Kërko

Ukraina në flakë Ukraina në flakë 

Papa Françesku: "Pa paqe, jemi të gjithë të mundur"

Po botojmë hyrjen e Françeskut, që i paraprin librit "Enciklikë për paqen në Ukrainë" (Edizioni Terra Santa, redaktuar nga Francesco Grana). Vepra përmbledh fjalimet e Papës për konfliktin në Evropë. Teksti botohet nga “Il Fatto Quotidiano”.

R. SH. - Vatikan

"Nuk e kam parë asgjëkundi që Zoti të ketë nisur një mrekulli, e të mos e ketë përfunduar për së mbari". Që kur, shumë vite më parë, lexoja dhe rilexoja “I promessi sposi” të Alessandro Manzoni-t, e meditoja gjatë këtë fjali. Është frazë shprese, teksa shtegtojmë drejt Jubileut të vitit 2025, moton e të cilit ia kushtova këtij virtyti teologjik: “Shtegtarë të shpresës”.

Benedikti XVI na dhuroi një enciklikë të mrekullueshme kushtuar shpresës, “Spe Salvi”. Ai shkruan se “Shëlbimi”, shpëtimi, sipas besimit të krishterë, nuk është fakt i thjeshtë. Shëlbimi na dhurohet në kuptimin që na është dhënë shpresa, një shpresë e besueshme, falë së cilës mund ta përballojmë të tashmen tonë: e tashmja, qoftë edhe një dhuratë e lodhshme, mund të jetohet dhe të pranohet nëse të çon drejt një qëllimi, nëse mund të jemi të sigurt për këtë qëllim e nëse ky synim është aq i madh, sa ta përligjë përpjekjen e rrugëtimit”.

Janë përvoja, që secili prej nesh i ka provuar në jetë. Na ndihmojnë t’i përballojmë rrëzimet tona të përditshme me sigurinë se Zoti na merr për dore dhe na ngre përsëri në këmbë, sepse nuk do që ne të mbetemi përdhe.   Pata kujtuar shpesh “se mund ta shikosh njeriun nga lart-poshtë vetëm për ta ndihmuar të ngrihet përsëri në këmbë: asgjë më shumë. Vetëm në këtë rast lejohet të shikosh nga lart-poshtë! Por ne të krishterët duhet të kemi shikimin e Krishtit, që përqafon nga poshtë, që i kërkon të humburit, me dhembshuri. Ky është dhe duhet të jetë shikimi i Kishës, shikimi i Krishtit, larg syve, që dënojnë”.

Lufta në Ukrainë, që në fillim të fillimit, e vuri në dyshim secilin prej nesh. Pas viteve dramatike të pandemisë, kur jo pa shumë vështirësi e tragjedi tronditëse, më në fund po dilnim nga faza e mprehtë, erdhi tmerri i këtij konflikti të pakuptimtë dhe blasfemik, si çdo luftë. Pse? A mund të flasim me besim për një luftë të drejtë? A mund të flasim me siguri për luftë të shenjtë?

Ne, njerëzit e Zotit, që shpallim Ungjillin e të Ngjallurit, kemi për detyrë ta  shpallim me sa zë që kemi këtë të vërtetë feje. Zoti është Zot i paqes, i dashurisë dhe i shpresës. Zot, që dëshiron të jemi vëllezër, siç na mësoi Biri i Tij, Jezu Krishti. Tmerret e luftës, të çdo lufte, e fyejnë emrin e shenjtë të Zotit! E e fyejnë dhe më shumë, nëse emri i Tij shpërdorohet për të përligjur një masakër të tillë të patregueshme.

Thirrja e fëmijëve, e grave dhe e burrave të plagosur nga lufta lartohet deri te Zoti si lutje e zjarrtë për zemrën e Atit. Sa tragjedi të tjera do të na duhet të dëshmojmë, para se të gjithë ata që u përfshinë në çdo luftë, të kuptojnë se kjo është rrugë vdekjeje, e cila i mashtron vetëm disa që besojnë se ata janë fitimtarët? Duhet ta kemi të qartë: me luftë jemi të gjithë të mundur! Edhe ata që nuk morën pjesë në të dhe që me indiferencë frikacake ndenjën duke e bërë sehir gjithë këtë tmerr, pa ndërhyrë fare për ta sjellë rishtas paqen.

Të gjithë ne, në çfarëdo roli, kemi për detyrë të jemi njerëz të paqes. Asnjë i përjashtuar! Askush nuk ka të drejtë të kthejë kokën nga ana tjetër. “Në këtë botë të globalizimit, ramë në globalizimin e indiferencës. U mësuam me vuajtjet e tjetrit, nuk kemi të bëjmë me të, nuk na intereson, nuk është puna jonë! Rikthehet figura e të Paemrit të Manzonit. Globalizimi i indiferencës na bën të gjithëve ‘të pa emër’, përgjegjës “pa emër e pa fytyrë”.

Në prag të shpërthimit të Luftës II Botërore, Shërbëtori i Zotit Piu XII i kujtoi botës se “asgjë nuk humbet me paqen. Gjithçka mund të humbasë me luftë. Burrat ta kuptojnë përsëri njëri-tjetrin. Të rifillojnë bisedimet! Duke biseduar me vullnet të mirë dhe me respekt për të drejtat e njëri-tjetrit, do të zbulojnë se biseda e sinqertë nuk e përjashton kurrë suksesin e  nderuar”.

I shpreh mirënjohjen veçanërisht Francesco Antonio Grana-s, sepse i mblodhi të gjitha thirrjet e mia për paqe në Ukrainë. Njëlloj i jam mirënjohës gazetës suaj, ilfattoquotidiano.it sepse, që nga fillimi i këtij konflikti, u bëri gjithnjë jehonë të gjerë këtyre fjalëve të mia. Ashtu siç jam edhe ndaj shumë burrave dhe grave të tjera, që u bënë mbartës të këtij mesazhi, shpesh konkretisht dhe në heshtje.

Ky, që keni në duar është një tekst, që përmbledh çka në këto muaj lufte doli nga zemra ime, duke ndjekur pamjet e kësaj tragjedie të madhe dhe duke lexuar kronikat e tmerrshme të saj dhe të shumë konflikteve të tjera në botë: konflikte që shumë shpesh harrohen. Një lloj ditari lufte që ua ofroj lexuesve me shpresën se shumë shpejt do të bëhet ditar paqeje e, sidomos, paralajmërim për të gjithë, që të mos përsërisin më shëmtime të ngjashme. Është enciklikë e vërtetë mbi dhe për paqen në Ukrainë dhe në çdo pjesë tjetër të botës.

Ndërsa vazhdojmë të lutemi me ngulm për paqen në Ukrainë, pa u lodhur kurrë, nuk duhet të mësohemi me këtë luftë, si me çdo tjetër. Nuk duhet të lejojmë që zemrat dhe mendjet tona të anestetizohen përballë përsëritjes së këtyre tmerreve shumë të rënda kundër Zotit dhe kundër njeriut. Ne nuk duhet, për asnjë arsye në botë, të mësohemi me të gjitha këto, duke e parë  si diçka që pritej këtë luftë copa-copa, e treta botërore, e cila është bërë në mënyrë dramatike, para syve tanë, luftë e përgjithshme, e treta botërore.

Të lutemi për paqe! Të punojmë për paqen! Të sigurt se Zoti Jezus, Princi i Paqes, do t'i dhurojë Ukrainës dhe mbarë botës, veçanërisht aty ku vazhdojnë ende kaq shumë shpërthime lufte, agimin e mëngjesit të Pashkëve.

05 dhjetor 2022, 12:01