhuna".

Kujtojmë se Seminari Rabinik i Amerikës Latine është qendra kryesore e përshpirtërisë dhe e edukimit hebraik në Amerikën Latine. U themelua në vitin 1962, në qytetin Buenos Aires, nga rabini Marshall T. Meyer, me seli në Montevideo dhe Santiago të Kilit.

04 dhjetor 2022, 14:38