Kërko

Mesdheu dhe emigrantët Mesdheu dhe emigrantët

Papa: emigracioni, themelor për mirëqënien e Mesdheut

Në një mesazh për Konferencën Rome MED Dialogues, Françesku bën thirrje për zgjidhje të përbashkëta, që dinë t’i bëjnë ballë prirjes njerëzore për lëvizje: “Lufta e vazhdueshme në Ukrainë është shembull i globalizimit të problemeve”

R.SH. – Vatikan

         Paaftësia e gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për migracionin vazhdon të sjellë humbje të papranueshme jetësh njerëzore, që në shumicën e rasteve, sidomos në Mesdhe, nuk mund as të shmangen. Ky është denoncimi i Papës Françesku në një mesazh dërguar pjesëmarrësve në Konferencën VIII të Rome MED Dialogues, që mbahet në Romë deri më 3 dhjetor. Në të janë mbledhur përfaqësues politiko-institucionalë, analistë, përfaqësues të shoqërisë, të ekonomisë dhe medias për të diskutuar disa çështje kyçe në Mesdhe dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Pasi nënvizon se “askush nuk shpëton i vetëm”, Papa kërkon të gjendet një zgjidhje e përbashkët për migracionin, i cili “është thelbësor për mirëqenien e kësaj zone dhe nuk mund të ndalet”. Problemet janë të ndërlidhura, thekson Françesku, prandaj duhet “të shqyrtohen së bashku, në një këndvështrim të koordinuar dhe sa më të gjerë”.

Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj globale

         Sot, globalizimi i problemeve shihet qartë në luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, me “dëmet e saj të pallogaritshme”, me viktimat civile dhe ushtarake, me krizën energjetike, financiare, humanitare dhe ushqimore. Kjo e fundit ndikon edhe në vendet më të varfra, si ato në Afrikën e Veriut, “të cilat varen në masën 80% nga gruri i Ukrainës, ose i Rusisë”. Pikërisht për këtë arsye, njëra nga krizat nuk mund të zgjidhet pa marrë parasysh të tjerat, vijon Ati i Shenjtë në mesazh. Gjithashtu, nuk mund të gjenden zgjidhje për vuajtjet e mëdha njerëzore, “pa marrë parasysh krizën shoqërore, në të cilën, për përfitime ekonomike apo politike, i ulet vlera njeriut dhe i shkelen të drejtat”. Trajtimi i çështjeve individuale në “mënyrë sektoriale”, paralajmëron Papa, “mbart rrezikun e arritjes së zgjidhjeve të pjesshme, të meta, të cilat jo vetëm nuk i zgjidhin problemet, por i bëjnë ato kronike”.

Mare Nostrum është vend takimi

         Mare nostrum – kjo, këshilla e Papës për Konferencën - duhet të vazhdojë të jetë vend i “përparimit, i zhvillimit dhe i kulturës”, siç ka qenë gjithnjë. Në Detin Mesdhe takohen tre kontinente, vëren Ati i Shenjtë, e kjo “lidhje, historikisht, edhe përmes migrimit, ka qenë jashtëzakonisht e frytshme”. Sot, shprehet me keqardhje Françesku, në vend që të shihet si vend takimi, shkëmbimi e bashkëpunimi, Mesdheu duket sikur e ka harruar potencialin e tij. Papa këshillon të vihet në jetë kultura e takimit për të rizbuluar “ndjenjën e vëllazërimit, duke zhvilluar, përveç marrëdhënieve më të drejta ekonomike, edhe marrëdhënie më njerëzore, përfshirë ato me emigrantët”.

02 dhjetor 2022, 12:35