Kërko

Papa: teologjia e Benediktit XVI nuk është për të kaluarën, jep fryte edhe për të ardhmen

Kontributi i punës dhe i mendimit teologjik të Benediktit XVI vazhdon të jetë i frytshëm dhe aktiv, të gjithë e ndjejmë praninë e tij shpirtërore. Kështu pohoi Papa Françesku sot paradite, gjatë ceremonisë së dhënies së Çmimit Ratzinger 2022, në Sallën Klementine në Vatikan. Sivjet, atë e mori Át Michel Fédou dhe, për herë të parë, një personalitet i fesë hebraike: profesor Joseph Halevi Horowitz Weiler

R.SH. - Vatikan

“Të gjithë e ndiejmë praninë shpirtërore dhe shoqërimin e gjithë Kishës me lutjet” e Papës së nderit. Duke kryesuar ceremoninë për dhënien e çmimit Ratzinger 2022, Ati i Shenjtë Françesku përmendi takimet personale, vëllazërore dhe dashamirëse me Benediktin XVI, gjatë papnisë së tij, duke nënvizuar forcën, frytshmërinë dhe aktualitetin e mendimit të paraardhësit të tij.

“Për mua nuk mungojnë çastet e takimit personal, vëllazëror dhe të përzemërt me Papën e nderit. Por ky rast është i rëndësishëm për të ripohuar se kontributi i veprës së tij teologjike dhe në përgjithësi i mendimit të tij vazhdon të jetë i frytshëm dhe veprues”.

Reforma dhe vazhdimësia

60 vite pas Koncilit II të Vatikanit, Papa Bergoglio kujton rolin që luajti asokohe Joseph Ratzinger, fillimisht, si ekspert dhe më pas si udhërrëfyes i bashkësisë kishtare në zbatimin e atyre rezultateve themelore për Kishën: “Ai na ndihmoi t’i lexojmë thellësisht dokumentet e Koncilit II të Vatikanit”, duke na propozuar “hermeneutikën e reformës dhe të vazhdimësisë” e duke na treguar funksionin e saj vendimtar për “riformulimin e çështjes qendrore të natyrës dhe të misionit të Kishës në kohën tonë”, vërejti Papa Françesku. Kontributi teologjik i Benediktit XVI mbetet pikë referimi edhe sot, jo për të kaluarën, por për të përvijuar të ardhmen, nënvizoi Ati i Shenjtë.

“Këto kontribute na japin një bazë të qëndrueshme teologjike për rrugëtimin e Kishës: për një Kishë ‘të gjallë’, të cilën ai na mësoi ta shohim dhe ta përjetojmë si bashkim, për udhë - në ‘sinod’ - udhëhequr nga Shpirti i Zoti, gjithmonë e hapur për misionin e shpalljes së Ungjillit dhe të shërbimit në botën ku jeton”.

Mendimi i gjallë

Shërbim, që ka të bëjë me fushat më aktuale si: ekologjia e gjithanshme, të drejtat e njeriut, takimi ndërmjet kulturave të ndryshme. E dëshmojnë këtë edhe profilet e dy personaliteteve të vlerësuara me Çmimin Ratzinger 2022: Át Michel Fédou dhe profesor Joseph Halevi Horowitz Weiler. Ipeshkvi i Romës e quan meshtarin “mjeshtër të teologjisë së krishterë”, “trashëgimtar të vlefshëm të teologjisë së madhe franceze”, e cila ushqeu Koncilin II të Vatikanit, nga Henri De Lubac te Sources Chrétiennes:

“Njohja e traditës së fesë ushqeu tek ai mendimin e gjallë, që diti të trajtojë edhe tema aktuale në fushën e ekumenizmit dhe në atë të marrëdhënieve me fetë e tjera”.

Në emër të dialogut ndërfetar

Fituesi tjetër i Çmimit Ratzinger, profesor Weiler, i pari i fesë hebraike, në përkim me Benediktin XVI, është marrë me çështje, që sipas Papës Françesku, janë me “rëndësi thelbësore”: nga marrëdhëniet ndërmjet fesë dhe arsyes ligjore në botën bashkëkohore e deri te kriza e pozitivizmit ligjor dhe konfliktet e krijuara nga shtrirja e pakufizuar e të drejtave individuale. Interesant, shqyrtimi i “ushtrimit të lirisë fetare në një kulturë, që priret ta zhvendosë fenë në sferën private”.

“Papa Benedikti i ka konsideruar gjithmonë qendrore këto tema për dialogun e fesë me shoqërinë bashkëkohore. E prof. Weiler, jo vetëm që ka kryer studime të thella mbi to, por ka mbajtur edhe qëndrime të guximshme, duke kërkuar konsensus për vlerat themelore dhe për kapërcimin e konflikteve, në të mirën e përbashkët. Që besimtarët hebrenj dhe të krishterë mund të bashkohen për këtë, është shenjë e madhe shprese”.

Dy fituesit

I njohur për mbrojtjen e Italisë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi çështjen e kryqit në shkolla, Weiler, i lindur në vitin 1951, me diplomë “honoris causa” nga Universiteti Katolik i Amerikës, është profesor i së drejtës në universitete dhe në institute të shumta juridike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britaninë e Madhe dhe në vende të ndryshme të botës. Ish-kryetar i Institutit Universitar Evropian të Firences, ka shkruar shumë vepra mbi të drejtën kushtetuese, ndërkombëtare, evropiane dhe mbi të drejtat e njeriut.

Jezuiti francez, Át Michel Fédou, u lind në Lion, në vitin 1952. Ka qenë profesor i teologjisë dogmatike dhe i patristikës në Qendrën Sèvres të Parisit, që nga viti 1987. Më pas, po aty, ka shërbyer si dekan i fakultetit teologjik dhe president i qendrës. Anëtar e këshilltar i shoqatave të ndryshme teologjike dhe i komisioneve për dialogun ekumenik me luteranët dhe ortodoksët, ai është edhe autor i veprave të shumta, veçanërisht në fushën e patristikës dhe të kristologjisë.

26 çmime që nga viti 2011

Çmimi Ratzinger, nisma kryesore e Fondacionit vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedict XVI”, themeluar në vitin 2011, u jepet çdo vit dy, ose tre “studiuesve, që janë dalluar për merita të veçanta në botime dhe në kërkimet shkencore”. Emrat e kandidatëve i propozohen Papës nga Komiteti Shkencor i Fondacionit, i përbërë nga 5 anëtarë me emërim papnor.

Bashkë me edicionin e vitit 2022, fituesit janë gjithsej 26: personalitetet, që e kanë marrë këtë çmim, janë kryesisht studiues të teologjisë dogmatike ose themelore, të Shkrimit të Shenjtë, të Patrologjisë, të Filozofisë dhe artistë të shquar të muzikës dhe të arkitekturës, nga 16 vende. Nuk janë vetëm katolikë, por u përkasin edhe besimeve të tjera të krishtera.

Bashkëpunimi

Gjatë ceremonisë mbajtur në Sallën Klementine në Vatikan, Papa Françesku inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet Fondacionit Ratzinger dhe Fondacioneve të Vatikanit, që mbajnë emrat e Papës së lum Gjon Pali I dhe Papës shenjt Gjon Pali II, në mënyrë që “kujtimi dhe gjallëria e mesazhit të këtyre tre Papëve të promovohen së bashku në komunitetin kishtar”.

01 dhjetor 2022, 12:57