Kërko

Lufta në Ukrainë vijon të hapë varreza! Lufta në Ukrainë vijon të hapë varreza! 

Papa: bisedimet kërkojnë guxim. Shkatërrimet e luftës janë krime ndërkombëtare!

Françesku priti "Leaders pour la Paix" (Prijësit për Paqen) të angazhuar në Shkollën Shëtitëse për Paqen të Universitetin Lateranens. Gjatë takimit, theksoi se rreziku më serioz për familjen njerëzore, të kërcënuar nga lufta, është mungesa e vullnetit për të ndërtuar paqen dhe saktësoi se kostot sociale të konflikteve nuk janë efekte anësore, por krime ndërkombëtare.

R. SH. - Vatikan

Ishte një fjalim i pasur me mendime mbi rreziqet e luftës dhe mënyrën e rikthimit të paqes. Papa Françesku ia drejtoi, në Vatikan, “Prijësve për Paqen” të angazhuar në veprimtarinë e Shkollës Shëtitëse të Paqes, që po mbahet këto ditë në Universitetin Papnor Lateranens.

Rreziku më i madh: mungesa e vullnetit për të siguruar paqen

Shqetësimi për "çastin që po kalojmë", i jep tonin fjalëve të Papës, i cili nënvizon përgjegjësinë e madhe që ka çdo Lider pour la Paix, çdo Prijës për Paqen. E kjo, sepse nuk është vetëm angazhim:

“E kuptuam se familja njerëzore, e kërcënuar nga lufta, ndodhet para një rreziku më serioz: mungesës së vullnetit për të ndërtuar paqen. Përvoja juaj ju mëson se, përballë luftës, heshtja e armëve është hapi i parë, por më pas do të duhet të rindërtohet e tashmja dhe e ardhmja e bashkëjetesës, e institucioneve, strukturave dhe shërbimeve. Paqja kërkon forma pajtimi, vlera të përbashkëta dhe shtigje - të domosdoshme - edukimi dhe formimi”.

Të tejkalohen modelet e zakonshme të marrëdhënieve ndërkombëtare

"Krijimi i paqes na kërkon të jemi krijues, të shkojmë, nëse është e nevojshme, përtej modeleve të zakonshme të marrëdhënieve ndërkombëtare". Papa fton “për t’iu kundërvënë atyre, që ia besojnë luftës detyrën për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve dhe brenda shteteve, apo që mendojnë t’i krijojnë me forcë kushtet e drejtësisë së nevojshme për bashkëjetesën ndërmjet popujve”. Ndaj shton:

“Nuk mund të harrojmë se flijimi i jetëve njerëzore, vuajtjet e popullsisë, shkatërrimi pa kriter i strukturave civile, shkelja e parimit të humanizmit nuk janë “efekte anësore” të luftës, janë krime ndërkombëtare!”.

Kapërcejeni kategorinë e armikut

Papa ndalet përsëri te përdorimi i armëve për zgjidhjen e konflikteve dhe, në këtë drejtim, nënvizon se “është shenjë dobësie dhe brishtësie”. Fjala kyçe, e cila kërkohet për të biseduar, për të vazhduar ndërmjetësimin dhe për të filluar pajtimin, është  'guxim'. “Është guxim të mos ndihesh mbi të  tjerët - vëren Françesku – t’i përballosh shkaqet e konfliktit, duke braktisur interesat dhe planet e hegjemonisë; guxim, ta kapërcesh kategorinë e armikut, për t'u bërë ndërtues i vëllazërisë universale, që gjen forcë në larmi e unitet, në dëshirat e përbashkëta të çdo njeriu”.

Vështrim i privilegjuar është edhe një herë ai që përqendrohet mbi të varfërit, mbi ata, që u paguajnë çmimin më të lartë luftërave:

“Akoma më shumë kërkohet guximi për të punuar së bashku përballë 'sfidës së më të vegjëlve', që nuk kërkojnë paqe teorike, po shpresë për jetën. Prandaj, të ndërtosh paqen, do të thotë të fillosh dhe të mbështetësh proceset e zhvillimit, për të zhdukur varfërinë, për të mundur urinë, për të garantuar shëndetin dhe mjekimin, për të mbrojtur shtëpinë e përbashkët, për të promovuar të drejtat themelore dhe për të kapërcyer diskriminimin e shkaktuar nga lëvizshmëria njerëzore. Vetëm atëherë paqja do të bëhet sinonim i dinjitetit për secilin nga vëllezërit dhe motrat tona”.

02 dhjetor 2022, 12:21