Kërko

Papa në mes të njerëzve me aftësi të kufizuara  Papa në mes të njerëzve me aftësi të kufizuara  

Papa për personat me aftësi të kufizuara: nuk ka përfshirje, pa vëllazëri

Me rastin e ditës së sotme botërore të njerëzve me aftësi të kufizuara, Françesku uron që të gjitha bashkësitë e krishtera "të jenë vende ku përkatësia dhe përfshirja të mos mbeten fjalë për t’u thënë në raste të caktuara, por të bëhen objektiv i veprimit të zakonshëm baritor".

R. SH. - Vatikan 

“Në këtë kohë, në të cilën dëgjojmë çdo ditë buletinet e luftës, dëshmia juaj është shenjë konkrete e paqes, shenjë shprese për një botë më njerëzore e më vëllazërore”. Papa Françesku ia drejton këto fjalë një grupi  njerëzish me aftësi të kufizuara, pritur në Vatikan, duke nënvizuar se t’u përgjigjesh nevojave të njerëzve me aftësi të kufizuar "është detyrë e bashkësisë civile dhe kishtare". "Krijimi dhe mbështetja e bashkësive gjithëpërfshirëse - shpjegoi Papa - do të thotë të zhdukësh çdo diskriminim dhe të plotësosh konkretisht nevojën e çdo njeriu për ta ndjerë veten pjesëtar i shoqërisë":

“Nuk mund të ketë përfshirje, nëse mungon përvoja e vëllazërisë dhe e bashkimit të anasjelltë. Nuk ka përfshirje, nëse mbetet parrullë, formulë për t'u përdorur në fjalimet politikisht korrekte, flamur që duhet përvetësuar. Nuk ka përfshirje, nëse nuk ka kthesë në praktikat e bashkëjetesës dhe të marrëdhënieve”.

Nuk mjafton të mbrosh të drejtat e njerëzve

Sytë e Zotit, kur nguleshin mbi njerëzit që takonte - kujtoi Papa - ishin plot butësi dhe mëshirë, veçanërisht mbi të përjashtuarit nga vëmendja e autoriteteve të pushtetshme, madje edhe e autoriteteve fetare të kohës së tij". Për këtë arsye, sa herë që “bashkësia e krishterë e shndërron indiferencën në afërsi dhe përjashtimin në përkatësi, kryen misionin profetik të vetë Zotit:

“Nuk mjafton të mbrosh të drejtat e njerëzve; duhet punuar për t'iu përgjigjur edhe nevojave të tyre ekzistenciale, në përmasa të ndryshme, trupore, psikike, shoqërore, shpirtërore”.

Papa nënvizon, më pas, se çdo burrë dhe çdo grua, në çfarëdo gjendjeje që ndodhen, "është bartës jo vetëm i të drejtave që duhen njohur dhe garantuar, por edhe i nevojave më të thella, si nevoja për t’u pranuar në radhët e shoqërisë, për t'u lidhur me të tjerët, për ta jetuar jetën shpirtërore deri në atë pikë, sa ta shijojë plotësisht dhe të bekojë Zotin për këtë dhuratë të papërsëritshme dhe të mrekullueshme”.

Së bashku me njerëzit e gjymtë

Është detyrë - shton Papa - "t'u garantohen personave me aftësi të kufizuara hyrja në ndërtesa dhe vende takimi, për t'i bërë gjuhët të kuptueshme dhe për t’i kapërcyer pengesatt fizike dhe paragjykimet". Por kjo nuk mjafton:

“Duhet promovuar përshpirtëria e bashkimit, në mënyrë që të gjithë të ndihen pjesë e një trupi, me personalitetin e tij të papërsëritshëm. Vetëm në këtë mënyrë çdo njeri, me kufizimet dhe talentet, do të inkurajohet të bëjë pjesën e tij për të mirën e gjithë trupit kishtar dhe për të mirën e gjithë shoqërisë”.

Përfshirja të jetë qëllim i veprimtarisë baritore

Papa shprehu dëshirën që të gjitha bashkësit e krishtera, të jenë vende ku përkatësia dhe përfshirja nuk janë fjalë për t'u thënë në raste të caktuara:

“Por ato duhet të jenë objektiv i veprimit të zakonshëm baritor. Në këtë mënyrë do të mund të jemi të besueshëm kur shpallim se Zoti i do të gjithë, se ai është shpëtim për të gjithë dhe se i fton të gjithë në tryezën e jetës, pa përjashtuar askënd”.

Prekem shumë kur Zoti tregon historinë e atij burri, që bënte dasmën e të birit, e dasmorët nuk i erdhën. I thirri atëhere shërbëtorët dhe u tha: “Shkoni në udhëkryq dhe sillini të gjithë”. “Të gjithë” - thotë Zoti: të rinj, të vjetër, të sëmurë, të shëndoshë, të vegjël, të moshuar, mëkatarë dhe jo mëkatarë… Të gjithë, të gjithë, të gjithë! Ky është Zoti: të gjithë, pa përjashtim. Kisha është shtëpia e të gjithëve, zemra e të krishterëve është shtëpia e të gjithëve, pa përjashtim. Këtë duhet ta mësojmë ne, që shumë herë tundohemi sadopak për të marrë rrugën e përjashtimit, jo atë të përfshirjes”.

"Të gjithë". Në këtë fjalë, përfundoi Papa, përmbahet përfshirja, përfshirja e vërtetë!

03 dhjetor 2022, 13:55