Papa: kujdes, që të mos rrëshqisni në karikaturën e Krishtlindjes së botës!
R.SH. - Vatikan
Koha liturgjike e Krishtlindjes, që po e jetojmë, dhe katërqind vjetori i vdekjes së Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv dhe doktor i Kishës, që përkujtohet sot, ishin dy temat e propozuara nga Papa Françesku në audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkureje. Duke nisur katekizmin, Papa dha edhe njoftimin për botimin e sotëm të Letrës Apostolike, që e përkujton këtë përvjetor, duke shpjeguar:
“Titullohet ‘Gjithçka është dashuri’, duke cituar një shprehje tipike të ipeshkvit të shenjtë të Gjenevës. E zgjodhi këtë titull, sepse kështu shkruante në Traktatin e tij për dashurinë e Zotit: ‘Në Kishën e Shenjtë çdo gjë i përket dashurisë, jeton në dashuri, bëhet për dashuri dhe vjen nga dashuria”.
Foshnja e njomë në grazhd
Shën Françesku i Sales - kujton Papa - lidhur me lindjen e Jezusit në një letër shkroi se e përfytyronte Mbretin Solomon "në fronin e tij të madh të fildishtë, të praruar dhe të gdhendur, që nuk e kishte shokun në asnjë mbretëri, siç thotë Shkrimi Shenjt", por që i pëlqente "Njëqind herë më shumë ta shihte Foshnjën e vogël në grazhd, sesa të gjithë mbretërit mbi fronet e tyre". Dhe komenton:
“Jezusi, Mbreti i universit, nuk u ul kurrë në fron: lindi në stallë, u mbështoll me shpërgaj, u shtri mbi një grazhd; dhe në fund të fundit vdiq në kryq dhe, i mbështjellë me një çarçaf, u vendos në varr. Shën Luka ungjilltar, duke rrëfyer lindjen e Jezusit, këmbëngul shumë në detajet e grazhdit. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme jo vetëm si hollësi që na kujton vendin, por edhe e sidomos si element simbolik, për të kuptuar se çfarë Mesie është Ai, që lindi në Betlehem nga Virgjëra Mari, domethënë, me pak fjalë, kush është Jezusi”.
Stili i Zotit: afërsia, dhembshuria, butësia
Misterin e zhveshjes së Jezusit e shikojmë të paraqitur në qendër të Shpellës së Betlehemit - vazhdon Papa Françesku - tek Foshnja e shtrirë mbi grazhd. Është "shenja" që Zoti donte të jepte dhe na e jep në Krishtlindje: "na tregon ‘stilin’ e tij, që është afërsia, dhembshuria dhe butësia". Papa Françesku nënvizon faktin se Zoti “nuk bën prozelitizëm me ne”, nuk na tërheq me forcë, por me dashuri. E në vijim citon një letër të dytë të Shën Françeskut të Sales, në të cilën Shenjti shkruan: “Sidoqë ta kemi zemrën, duhet të tërhiqemi nga ky Fëmijë i vogël qiellor":
“Herë-herë jemi ‘hekur’, pra të fortë, të ngurtë, të akullt. Herë të tjera jemi ‘kashtë’, domethënë të brishtë, të dobët, të paqëndrueshëm. Atëherë Zoti ka gjetur mjetin për të na tërhequr, sido që të jemi: me dashuri. Jo me dashuri pushtuese dhe egoiste, siç është shpesh, për fat të keq, dashuria njerëzore. Dashuria e tij është dhuratë e pastër, hir i pastër, është gjithçka dhe vetëm për ne, për të mirën tonë. Kështu na tërheq, me këtë dashuri të çarmatosur dhe çarmatosëse”.
Kujdes nga karikatura e Krishtlindjes së botës!
Varfëria, e zgjedhur nga Jezusi, është një tjetër element mbi të cilin Papa dëshiron të qëndrojë përsëri në shoqëri me shenjtorin, kujtimin e të cilit Kisha e përkujton sot. Ai shikon tek Foshnja "dorëheqjen e plotë nga të gjitha pasuritë, nga çdo pompozitet [...] i kësaj bote”. Me këto fjalë Papa nënkupton përvojën e kësaj kohe të veçantë, në të cilën jetojmë:
“Po, kujdes të mos rrëshqasim në karikaturën e Krishtlindjes së kësaj bote, të rëgjuar në festë konsumiste dhe të sheqerosur. Jo, dashuria e Zotit nuk është velëse: na e vërteton grazhdi i Jezusit. Nuk është bamirësi hipokrite, që fsheh kërkimin e kënaqësive dhe të rehative. Pleqtë tanë, që e patën njohur luftën dhe madje edhe urinë e dinin mirë këtë: Krishtlindja është gëzim dhe festë, sigurisht, por që duhet kremtuar pa teprime, në thjeshtësi”
Zoti na do dhe dëshiron gjithmonë të mirën tonë
Duke soditur Jezusin e vogël në Shpellën e Betlehemit, Shën Françesku i Sales, dy ditë para se të vdiste, tha se tek Ai pa pranimin e gjithçkaje që i ndodhte përreth dhe besimin e plotë ndaj nënës së tij, pa i kërkuar asgjë:
"Kështu edhe ne nuk duhet të dëshirojmë asgjë, e as të refuzojmë asgjë, duke duruar gjithçka të na çojë Zoti: edhe të ftohtin dhe padrejtësitë e kohës".
E, në përfundim, Papa vërejti:
“Këtu, të dashur vëllezër dhe motra, është një mësim të madh, që na e jep Krishti Fëmijë nëpërmjet dijes së Shën Françeskut të Sales: mos dëshironi asgjë dhe mos refuzoni asgjë, pranoni gjithçka na dërgon Zoti! Por, kujdes! Gjithmonë dhe vetëm për dashuri, sepse Zoti na do gjithmonë, e gjithmonë do vetëm të mirën tonë”.